Kongoli: Hysenili kritikonte Enver Hoxhën në ditarin e tij

Jun 29, 2011 | 11:34
SHPËRNDAJE
Shkrimtari Fatos Kongoli

Me zyrat e Hetuesisë Fatos Kongoli nuk do të ndahej vetëm me një takim. Ai u thirr sërish, ku iu desh t’u përgjigjej pyetjeve nga më të ndryshmet, që lidheshin me njohjen e tij me Hysenil Dumen, kolegun e shtëpisë botuese “Naim Frashëri”, të cilin e arrestuan në verën e vitit 1981. Në librin e tij “Iluzione në sirtar” Kongoli tregon pyetje-përgjigjet me hetuesit dhe dëshmitë e tij “pa peshë”. Por që renditeshin në listën e akuzave kundër Dumes. Ndër të tjera, del në dritë edhe një ditar i Hysenil Dumes, rënë në duar të Sigurimit e ku ai kritikonte Enver Hoxhën.

…vijon nga numri i kaluar

E shoh të nevojshme të shtjelloj deri në fund implikimin tim në çështjen “Hysenil Dume”, si njëri nga pjesëtarët e atij që në një mbledhje të kolektivit, organizuar nga Komiteti i Partisë i rajonit për “shtrëngimin e vidhave”, në vazhdën e sindromës së grupeve armiqësore, u cilësuan “grupi armiqësor në botime”. Pas thirrjes së parë nga V.M., tërë kohës rrija si mbi gjemba, në pritje të një thirrjeje të dytë. Tashmë, në shtëpinë botuese, pra edhe në kolektivin tim më të afërt, kolegët e redaksisë, nuk ishte ndonjë sekret që figuroja në listën e individëve të marrë në pyetje nga hetuesit. Atëherë, në mjediset e shtëpisë botuese u shfaq edhe një fytyrë tjetër e zezë, famëkeqi Dh.Sh, përgjithësisht, siç flitej, i paturpshëm, abuzues me detyrën, në rastin konkret ndaj një kolegeje, por që ia thyen hundën shpejt. U fol sikur kishin thirrur edhe të ndjerin Konstandin Leli e ky kishte pësuar një krizë të vërtetë nervore, kështu që hoqën dorë prej tij, nuk e thirrën më. Nga redaksia mbeta vetëm unë. Veçanërisht netëve kaloja çaste të rënda. Qarkulloi fjala sikur Hysenilit i kishin kapur një ditar me shënime komprometuese, ku ai shprehte mendimet dhe pakënaqësitë e veta, duke ngatërruar njëherazi disa kolegë. Nisur nga fakti që V.M. më kishte paralajmëruar se atje ku gjendej Hysenili fliste në veçanti edhe për mua, unë s’mund të mos mbaja parasysh këtë thashetheme, pavarësisht në ishte apo nuk ishte i vërtetë. M’u krijua një psikozë frike, nuk e pata në dorë të mos bija viktimë e saj. Ç’mund të kishte thënë për mua Hysenili?
Nën trysninë e kësaj psikoze truri im u vu në lëvizje. Për të mbrojtur veten duhej të nisesha nga varianti më i keq, të pranoja faktin se ai kishte folur për mua. Në këtë rast më duhej të kujtoja bisedat që kishim bërë, veçanërisht të natyrës së rrezikshme, për të cilat burgun e kishe të sigurt. Në atë pështjellim nuk më shkonte në mendje gjëja më elementare: nëse ata më kishin futur edhe në listat e tyre të arrestimeve, nuk do të kishin nevojë për thëniet e Hysenilit rreth meje. Së paku, hë për hë, unë nuk duhej të figuroja në ato lista. Mirëpo, nën trysninë e psikozës së frikës shihja më të keqen dhe, sado që e vrava mendjen, nuk më kujtohej të kishim hapur kurrë biseda të natyrës së rrezikshme, fjala vjen për “puçistët” në ushtri, thjesht sepse nuk kishte pasur të tilla. (Një nga akuzat më të rënda ndaj të arrestuarve ishte, siç flitej, veç të tjerash, marrja në mbrojtje e puçistëve). Praktikisht, megjithëse kolegë, në këtë pikëpamje marrëdhënia jonë, sado miqësore, kishte qenë e sipërfaqshme, nuk i kishte kaluar kurrë disa caqe. Mbetej një rreth tjetër bisedash, ato të profesionit. M’u kujtua për shembull, se vërtetë mes nesh qe folur për Dostojevskin. Në veçanti ky shkrimtar më magjepste dhe më vinte keq që ishte në listën e zezë të autorëve të ndaluar. As unë nuk e kisha përdorur ndonjëherë në biseda termin “listë e zezë”, as Hysenili, por, kur pohova në hetuesi, pak a shumë se sipas Hysenilit mosbotimi i Dostojevskit ishte gabim, V.M. e shënoi menjëherë si provë kundër të arrestuarit. Të kësaj natyre kanë qenë përgjithësisht edhe pohimet e mia të tjera. Tani, pas tridhjetë vjetësh të asaj ngjarjeje, kur më ka mbetur vetëm shija e hidhur e saj, s’jam në gjendje të rendis pyetjet e hetuesve dhe përgjigjet e mia. Më habiste fakti se si ata shënonin në dëm të të arrestuarit pohime nga më elementaret, të shprehura haptazi në rrethet letrare, deri në shtypin letrar. Fjala vjen, që letërsia jonë ishte skematike, e një niveli mediokër, temë kjo që zinte vend natyrshëm edhe në bisedat midis meje dhe Hysenilit, siç zinte vend edhe me kolegë të tjerë. Mirëpo, nga hetuesit kjo u konsiderua agjitacion-propagandë e pastër.
Më kujtohet një fakt vërtetë anekdotik, kur V.M. më pyeti nëse Hysenili më kishte folur për vajtjet e tij në Itali dhe ç’më kishte thënë. I tregova çka dija, pra që Hysenili më kishte folur për një motër të tij në Itali, tek e cila kishte vajtur për vizitë, e rrallë kjo për atë kohë. Gjatë kësaj vizite i qe krijuar mundësia të shihte rrënojat e qytetit të famshëm të lashtësisë, Pompeit, shkatërruar nga një shpërthim i vullkanit të Vezuvit. Veç të tjerash, atje i paskej lënë mbresa të pashlyeshme një pikturë e restauruar mbi një fragment muri. Në pikturë paraqitej një peshore, mbi njërën pjatë të së cilës gjendej rruzulli tokësor, mbi pjatën tjetër, për të mbajtur baraspeshën, një… penis!. Nuk e besoja se edhe kjo anekdotë do të merrej si një pohim rëndues në dëm të Hysenilit. Me kaq m’u krijua përshtypja sikur “hesapet” me Hetuesinë qenë mbyllur për mua dhe për ca kohë, deri në zhvillimin e gjyqit, do të më linin të qetë. Gabohesha! Dy apo tre javë më vonë, ndoshta një muaj, shefja e administratës së ndërmarrjes një pasdite më mori në telefon në shtëpi dhe më njoftoi se të nesërmen në mëngjes, në orën tetë, duhej të paraqitesha te Burgu që sot mban numrin 313. Atje të kërkoja hetuesin Dh.Sh Kërkesa për t’u paraqitur në Burgun 313 më shpartalloi. “Do të më rrasin brenda, mendova”. Pas një nate të tmerrshme pa gjumë, dola nga shtëpia ndaj të gdhirë. Fatmirësisht, aty rrotull nuk gjeta ndonjë lokal të hapur, ndryshe do të kisha pirë derisa të arrija një ekuilibër të brendshëm artificial, siç më ndodhte shpesh. Nuk më shkoi mendja për asnjë çast te një ballafaqim i mundshëm me Hysenilin. Unë as që e dija se ai ndodhej i mbyllur në birucat e Burgut 313.
Në orën tetë fiks, si u sorollata rrugëve për të shtyrë kohën, mbërrita para derës së madhe të hekurt të Burgut, e mbyllur kjo. Përbri saj, ca shkallë të ngjisnin te një derë e vogël, e hapur, po prej hekuri. Këmbët vetvetiu më çuan atje. Ishte një kthinë e ngushtë, në krye të së cilës hapej një sportel. Vajta te sporteli, thashë emrin, thashë gjithashtu se ndodhesha atje i thirrur nga hetuesi Dh.Sh Njeriu i sportelit më kërkoi të ulesha në anën tjetër të kthinës, ku gjendej një stol i gjatë. Vajta zura vend në stol. Dh. SH. m’u shfaq atje ku nuk e prisja, te hyrja e kthinës. Në përputhje me standardin e tyre: pas më se një ore.
Ai më përshëndeti me një pamje ku nuk lexova asgjë kërcënuese, asgjë të rrezikshme ndaj meje, madje me një lloj buzëqeshje. S’ia pata besën. Sapo kapërceva derën e madhe të hekurt dhe u futa për herë të parë në territorin e një burgu, mendimi se ndoshta nuk do të dilja më prej andej mori formë konkrete. Ai zuri të bëhej i ngulmët tek ecja pas hetuesit, kaluam nëpër tri apo më shumë dyer të ruajtura nga roja të armatosura, derisa një palë shkallë na çuan në “zyrën” e tij, diku në katet sipër.
Thirrjen nga hetuesi Dh.Sh në Burgun 313 e kam përshkruar te romani “Kufoma”. Përshkrimi në roman është autentik, nuk ka asgjë të sajuar, të shtuar apo të zmadhuar. Atë libër, botuar më 1994, e shkrova gjatë dy vjetëve, 1992-1993, kur mbresat e mia rreth asaj ngjarjeje, në veçanti hollësirat e ballafaqimit në Burgun 313, ishin ende shumë të gjalla në kujtesën time. Këtu dëshiroj të vë në dukje ndonjë aspekt, të anashkaluar në roman, për shkak se, doemos, u prira ndaj thelbit romanesk të ngjarjeve të personazheve, dhe jo atij dokumentar.
Nuk e pata të vështirë të vëreja se Dh.Sh ishte një tip i fryrë me veten. Në “zyrë”, ku kishte vetëm një dritare të vogël lart, zënë me shufra hekuri, ai më ftoi të ulesha te një karrige përballë tij, në anën e kundërt të një tryeze ku ndodhej një makinë shkrimi. Për një farë kohe, më tregoi se sa i aftë kishte qenë si hetues qysh në hapat e para të karrierës, ku ia kishte dalë të “zbërthente” një prift, i cili më vonë qe dënuar me vdekje. Pas kësaj mburracakërie, të cilën në libër e kam dhënë sipas rrëfimit të tij, duke dëshmuar një kompleks inferioriteti, Dh.Sh deshi të më tregonte gjithashtu se e njihte letërsinë, lexonte, ndërsa unë rrija si mbi gjemba, dëgjoja, pa mundur të bëja gjë tjetër, pallavrat e tij në pritje, të shihja ku do të dilte. Ai doli te ditari i përfolur i Hysenilit.
Ditari ishte një fletore e zakonshme nxënësish. Dh.Sh më lexoi një fragment ku Hysenili shkruante se Enver Hoxha i kishte humbur cilësitë e dikurshme dhe qe shndërruar në demagog. Më lexoi edhe ndonjë fragment tjetër, nuk më kujtohet çfarë. E shihja qartë, këto i bënte për të më impresionuar. Nuk mund të them që nuk u impresionova, megjithatë prisja të dilte tjetërkund, pra të lexonte fragmente të kësaj natyre, që mund të ishin komprometuese për mua. Të tilla nuk kishte, nuk mund të kishte, por Dh.Sh u orvat të më fuste në kurth në mënyrën më të trashë. Ai e la mënjanë fletoren, ndryshoi ton dhe më pyeti nëse konsideratën e shprehur në ditar për Enver Hoxhën ai ma kishte shprehur edhe mua. E mohova kategorikisht. I thashë vetëm se një herë Hysenili më qe mburrur se dikur, nxënës në Liceun e Korçës, ai e kishte pasur atë profesor. Pastaj hetuesi zuri të më drejtonte të njëjtat pyetje, të cilave u isha përgjigjur një herë dhe unë përsërita të njëjtat gjëra që i kisha pohuar më parë, i thirrur nga V.M.
vijon nesër…

 

FATOS KONGOLI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura