Koronavirusi tregon pandeminë e të metëve racionalë

Jun 29, 2020 | 9:26
SHPËRNDAJE

EPIDAMN ZEQO epidamn-zeqo-750x419

ABSTRAKT

Kriza e koronavirusit është një krizë globale shëndetësore që shkakton krizat ekonomike, financiare dhe socio-politike. Duket se jemi në prag të një ndryshimi të paradigmës në ekonominë politike, por mbetet e paqartë se cila ideologji do të jetë paradigma e re: neokonservatorizëm/neofashizëm, neosocializëm apo një hibrid? Pra, është e domosdoshme që secili prej nesh të ketë një sistem vlerash të mirëpërcaktuar (dhe të justifikuar) në këtë moment historik. Neoliberalizmi mëson se njerëzit janë të metë racionalë të motivuar vetëm nga fitimi personal në çdo kohë dhe në çdo situatë, por kërcënimi i dyfishtë i koronavirusit dhe ndryshimit të klimës ilustron nevojën për një paradigmë të re, një në të cilën individët inkurajohen të arrijnë ekuilibrin midis dashurisë ndaj vetvetes dhe dashurisë për shoqërinë.

TË METË RACIONALË?

Të “metë racional”, term i krijuar nga Amartya K. Sen, kritikon teorinë e zgjedhjes racionale si themeli i sjelljes njerëzore në teorinë ekonomike. Ky model paradoksal përcakton dhe promovon shoqërinë si thjesht një agregat egoistësh të orientuar vetëm nga përfitimi personal. Është jorealiste, pasi supozon se të gjithë individët janë të metë shoqërorë (si miliarderët që kërkojnë donacione ose panikblerësit e produkteve jothelbësore). Përkundër kritikave të bollshme të theksuara më poshtë, ky kurth konceptual u përhap nga teoria e lojës në jetën reale.

Pa dyshim që Dilema e të Burgosurve shpjegon mirë marrëdhëniet ndërkombëtare dhe pse nuk ka plan botëror kundër koronavirusit apo ngrohjes globale. Kjo botë G0 është ëndrra e frikshme hobeziane apo kaos. Gjithashtu, nuk ka një plan të unifikuar në nivel federal kundër këtyre krizave ekzistenciale në BE dhe në SHBA. Secili shtet po kujdeset për vendin e tij. Bota jonë sot pasqyron një pikëpamje paranojake të njeriut, që teoria e zgjedhjes racionale ndihmoi të formësojë promovimin e tradhtisë ndaj besimit, i cili paralizon fuqinë e kolektivit për të vepruar.grafiku

Ne jemi dëshmitarë të shfaqjeve ekstreme të sjelljeve njerëzore nga mjekë dhe infermierë që luftojnë pa u lodhur dhe nga ata që infektojnë qëllimisht të tjerët në koronavirus party (festa). Kjo na detyron të konsiderojmë: a janë njerëzit egoistë (robotë për maksimizimin e fitimit) apo altruistë (shenjtorë) për nga natyra? A mund të zgjedhim ta ndryshojmë instinktin tonë për të qenë thellësisht të përqendruar te vetvetja?!

Aristoteli thoshte se individët janë “kafshë politike” morale. Edhe sipas utilitarëve si John Stuart Mill, është akoma “më mirë të jesh një qenie njerëzore sesa një derr i kënaqur; më mirë të jesh Sokrati i pakënaqur sesa një idiot i kënaqur, sepse ka forma më të larta dhe të ulëta të kënaqësive”. Migjeni ynë gjithashtu e kupton këtë alternativë, por zëvendëson fjalën idiot me derr i kënaqur. Preferoj atë që ka thënë Michel de Montaigne, sepse ai paraqet një pamje neutrale të njerëzve si: “Krijesa gjysmë të mençura, gjysmë të trasha”

Prandaj, Sen ka të drejtë kur shpreh në kritikën e tij se egoizmi dhe altruizmi janë dy koncepte ekstreme. Ashtu si Adam Smith përpara tij, Sen tregon se simpatia dhe përkushtimi janë përcaktuese në zgjedhjet individuale. Në të dy librat, “Teoria e ndjenjave morale” dhe “Pasuria e kombeve”, Smith kurrë nuk pretendoi se individët janë gjithmonë egoistë dhe se fitimi personal gjithmonë çon në rezultate optimale. Vepra e Niccolò Machiavelli është interpretuar në mënyrë të ngjashme me këtë lente miope, të kufizuar: Që nga Princi, ai është bërë sinonim i interesit personal, por në “Diskutimet” Machiavelli propozon instalimin e virtyteve të qytetarisë aktive për të inkurajuar interesin kolektiv mbi interesin personal.

Modeli i zgjedhjes racionale është sfiduar nga ekonomistët, të cilët kanë përdorur një qasje ndërdisiplinore për të pasuruar teoritë e zgjedhjes, duke dhënë një pamje më të saktë të vendimmarrjes njerëzore. Kohët e fundit, Richard Thaler fitoi çmimin “Nobel”, duke treguar se duke supozuar se qeniet njerëzore janë joracionale ose të paarsyeshme, është qasja më racionale për të studiuar sjelljen e tyre, pra, “agjentët ekonomikë janë njerëz dhe modelet ekonomike duhet ta përfshijnë këtë fakt”. Thaler është i fundit nga ekonomistët e sjelljes ekonomike që vlerësohet, pas George Akerlof, Robert Fogel, Daniel Kahneman, Elinor Ostrom dhe Robert J.Shiller.

Siç zbulon modeli i psikikës së Sigmund Freudit, ekzistojnë tri (jo një) nxitëse të sjelljes: id (pjesa instinktuale e mendjes), superegoja (ndërgjegjja morale) dhe egoja (pjesa realiste që ndërmjetëson midis dëshirat e id dhe super-egos). Por neoliberalizmi shpërblen instinktet egoiste të një individi. Prandaj, pikëpamja njëdimensionale e njerëzve si tvehten metvehten racionalë, megjithëse nuk është më themeli i sjelljes në teorinë ekonomike, vazhdon me kokëfortësi në jetën reale, pasi është kthyer një siguri e verbër brenda shumë prej nesh, por më thellësisht brenda individëve në demokracitë liberale.

Edhe John M. Keynes e kuptoi që emocionet luanin një rol përcaktues në ndikimin e vendimmarrjes – ky është kuptimi i “shpirtrat e kafshës” dhe ai e përdori këtë njohuri për të këshilluar nivele mesatarisht të larta të ndërhyrjes së shtetit në ekonomi. Në të kundërt, Edward Bernays, nipi i Frojdit dhe “babai i marrëdhënieve me publikun”, përdori të njëjtat njohuri për të promovuar fitimin mbi shëndetin, kapitalizmin mbi demokracinë.

SISTEMI

Themeli i neoliberalizmit është modeli i konsumatorit të kënaqur racional dhe jo i qytetarit të pakënaqur idealist. Sistemi është i bazuar në një koncept lirie, të cilin Isaiah Berlin e ka quajtur liria negative – ku individët janë të lirë të bëjnë atë që dëshirojnë për sa kohë që veprimet e tyre nuk ndërhyjnë në lirinë e të tjerëve (mendoni për SHBA dhe Britaninë e Madhe që nga Reagan dhe Thatcher, si dhe Europa Lindore e Shqipëria, që nga viti 1989-‘91). Teoritë e John Nash dhe të Berlinit u shpallën nga promovuesit e neoliberalizmit si prova shkencore, që me të vërtetë është e mundur të kesh një shoqëri të bazuar në individë egoistë pa të çuar në kaos.

Koncepti tjetër i lirisë është liria pozitive, në të cilën krijohet një njeri i ri, zakonisht i detyruar të bëhet një qenie më e mirë për të mirën e shoqërisë (mendoni për revolucionin francez, nacionalizmin, fashizmin dhe komunizmin). Kjo lloj lirie, paralajmëron Berlini, gjithmonë çon në tirani si në Bashkimin Sovjetik (dhe në Shqipëri). Berlini favorizoi lirinë negative, por me një vërejtje. Ai paralajmëroi profetikisht promovuesit e lirisë negative se ata kurrë nuk duhet ta besojnë atë si të vërtetën absolute, sepse një besim i tillë çon gjithashtu në tirani.

Është e qartë tani, veçanërisht pas luftërave në Afganistan dhe Irak, që të dyja konceptet e lirisë çojnë në tirani. Neoliberalizmi ka tendencë të jetë një sistem vetëmposhtës, sepse shpërblen instinktet apo idenë egoiste të një individi, ndërsa banalizon kuptimin e detyrave qytetare ose la vita activa, siç përshkruhet nga Hannah Arendt. Një i metë racional është një krijesë e mençur për veten e tij, por është një qenie dinake që e dëmton shoqërinë. Socializmi ishte një sistem vetëmposhtës sepse kriminalizoi brutalisht shpirtin njerëzor dhe dashurinë për vetveten dhe shpërbleu besnikërinë në vend të qytetërimit.

Ndoshta, atëherë, mos një koncept i ri jobinar i lirisë është i nevojshëm? Sfidat përpara kërkojnë zgjidhje përtej aftësive të koncepteve binare të epokës së Luftës së Ftohtë. Përfundimi logjik është një koncept më human i lirisë: një liri hibride si me elementë pragmatikë, ashtu edhe idealistë që ushqejnë id-in e një individi, por edhe egon dhe superegon për të inkurajuar një ekuilibër më të mirë midis interesit personal dhe shoqërisë. Këshilla e Bacon-it për të gjithë ne vazhdon kështu: “Ndani arsyen midis dashurisë për vetveten dhe shoqërisë dhe bëhu aq i vërtetë për veten tënde sa nuk je i rremë për të tjerët”.

Zgjidhjet janë kundërintuitive, pasi kërkojnë sakrifica individuale sot, për të mirën e koncepteve abstrakte, siç janë shoqëria dhe njerëzim nesër. Ky problem i mospërputhjes kohore favorizon status quo-në, jo ndryshimin. Si mundet që politika (pacienti zero) të bindë të metët racionalë, që të pranojnë sakrifica dhe dhimbje për të mirën e shoqërisë? Për më tepër, zgjidhjet kërkojnë një afinitet ndërmjet individëve për të bashkëpunuar, në një kohë kur ne jemi paranojakë ndaj shëndetit dhe motiveve të të tjerëve.

Misioni i politikës, i përkufizuar më së miri nga Zygmunt Bauman si “aftësia për të vendosur se cilat gjëra duhet të bëhen”, ka ndryshuar sepse modeli dhe audienca kanë kaluar nga qytetarët te konsumatorët. Prandaj, pse politika partiake është agresive e dritëshkurtër, duke përkeqësuar më tej pabarazinë dhe mosbesimin. Fuqia, e cila është “aftësia për t’i bërë gjërat”, ka shpikur politikë për të mbajtur harmoninë në shoqëri, duke zgjidhur problemet që kanë me të vërtetë rëndësi.

Është qartësisht e dukshme, si për të metët racionalë, ashtu edhe për budallenjtë logjikë, që politika është e paralizuar, sepse pushteti de facto banon me plutokratët (oligarkët) – një grusht familjesh kanë më shumë pasuri sesa miliarda njerëz. Siç ka vërtetuar Thomas Piketty, rregulli i përgjithshëm në teorinë e madhe të kapitalit është se pasuria rritet më shpejt sesa prodhimi ekonomik dhe të ardhurat. Pra, ndërsa pasuria dhe fuqia e plutokratëve përqendrohet, pabarazia rritet duke shpërthyer mosbesim dhe urrejtjen përmes përmbajtjes kryesisht të rreme dhe banale që shikojmë, lexojmë dhe dëgjojmë.

Kufizimet e lirisë negative, të bëra të dukshme nga recesioni i madh i vitit 2008 dhe përsëri me koronavirus, kanë bërë që të metët racionalë në politikë të ringjallin liritë pozitive, siç është nacionalizmi dhe të përdorin taktika të tilla si frika dhe masa shtrënguese. Pra, përfundimi racional është rikthimi i konceptit retrograde të lirisë pozitive (për të cilën Berlini paralajmëron se çon në tirani). Kjo, pasi Milton Friedman vëzhgon se vetëm krizat prodhojnë ndryshime reale dhe se “veprimet që ndërmerren varen nga idetë që janë rreth e rrotull”. Kanunet neoliberale të privatizim, liberalizim, stabilizim dhe globalizim po zëvendësohen me idetë “rreth e rrotull”, si shtetëzimi, inflacioni, proteksionizmi dhe nacionalizmi.

DHIMBJE PËRPARA FITIMIT

Prandaj, dilema e mprehtë morale: A duhet që masat antikoronavirus për të shpëtuar miliona individë me sëmundje paraekzistuese të vijnë në kurriz të mirëqenies ekonomike dhe mendore të miliarda individëve? Natyrisht që ekziston një balancë ndërmjet uljes së kurbës së infeksionit dhe kufizimit të dëmit social-ekonomik në çdo vend, siç tregon grafiku nga CEPR. Por ekziston një tension i skajshëm – veçanërisht në SHBA dhe Mbretërinë e Bashkuar – ndërmjet biznesit dhe sigurisë; madje edhe ekonomisë përkundrejt popullsive në rrezik. Si pasojë, SHBA tani është bërë epiqendra e pandemisë koronavirus, pasi masat e distancës sociale dhe karantinës nuk respektohen dhe as zbatohen në shkallën e kërkuar.

Edhe në Itali masat u injoruan në fillim, derisa numri i vdekjeve u rrit, ekonomia u mbyll plotësisht dhe nacionalizmi u evokua për të ndihmuar në rrafshimin e kurbës së infeksionit. Vendet në Europën Veriore (me përjashtim të Mbretërisë së Bashkuar) raportohet se po shkojnë më mirë, gjithashtu për shkak të një përgjigjeje të qeverisë që ka ndërtuar besim. Vendet në Azi e Paqësor kanë arritur të rrafshojnë kurbën, gjithashtu duke u mbështetur në norma të forta shoqërore rreth bindjes kolektive. Në Shqipëri u morën masat të forta, të cilat kanë rrafshuar kurbën e infeksionit dhe pritet të kuptohet dëmi ekonomik real dhe nëse stimuli do të zbusë ashpërsinë e recesionit ekonomik.

E tashmja do të jetë jashtëzakonisht e dhimbshme për pothuajse të gjithë ne, por veçanërisht për ata më të prekurit dhe të vetmuarit. Tronditjet sistemike nga koronavirusi, njësoj si tranzicioni postkomunist në Europën Lindore pas vitit 1989, kanë kosto të mëdha kalimtare, duke shkaktuar një recesion kalimtar siç është papunësia e lartë, inflacioni dhe mungesa e produkteve. Në të vërtetë, kurba e recesionit nga masat për të luftuar përhapjen e koronavirusit është identike me kurbën J të Joel S. Hellman, të përdorur për të shpjeguar koston-përfitimin e reformave sistemike gjatë tranzicionit postkomunist (shënim: Prodhimi i Brendshëm Bruto i Shqipërisë kolapson me 43% ndërmjet viteve 1989- 1994).

Bill Gates po bën thirrje për një mbyllje të plotë të ekonomisë amerikane për deri në 10 javë për të ndaluar përhapjen e COVID-19 dhe për të minimizuar ndikimin ekonomik afatgjatë. Gates nuk është profet, ai i di shkaqet e pandemive sepse u kushton vëmendje atyre dhe ai ka burime të mëdha. Apo: ai ka burime të mëdha, prandaj u kushton vëmendje pandemive?!

Gates ngjason me Jeffrey Sachs kur shtyu “Konsensusin e Uashingtonit” në ish-vendet e Europës Lindore si Shqipëria. Konsensusi ishte se ndryshimi sistemik duhet të bëhet si një transformim big bang me terapi shoku dhe jo në mënyrë graduale. Pra, a do të zbatohet “Konsensusi i Shkencës” dhe i mbylljes ekonomike, duke thelluar kurbën e recesionit? Apo politikanët do të vendosin një qasje më graduale, duke vendosur fitimin afatshkurtër mbi shëndetin afatgjatë?

Pandemia e të metëve racionalë, e nxitur nga ekonomia e zgjedhjes racionale dhe politika e lirisë negative, ka paralizuar fuqinë kolektive të njerëzimit përpara krizave ekzistenciale si koronavirusi dhe ngrohja globale. Njohja e shkaqeve të gjërave nuk ndalon automatikisht pandeminë e idiotëve racionalë, COVID-19 dhe recesionin ekonomik global. Por i fuqizon individët të kontrollojnë instinktin për të qenë thellësisht të përqendruar në vetvete. Nëse një individ është i aftë të angazhohet përtej vetvetes, shoqëria do të jetë e aftë të zgjidhë krizat ekzistenciale. Meqenëse koronavirusi është një katalizator për ndryshimin personal, le ta bëjmë atë një të qëndrueshëm për veten, qytetin, kombin, dhe njerëzimin.

Koronavirus është një katalizator për transformimin sistemik të rendit shumëpolar, ashtu si rënia e Murit të Berlinit ishte për rendin bipolar. Ajo ka theksuar më tej kufizimet e sistemeve binare të bazuara në model të përshtatshme (homo ekonomikus ose politicus / liri negative ose pozitive). Tashmë kemi një pasqyrë më të qartë të Brexit-it, politikës amerikane dhe çfarë do të vijë në Europë së pari nga ekstremi i djathtë dhe më pas nga ekstremi i majtë. Kjo duhet të motivojë individët që t’u rezistojnë zgjidhjeve binare ndaj problemeve shumëdimensionale dhe përkundrazi, të zgjedhin të konceptojnë një mënyrë më njerëzore dhe më qëllimplotë të jetuarit me të tjerët në shoqëri dhe në natyrë.

Ne kemi nevojë për një sistem realist, i cili pranon faktin që ne jemi “krijesa gjysmë të mençura, gjysmë të trasha” dhe një sistem që ndihmon në mënyrë arkitektonike individët të ndajnë me arsye midis shoqërisë dhe vetvetes. Sistemi duhet të përdorë zgjidhje që aftësojnë individët të jenë të përgjegjshëm dhe t’u besojnë atyre që të adoptojnë një sistem të drejtë vlerash më vete. Koncepti i lirisë neutrale rrjedh stimulimin e tij nga shpresa e pajtimit të sigurisë me lirinë. Ndihmon të imagjinoni një vizion më njerëzor për të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen. Prandaj duhet të përfshijë masa efektive të sjelljes dhe sistemike nga të gjitha llojet e tiranisë (ekonomike, sociale, politike dhe natyrore), si dhe të inkurajojë individët të bëjnë angazhime që kërkojnë sakrifica.

Ne duhet të punojmë për të fituar para që të mund të jetojmë dhe – ne duhet të përpiqemi për të rritur brezin e ardhshëm që të mund të zhvillohemi, por gjithashtu duhet të veprojmë për atë që besojmë, në mënyrë që të mund të ndryshojmë për më mirë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura