Koreografi izraelit, një shfaqje për pushtetin dhe lirinë

May 27, 2016 | 19:00
SHPËRNDAJE

Një vepër mbi pushtetin dhe mbijetesën, mbi lirinë dhe kompromisin. Cilësuar nga kritika si një “koreografi fantastike, me elementë teatralë surprizues dhe me humor… tërheqëse dhe e mbushur me hijeshi emocionale”, baleti “Monger” nga koreografi i njohur izraelito-amerikan Barak Marshall, do të ngjitet premierë në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit në Tiranë më 28 dhe 29 maj.

Balerinët e TKOB gjatë provave
Balerinët e TKOB gjatë provave

Vepra do të interpretohet nga balerinët e TKOB, me të cilët Marshall thotë se ka pasur një bashkëpunim mjaft të mirë. “Kjo vepër trajton çështje të pushtetit, të mbijetesës. Për këtë vepër unë jam frymëzuar nga historia e atdheut tim, Izraelit, por kjo nuk është vetëm historia jonë.

Baleti trajton çështje të lirisë dhe kompromisit, që të gjithëve na duhet të bëjmë për të mbijetuar”, thotë Marshall, i cili është përpjekur ta ndërthurë dramacitetin edhe me nota humori, si në fund të fundit është vetë jeta. Vetë ai, ndërkohë është duke shijuar qëndrimin në Tiranë.

“Gjatë ditëve të qëndrimit këtu, unë kam mësuar edhe disa fjalë shqip. Më pëlqen të mësoj gjuhën shqipe”. Ndërkaq, drejtori i TKOBAP, Ilir Kerni, shprehet entuziast për praninë e Marshall në institucionin që ai drejton.

“Është një atmosferë shumë e bukur, pozitive, energjike… në pritje të një shfaqjeje fantastike, që do të mund ta shikonit fare mirë, në çdo teatër prestigjioz europian”, thotë Kerni, i cili gjatë periudhës në krye të TKOABAP ka rikthyer në Tiranë artistë shqiptarë të suksesshëm në skenat botërore, si dhe ka bërë pjesë të repertorit të tij pjesë të koreografëve të shquar, që nga Preljocaj, Vamos, Marshall etj.

VEPRA

“Monger” e zhvendos historinë në bodrumin e një shtëpie, ku disa shërbyes janë izoluar nga zonja e tyre. “Zonja simbolizohet nga një zile që tingëllon, duke vënë në lëvizje balerinët”, shpjegon Barak Marshall.

Koreografi, Barak Marshall
Koreografi, Barak Marshall

E gjithë pjesa është ndërtuar mbi një ndërthurje stilesh muzikore, nga gipsy, te klasikja dhe ajo rok. Një kombinim i muzikës nga Balkan Beat Box, te Handel, Verdi, The Yiddish Radio Project, Tommy Dorsey, Terry Hall, Ray Noble, Goran Bregovic etj.

“Edhe për mua kjo koreografi është diçka e re. Jam i lumtur që e kam ndarë këtë eksperiencë me artistët shqiptarë. Ata janë balerinë shumë të mirë. Kemi punuar me shumë dëshirë dhe dashuri për baletin ‘Monger'”, është shprehur Marshall gjatë një konference për shtyp dhënë në TKOB.

Ndërsa në faqen e tij në Facebook, ai do të shkruante: “Jam i bekuar të punoj me kërcimtarë kaq frymëzues, të talentuar dhe të bukur në Teatrin e Operës në Tiranë”. E porositur nga Qendra “Suzanne Dellal”, ky balet me elementë të theksuar teatralë, është vënë për herë të parë në skenë në vitin 2008 e më pas duke hapur Festivalin Ndërkombëtar të Vallëzimit në Tel Aviv.

KOREOGRAFI

Me një jetë mes Tel Avivit dhe Los Angeles- it, Barak Marshall është djali i koreografes së njohur, yllit të Kompanisë së Baletit, Inbal, Margalit Oved. Ai nuk dëshironte të ndiqte rrugën e së ëmës dhe përfshirja e tij në të ishte thuajse “aksidentale”.

U bë pjesë e botës së baletit në vitin 1995, ai u dallua thuajse menjëherë si një nga zërat më unikë dhe inovativë në Izrael. Fitues i shumë çmimeve, ai do të tërhiqej nga skena në vitin 2001, për shkak të një dëmtimi të rëndë në këmbë.

I kthehet koreografisë pas 7 vjetësh me baletin “Monger”, si një porosi e Qendrës “Suzanne Dellal”, për të vijuar me të tjera krijime të suksesshme. Marshall ka krijuar koreografi edhe për kompani të ndryshme baleti në të gjithë botën, ku mund të përmendim Les Ballets Jazz de Montreal, Ballet Rambert, Cisne Negro, Bodytraffic dhe Ballet Junior de Genève.

Në 2012 ai mori një porosi nga Gustavo Dudamel dhe Filarmonia e Los Angeles-it për të krijuar një pjesë me muzikë nga John Adams për një mbrëmje gala. Që prej 2008- s krijimet e Barak Marshall janë prezantuar mbi 1000 herë në Izrael, Europë, Azi dhe Amerikën e Veriut, ku përfshihen performanca në Montepellier Danse, Sadler’s Wells, Maison de la Danse, Joyce Theater, Banff Centre, Holland Dance Festival, Sibiu Festival, Edinburgh Festival Theatre, Annenberg Center, White Bird, Place des Artes de Montreal, Dance Umbrella UK, Jacob’s Pillow, Switzerland’s STEPS Festival dhe Diana Vishneva Festival në Moskë.

Në vitin 2011 ai është vlerësuar me çmim të parë për punën e tij nga Fondacioni “Joyce”. Gjithashtu ai ka marrë çmimin “Lester Horton” për krijime koreografike të shkëlqyera dhe ka përfituar edhe një grant për një produksion të ri muzikor së bashku me Margalit Oved dhe Balkan Beat Box.

Barak Marshall njihet edhe si këngëtar, kryesisht i motiveve të Lindjes së Mesme dhe muzikës klasike. Ai ka interpretuar si solist me grupet “Yo-Yo Ma” dhe the “Silk Road Project”. Ka studiuar për Teori Sociale dhe Filozofi në Universitetin e Harvard-it.

“MONGER”

Koreograf: Barak Marshall
Asistentkoreograf: Yoav Grinberg
dhe Inbar Nemirovsky
Ndriçimi: Yacov Beresy
Kostumet: Elva Bella
Asistente në prova: Alisa GJoni,
Rovena Shqevi
Muzika: Collage-Taraf de Haidouk,
Balkan Beat Box, The Yiddish Radio
Project, Margalit Oved, Shye Ben
Tzur, Shandor, Handel, Verdi, Tommy
Dorsey, Terry Hall, Ray Noble, Goran Bregoviç
Përzgjedhja e muzikës: Giori Politi dhe Barak Marshall
Këshilltar teatral: Ariel Ashbel
Producent: Sigal Cohen
Foto: Gadi Dagon
Interpretojnë balerinët e TKOB:
Loreta Bala, Rovena Shqevi, Ledia
Sulaj, Amela Prifti, Livia Lara, Tea
Ajazi, Fjoralba Zere, Dion Gjinika,
Julind Dervishi, Besi Skura, Andi
Vrapi, Kristi Dalipi, Kristi Dushmani,
Anxhelo Muçollari, Erald Zela.
Shfaqja: 28 dhe 29 maj 2016, ora 20:00

ALMA MILE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura