Koronavirusi/ Mjekët iranianë: Pacientët nuk po shfaqin më simptomat e para, rritje të personave me probleme…

May 27, 2020 | 13:40
SHPËRNDAJE

Irani është bërë një nga vatrat e koronavirusit jashtë Kinës në muajin mars, kur mijëra qytetarë të tij kanë nisur të shfaqin simptoma të sëmundjes COVID-19.

Por, tani, mjekët iranianë thonë se po shohin rritje të numrit të pacientëve me probleme gastrointestinale –më shumë se me probleme në frymëmarrje.

5073BADF-46D4-44B3-BBF5-9FFEB32F43C0_w1023_r1_s

Në fakt, edhe provat e fundit mjekësore nga Kina dhe Shtetet e Bashkuara tregojnë se ekziston një grup i pacientëve me koronavirus, që nuk shfaqin simptoma klasike të sëmundjes respiratore.

Është një fenomen që është duke u shqyrtuar nga studiuesit e mjekësisë në të gjithë botën.

“COVID-19 më herët kishte simptoma si: kollitja, vështirësitë në frymëmarrje dhe temperatura e lartë”, thotë Mohammad Reza Mahboubfar, epidemiolog viral në task-forcën e Iranit kundër koronavirusit.

“Këto simptoma janë vërejtur në dy muajt e parë pas shpërthimit, por tani simptomat më të rëndësishme të COVID-19 janë gastrointestinale”, thotë ai.

Edhe te pacientët e moshuar, edhe te fëmijët, Mahboubfar thotë se simptomat gastrointestinale përfshijnë diarrenë, spazmën abdominale, dhimbjet e barkut, të vjellat dhe humbjen e shijes dhe të erës.

Mahboubfar thotë se këta pacientë shpesh kanë pak temperaturë, ose fare.

Sipas tij, kjo gjendje mund t’i ndikojë statistikat zyrtare për COVID-19, të lëshuara nga Ministria e Shëndetësisë e Iranit, sepse ajo nuk i përfshin pacientët e patestuar, që nuk kanë probleme me frymëmarrje.

Qyteti verior Babol ka qenë një nga vendet e para në Iran në muajin mars që ka përjetuar shpërthime të mëdha të koronavirusit.

Seyed Hassan Abedi, gastroenterolog në Universitetin e Shkencave Mjekësore në Babol, konfirmon se më pak pacientë me simptoma të frymëmarrjes janë të shtruar në spitalin atje.

Abedi thotë se rreth një e katërta e të gjithë pacientëve me COVID-19 në Babol tani kanë vetëm simptoma gastrointestinale.

Ai thotë se diarreja te këta pacientë është “akute”, që ndodh së paku pesë herë në ditë dhe zgjat deri në dy javë.

Sipas Abedit, situata është alarmante, sepse ata me simptoma gastrointestinale zakonisht kërkojnë kujdes mjekësor më vonë dhe testohen më vonë se ata me simptoma të theksuara në frymëmarrje.

Ai druan se diagnoza e vonuar e koronavirusit te pacientët me simptoma më të buta gastrointestinale, e vë shëndetin e tyre në rrezik më të madh dhe mund të bëjë që virusi të përhapet më shpejt.

Në Universitetin Shahid Beheshti në Teheran, gastroenterologu Seyed Reza Fatemi thotë se rreth gjysma e pacientëve me COVID-19 janë duke shfaqur simptoma gastrointestinale.

Fatemi thotë se rreth një e treta e atyre me simptoma gastrointestinale pësojnë dëmtim të mëlçisë dhe inflamacion të pankreasit.

Përveç tyre, ka po ashtu dëshmi për një sindromë te fëmijët dhe për komplikime në veshkë.

Raste të tronditjeve në tru në Iran –edhe në mesin e fëmijëve –i janë atribuuar po ashtu koronavirusit.

“Mungesa e oksigjenit dhe inflamacioni që vjen nga COVID-19 mund të rezultojnë me trombozë në arterie dhe tronditje në tru”, thotë Mahmoud-Reza Ashrafi, profesor i mjekësisë në Universitetin e Shkencave Mjekësore në Teheran.

Dëshmitë globale

Ekspertët mjekësorë kanë qenë në dijeni për simptomat gastrointestinale që nga shpërthimi i parë i koronavirusit në Vuhan të Kinës, në muajin dhjetor.

Në Shtetet e Bashkuara, i infektuari i parë i konfirmuar me koronavirus ka qenë një pacient që ka thënë se ka pasur të vjella dhe diarre për dy ditë, së bashku me vështirësi në frymëmarrje.

Virusi është gjetur në mostrat e jashtëqitjes së këtij pacienti, si dhe në testet e shtupës së hundës dhe fytit të tij.

Studimet e mëhershme kanë sugjeruar se më pak se 4 për qind e pacientëve me COVID-19 kanë pasur simptoma gastrointestinale.

Por, studimet e fundit e vendosin këtë shifër në më shumë se 10 për qind dhe në më shumë se 60 për qind të të gjitha infektimeve me koronavirus.

Doktor Martin Veysey, drejtor i programit të Shkollës Mjekësore Hull York në Britaninë e Madhe, thotë se nuk ka dyshim se koronavirusi mund të sulmojë zorrën tuaj, si dhe mushkëritë tuaja.

“Molekula që sulmon virusi në trupin tonë –Enzima Konvertuese Angiotensin 2 ose ACE2 – është e pranishme jo vetëm në mushkëritë tona, por edhe në traktin tonë gastrointestinal”, thotë Veysey.

“Kjo mund të jetë arsyeja që qëndron prapa numrit të konsiderueshëm të rasteve të pacientëve, që tregojnë simptoma gastrointestinale, si diarre dhe të vjella”, shton ai.

Në fakt, vëzhgimet e fundit të rasteve gastrointestinale nga ekspertët iranianë vijnë në vazhdën e provave nga Kina, të botuara nga revistat mjekësore britanike: The Lancet dhe Gut.

Një studim në Gut ka arritur në përfundimin se virusi është shfaqur në rreth gjysmën e mostrave të jashtëqitjes, të mbledhura nga pacientët me koronavirus.

Përfundimi nga ekspertët mjekësorë është se pista gastrointestinale është një mënyrë tjetër e mundshme që njerëzit të infektohen dhe të transmetojnë sëmundjen.

Është një zbulim që ngjall shqetësime të mëdha për shëndetin publik në zonat me mungesë të infrastrukturës adekuate të ujërave të zeza dhe kanalizimeve.

Në Lancet, studiuesit konkludojnë se është e mundur që COVID-19 të përhapet përmes jashtëqitjeve të kontaminuara, në të njëjtën mënyrë që transmetohen edhe dizenteria dhe poliomeliti.

Megjithatë, ajo që nuk dihet është se sa kohë mbijeton koronavirusi në jashtëqitje.

Kjo është një çështje që studiuesit mjekësorë vetëm sa kanë filluar ta studiojnë./ REL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura