Korrupsioni, borxhi publik dhe zhvillimi ekonomik

Dec 10, 2017 | 11:53
SHPËRNDAJE

Klodian MucoPhD. KLODIAN MUÇO

Korrupsioni, së bashku me borxhin publik, janë temat më të nxehta për  t’u trajtuar. Përmendja e fjalës korrupsion evokon në mendjen e dëgjuesit një përbindësh mitologjik, që gllabëron burimet dhe varfëron vendin, i cili duke mbajtur poshtë këmbëve të tij vendin, e detyron atë të mos përparojë në garën drejt progresit dhe zhvillimit ekonomik. Një përbindësh i ushqyer nga një klasë politike e paaftë dhe joefikase, që në sajë të tij mund të ngrihet në pozita të rëndësishme, në dëm të shumë njerëzve të aftë dhe të ndershëm, që meritojnë më tepër dinjitet dhe më pak tallje nga ana e kësaj klase politike.

Korrupsioni është problemi kryesor i krizës ekonomiko-sociale dhe e rritjes ekonomike pa zhvillim të ekonomisë. Korrupsioni është një e keqe që duhet luftuar dhe çfarëdolloj norme që bie në kontrast, si dhe çdo veprim që synon goditjen dhe zhdukjen e tij, është absolutisht i dobishëm. Kushdo që tenton të shpjegojë krizën ekonomike dhe sociale të një vendi si justifikim i mungesës së integrimit, apo vetëm si problem i sistemit gjyqësor, është viktimë e fushatës mediatike intense ose është bashkëpunëtor vullnetar i përbindëshit korrupsion.

Për të valutuar kostot e korrupsionit dhe impaktin e tij që ka në borxhin publik dhe zhvillimin ekonomik, duhet të bëj një parantezë se çfarë është korrupsioni. Nga pikëpamja ekonomike, korrupsioni nuk është gjithmonë një e keqe, ai në vetvete përcakton një spostim të pasurisë ndërmjet 2 subjekteve apo një shpërndarje të burimeve publike, që nuk është e thënë të jetë gjithmonë më pak efeciente. Korrupsioni ka efekte shtrembëruese në shpenzimet publike sepse ai shpesh shpërblen sipërmarrësit që janë më të aftë për të korruptuar dhe jo ata që janë më të aftë të bëjnë punën e tyre dhe të realizojnë projektet më cilësore që kanë impakt më të madh në GDP.

Kjo e fundit rritet më pak, po ashtu edhe niveli i të ardhurave fiskale rritet më pak. Në të tilla kushte, nëse nuk rriten taksat, do të rritet deficiti buxhetor e në vijim borxhi publik. Korrupsioni bën që të mirat dhe shërbimet të kushtojnë më shtrenjtë, kjo do të sjellë një rritje të shpenzimeve publike. Në shumë raste do të kemi një të mirë publike me një cilësi të ulët dhe me një kosto shumë më të lartë se vlera reale.

Rritja e shpenzimeve publike shpesh redukton mundësinë për ofrimin e të mirave dhe shpenzimeve të tjera. Kësaj i shtohet edhe fakti që cilësia e ulët ka një jetëgjatësi të ulët ,siç u pa më së miri edhe te përmbytjet në fundit që ndodhën. Shpesh, fenomeni i korrupsionit mendohet se ndodh për shkak të rrogave të ulë- ta që kanë funksionarët apo për kontrollet e ulëta. Rritja e këtyre të fundit çon në një rritje të burokracisë, e cila çon në rritjen edhe më tepër të korrupsionit apo përqendrimin e tij në pak “duar”.

Për një vend të varfër si Shqipëria, sado të rriten rrogat, vetëm me to, shumë prej këtyre funksionarëve asnjëherë s’do jenë në gjendje të blejnë pronat që disponojnë, edhe sikur rrogat e tyre të ishin të krahasueshme me rrogat e një vendi të zhvilluar të BE-së. Austerity e sugjeruar nga organizmat ndërkombëtare apo emërimet politike, e kanë varfëruar edhe më tepër administratën publike, si nga ana ekonomike, po ashtu edhe burimet njerëzore.

Ka rritur turn-over dhe ka mbushur këtë të fundit me njerëz të paaftë dhe pa eksperiencë (vendet e punës shpesh i fitojnë militantët dhe ata që janë më të aftë për të korruptuar drejtuesit e institucioneve). Administrata ka nevojë për njerëz me eksperiencë, me aftësi dhe me rritjen në karrierë të ngadaltë dhe konsoliduar. Një funksionar që shkon në punë me konkurse fiktive, me shumë gjasa do jetë jo vetëm i paaftë, por mbi të gjitha, do të punojë me mendimin se vendi i punës do të ketë një jetëgjatësi sa partia në pushtet dhe si i tillë ka mungesë impenjimi, pra më pak produktivitet si dhe më pak vlerë të shtuar.

Korrupsioni ka një korrelacion me rritjen e GDP-së, me borxhin publik si dhe me zhvillimin ekonomik. Sipas studimeve të ndryshme empirike del se, për vendet në zhvillim, ulja e korrupsionit influencon rritjen e GDP-së me një multiplikator më të madh se 1, pra, një ulje me 1 njësi e treguesit të korrupsionit të perceptuar, stimulon një rritje me 0.5% të GDPsë reale. Studime të tjera kanë treguar se korrelacionin negativ më të lartë sesa korrupsioni në rritjen ekonomike, e ka klasa politike.

Kjo për faktin që, vërtet korrupsioni pengon shpërndarjen e drejtë të shpenzimeve publike, por nga ana tjetër krijon gjithsesi pasuri për ndërmarrjet që përfitojnë, gjithmonë nëse këto të fundit, këtë përfitim nga korrupsioni do e transformonin në investime të reja në vend. Efektet negative janë më të larta, atëherë kur paratë e korrupsionit shkojnë jashtë territorit, në parajsa fiskale apo mbyllen nëpër banka që ruajnë anonimitetin e klientit. Korrelacioni ndërmjet korrupsionit dhe borxhit publik është pozitiv.

Rritja e korrupsionit siç e lartpërmenda rrit nivelin e shpenzimeve publike, bien të ardhurat fiskale e nëse taksat nuk rriten (rritja e tyre pengon konsumin dhe investimin), atëherë do të kemi një rritje të borxhit publik. Po ashtu, shpesh rritja e korrupsionit devijon shpenzimet publike dhe i largon nga ata sektorë që sjellin zhvillim si arsimi, shëndeti, infrastruktura si dhe nga të gjithë ata sektorë që sjellin vlerë të shtuar për ekonominë. Në Shqipëri, edhe kur nuk ka devijim të fondeve nga sektorët e lartpërmendur, ka shumë shpërdorime që vijnë falë korrupsionit, pasi kemi orientim të shpenzimeve publike në ata sektorë ku përfitimet janë më të larta nga korrupsioni. Mendoni për një moment për koncesionet që në vitin në vijim do të kushtojnë rreth 80 milionë euro, po vallë çfarë vlere të shtuar kanë ato në ekonomi?!

Është matur ndonjëherë impakti që ka pasur ngjyrosja e naftës, skanimi në dogana apo është llogaritur kosto shtesë, që paguan shteti duke ia kaluar ofrimin e shumë shërbimeve privatit, ndërkohë që mund t’i ofronte vet apo në disa raste, kur s’ka fare nevojë tregu për këto shërbime? Për sa u përket shifrave, është shumë komplekse dhe e vështirë të jepet një numër, që tregon sa është efekti i korrupsionit në borxhin publik pasi ky fenomen influencon si të ardhurat fiskale, po ashtu edhe shpenzimet publike (të ardhura fiskale më të ulëta, sjellin më shumë borxh dhe më shumë interesa).

Pa harruar këtu faktin që borxhi është një variabël, që influencohet nga situatat e kaluara dhe nga rritja e GDP-së. Për të konkluduar, korrupsioni sjell shpërdorim të shpenzimeve publike, sjell më pak të ardhura fiskale e si konsekuencë, në të ardhmen, do të kemi gjithmonë e më tepër politika fiskale shtrënguese, të cilat do të jenë të paevitueshme nga qeveritë për të paguar interesat e borxhit publik si dhe për përmirësimin e financave publike.

Zgjidhja e vetme, në këto kushte, është amnistia totale për korrupsionin e bërë në të kaluarën, pagesën e taksave për të gjithë ata që kanë kursime të padeklaruara, atdhesim të parave të çuara jashtë dhe dënime ekstreme për të gjithë ata që bëjnë korrupsion në të ardhmen. Kjo amnisti do të shërbejë për të ulur ndjeshëm koston e borxhit dhe për uljen e informalitetit në të ardhmen.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura