Kreditë, bankat “kaos” me biznesin

Aug 13, 2015 | 12:55
SHPËRNDAJE

Kreditimi i ekonomisë, edhe pse me rritje pozitive, në totalin e tij vijon të mbetet i ngadaltë. Raporti i Bankës së Shqipërisë reflekton një situatë komplekse që nis që nga problemi i kërkesës e deri te paqëndrueshmëria e standardeve që aplikojnë bankat në vend, sidomos kjo e lidhur me biznesin.

KREDITIMI
“Kredia për sektorin rezident privat shënoi një rritje vjetore prej 2.4% në tremujorin e dytë, duke qenë më e lartë se norma e rritjes vjetore në tremujorin paraardhës”, vlerëson Banka e Shqipërisë. Kjo e fundit thekson se mbajtja e një politike lehtësuese monetare me një normë interesi të ulët për lekun ka nxitur kredidhënien në monedhën vendëse dhe ka ulur atë në valutë. Por rritja e kredisë, edhe pse më e mirë se një vit më parë, vijon të mbetet dukshëm e ulët për një sërë arsyesh.

Foto arkive e Gent Sejko, i propozuar nga Presidenti Bujar Nishanit per postin e Guvernatorit te Bankes se Shqiperise./r/n/r/nFile photo of Gent Sejko (taken on October 1, 2007), proposed from Albanian President Bujar Nishani as new Albanian central bank governor.

“Në një këndvështrim më afatgjatë, kjo ecuri është ndikuar nga kërkesa e ulët e bizneseve për kredi dhe nga politikat konservatore të bankave”, thuhet në raport. Në këtë kontekst, ajo që bie në sy është fakti që edhe standardet shtrënguese që aplikojnë bankat nuk janë të qëndrueshme. Pra ato ndryshojë në afate të shkurta kohe dhe aplikohen në nivele të ndryshme. “Me gjithë përmirësimin afatshkurtër, standardet e kreditimit shfaqen të luhatshme dhe në veçanti për bizneset, mbeten ndjeshëm të shtrënguara krahasuar me 4 vite më parë”, vlerëson BSH.

Kredia e re që është dhënë ka qenë e orientuar kryesisht për financimin e nevojave të likuiditetit për bizneset dhe ka qenë e përqendruar në pak banka, sipas BSH-së. Në analizën e bërë në Raportin e Politikës Monetare, theksohet se sektorët që kanë marrë mbështetjen më të madhe nga bankat janë industria dhe shërbimet, kurse ndërtimi ka rënie. “Rritja në portofolin e kredisë për biznese është mbështetur nga financimi i sektorit të industrisë dhe atij të shërbimeve. Teprica e kredisë për këta sektorë është rritur përkatësisht me 6.6% dhe 1.9% vit mbi vit. Kreditimi i sektorit të ndërtimit është reduktuar më tej, duke shënuar në fund të muajit maj një rënie vjetore prej 5.0%”, thuhet në raport.

LEKU DHE VALUTA
Tendenca që ka mbizotëruar këtë vit ka qenë drejt kreditimit në lekë. Kjo për dy arsye. E para pasi norma e interesit të monedhës vendëse ka qenë dukshëm favorizuese dhe e dyta, pasi kjo eviton riskun nga kursi i këmbimit, çka është kuptuar nga agjentët ekonomikë.

“Dobësia e kreditimit në valutë është diktuar, si nga ndërgjegjësimi i agjentëve ekonomikë për rrezikun e kursit të këmbimit, ashtu dhe nga orientimi i kërkesës për kredi për investime në lekë. Kjo e fundit është favorizuar nga ngushtimi i dukshëm i diferencës së normave të interesit të kredisë në lekë, krahasuar me atë në euro”, thuhet në raportin e Bankës së Shqipërisë. Sakaq, vetëm kredia në lekë në tremujorin e dytë të vitit ka shfaqur ritme rritjeje vjetore me 7.5 për qind.

Një situatë e tillë duket se ka përmirësuar edhe raportet e kredisë në lekë në peshën totale të portofolit të kredisë në vend. Të dhënat e fundit tregojnë se 42.5% e kredisë së dhënë është në lekë, një peshë kjo 2.5 pikë përqindje më e lartë se në muajin maj të një viti më parë.

Nertila Maho

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura