Kriza energjetike, Malaj: Risk i menaxhueshëm

Aug 12, 2017 | 9:35
SHPËRNDAJE

Boshatisja e vazhdueshme e hidrocentraleve të vendit po detyron qeverinë të blejë gjithnjë e më shumë energji elektrike, duke prekur ndjeshëm financat. Por a ekziston rreziku që kjo të përkthehet në krizë buxhetore?!

Arben-Malaj

Kësaj i është përgjigjur në një intervistë për “Zërin e Amerikës” prof. dr. Arben Malaj, një nga njohësit kryesorë të ekonomisë, njëherësh drejtues i Kolegjit Universitar “Luarasi”. Për profesorin, kjo krizë energjetike është një risk i menaxhueshëm, veçse duhet treguar kujdes që një kosto e tillë të mos shkaktojë krizë në buxhet.

“Importet e rritura krijojnë kosto shtesë, e cila duhet të përballohet nga burime të ndryshme financiare. Por duhet treguar kujdes që një kosto buxhetore për importet e energjisë të mos shndërrohet në një krizë buxhetore, duke dëmtuar stabilitetin e financave publike”.

Sipas Malajt, financat kanë filluar të stabilizohen nga zbatimi i rregullave të reja fiskale, si moskryerja e shpenzimeve më shumë se sa të ardhurat, duke bërë madje që të shkohet deri në suficit primar (më pak shpenzime sesa të ardhurat). Por edhe në këtë pikë shfaqet një tjetër problematikë, ciklet zgjedhore të cilat i shkurtojnë kohën qeverisë së re për të ndërmarrë hapa për rritjen ekonomike.

“Nëse ka diçka që duhet ta rregullojmë me Kushtetutë, është shkurtimi i kohës nga zgjedhjet në krijimin e qeverisë së re. Ato mbaruan në qershor dhe ne do ta kemi qeverinë e re në mes të shtatorit. Për menaxhimin e financave publike, kjo është periudha më delikate, pasi krijon vështirësi, sidomos lidhur me buxhetimin e vitit të ardhshëm, qartësimin e politikave dhe prioriteteve”, nënvizon profesori. Sipas prof. Malaj, punë- simi si rregull duhet të rritet aq sa ekonomia, por analiza se si shpërndahen të ardhurat për t’u shndërruar në përfitime familjare nuk është një punë e lehtë.

KREDITIMI I EKONOMISË

Profesor Malaj pohon se ka pasur një rritje të kredive konsumatore dhe ato për strehim, ndërsa shqetësues mbetet moskreditimi nga ana e bizneseve, të cilat nuk tregohen fleksibël.

“Ka filluar rritja e kredive në lekë, për kredi konsumatore dhe investim në strehim. Konstatohet rënia e kredisë në valutë, një trend pozitiv ky për të ulur kostot e risqeve të kurseve të këmbimit mbi kredituesit që i kanë të ardhurat në monedhë kombëtare. Mbetet shqetësuese mosrritja e kreditimit të biznesit. Kjo për dy arsye kryesore: bankat tregtare nën rregullat e reja mbikëqyrëse për të parandaluar rritjen e kredive joperformuese janë më rigoroze në kërkesat e tyre ndaj biznesit dhe njëkohësisht biznesi shqiptar nuk ka të njëjtin optimizëm për të operuar me kredi për çdo mungesë të likuiditeteve për shpenzimet dhe investimet e tyre”.

Lidhur me shqetësimin publik për ritmet e ulëta të kreditimit të biznesit, eksperti i ekonomisë thekson domosdoshmërinë e funksionimit të shtetit ligjor, respektimin vullnetar të kontratave nga të dyja palët, kredimarrës-kredidhënës, si dhe përmirësimin e mbledhjes së borxheve të këqija.

“Deri tani ulja ka ardhur kryesisht nga fshirja e kredive të paarkëtueshme, nga ristrukturimi i kredive me probleme dhe kjo rrugë duhet të vazhdojë, por pak ka ardhur nga mbledhja e kredive të këqija. Bankat tregtare deklarojnë se mund të marrin më shumë risk në dhënien e kredive, në qoftë se mbledhja e kredive të këqija funksionon normalisht dhe me kosto sa më të ulëta për to”, sqaron prof. Dr. Arben Malaj.

Një rëndësi të veçantë, sipas tij, merr kreditimi i sektorëve me produktivitet të ulët dhe risk të lartë, siç është prodhimi bujqësor, depozitimi dhe agropërpunimi i tyre. Kreditimi i këtyre sektorëve, për profesorin, është me risk të lartë dhe kosto të madhe për bankat, ndaj rritja e eksesit në burime të lira nga donatorë multilateral dhe bilateral, koordinimi i tyre me strategjitë e zhvillimit të bujqësisë duhet të jetë prioritet i rëndësishëm.

Bashkimi Europian përdor tri fonde specifike: Politika e Përbashkët Bujqësore, Zhvillimi i Qëndrueshëm Rural dhe Fondet e Kohezionit Social për rajonet më të varfra të vendeve anëtare

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura