Korrupsioni në Administratë, si do të shpërblehen spiunët

Aug 30, 2015 | 11:47
SHPËRNDAJE

Finalizohet përgatitja e bazës ligjore për mbrojtjen e personave që “do të spiunojnë” aferat korruptive në sektorin publik dhe atë privat. Raportuesit e rasteve të korrupsionit do të njihen si “sinjalizues”.

Bledi Çuçi
Bledi Çuçi
Për këta persona në versionin e parë të ligjit ishte përdorur termi “bilbilfryrës”, që duket se tashmë është hequr. Sipas projektligjit “për mbrojtjen e sinjalizuesve”, atyre do t’u ofrohet mbrojtje dhe anonimat në të gjitha fazat e procesit.

I vetmi moment ku identiteti i sinjalizuesit bëhet i ditur është në gjykatë, nëse afera e rrëfyer prej tij shkon deri në atë derë. E gjitha kjo për hir të procesit të rregullt ligjor. Sinjalizuesi nuk gëzon mbrojtje, ose humbet mbrojtjen e marrë, nëse e ndan me publikun informacionin për aferën korruptive.

“Është tepër e vështirë që të thyhet heshtja dhe të nxirret informacioni duke ditur që ky veprim do të dëmtojë seriozisht reputacionin, marrëdhënien bashkëpunuese, miqësinë, besimin e të tjerëve, pozicionin dhe funksionin brenda organizatës që ndoshta mund të ketë edhe pasoja financiare.

Sinjalizuesi ka nevojë për ndihmë për të tejkaluar pasojat e veprimeve hakmarrëse që vijnë si rezultat i sinjalizimit”, argumentohej në relacionin e projektligjit. Projektligji i përgatitur nga Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Shtetit për Çështjet Vendore synon parandalimin dhe goditjen e korrupsionit, mbrojtjen e personave që do ta denoncojnë atë dhe të promovojë denoncimin dhe raportimin e aferave korruptive.

SINJALIZUESIT

Sipas projektligjit, sinjalizuesi përfshin çdo person që punon në sektorin publik apo privat, pavarësisht marrëdhënies së punës. Këtu përfshihen të gjitha llojet e kontratave të punës, të gjitha pozicionet dhe funksionet.

Në kategorinë e “sinjalizuesve” bëjnë pjesë dhe praktikantët e personat marrëdhënia e punës e të cilëve ka përfunduar. Por edhe pse gama përfshirëse është e gjerë, jo çdokush prej tyre mund të jetë një sinjalizues.

Sipas projektligjit, sinjalizuesi duhet të plotësojë disa kërkesa thelbë- sore, funksioni i të cilave është filtrimi i personit që ka arsye legjitime për të raportuar një vepër korrupsioni.

Këta filtra do të zbatohen me qëllim shmangien e keqpërdorimit të mekanizmit të sinjalizimit nga një person që mund të ketë konflikt me organizatën e tij dhe të bëjë raportime të pavërteta, me qëllim shqetë- simin e saj.

RAPORTIMI

Informacionet e tyre në lidhje me aferat korruptive sinjalizuesit mund t’i raportojnë në njësitë përgjegjëse brenda në organizatë, të cilat do të jenë të përbëra nga persona të trajnuar posaçërisht.

Kjo strukturë do të hetojë dhe do të shqyrtojnë raportimet e sinjalizuesit, në kushtet e konfidencialitetit. Këta persona janë përgjegjës për mbrojtjen e dokumentacionin nga zhdukja, fshehja apo falsifikimi.

Sipas projektligjit, kur vepra e raportuar për dyshimin e korrupsionit konsiderohet se përbën shkelje administrative, organizata ia raporton çështjen Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive e Konfliktit të Interesit.

Më tej, kur për të njëjtin rast konstatohet se vepra e dyshuar përbën vepër penale, Inspektorati i Lartë ia raporton çështjen Prokurorisë.

Po ashtu, në projektligj përcaktohet se në rastet kur sinjalizuesi vë re se njësia përgjegjëse nuk ka marrë masat e duhura apo faktet e kallëzuara prej tij, mund të zhduken apo tjetërsohen, ai ka të drejtë të raportojë veprën e dyshuar të korrupsionit tek Inspektorati i Lartë.

ARMAND BAJRAMI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura