Konflikti për Cakajn/ Nano: Rama-Meta, armiq si kurrë më parë, kryeministri po humbet terren, dikush duhet t’i thotë se…

Jan 13, 2019 | 11:47
SHPËRNDAJE

Mustafa Nano, analist dhe drejtues i emisionit “Provokacija”, thekson se Rama-Meta jane sot armiq si kurrë më parë me njëri-tjetrin.

muc nano

Ne nje interviste per Mapo, ai analizon situaten me te fundit mes presidentit dhe kryeministrit, duke pohuar se Rama po humbet terren, nuk ka rrugë tjetër, veçse të tërhiqet.

Presidenti Ilir Meta me mosdekretimin e ministrit për Europën dhe Punët e Jashtme Genti Cakaj, të propozuar nga kryeministri Rama, ka rikthyer edhe një herë përplasjen Rama-Meta. Ajo që po ndodh është mbi “parimet” institucionale në ndarjen e pushteteve, (Presidencë-Qeveri), apo një konflikt i vjetër dhe i ri personal mes dy personazheve politike? 

Shikoni, ne i njohim mirë marrëdhëniet personale mes Edi Ramës e Ilir Metës, dhe këto marrëdhënie janë karakterizuar nga ulje e ngjitje, nga miqësia e armiqësia. Sot ato janë në pikën më të ulët. Ata të dy janë sot armiq si kurrë më parë me njëri-tjetrin. E prandaj, çdo vendim presidencial do ta vuajë komprometimin që i bën kjo rrethanë. Meta nuk mund të marrë vendime që janë të paafektueshme prej kësaj klime. Por edhe sikur të kishte fuqi të merrte vendime me logjikën më të virgjër të mundshme dhe me një disponim prej arbitri rigoroz, do të ishim ne të tjerët që do ta paragjykonim. Të njëjtën gjë mund të themi edhe lidhur me qëndrimet antipresidenciale të Ramës. Shkurt pra, përplasja Meta-Rama nuk ngrihet mbi “parime” institucionale. E nuk ka rëndësi kjo, do të thoja unë. Mund të kemi çdo lloj opinioni për vendimin e Metës, e prapëseprapë, ai mbetet një vendim presidencial, që duhet të respektohet. Genti Cakaj nuk mund të bëhet më ministër i jashtëm në këtë moment. Ndocave mund të mos u pëlqejë ky fakt, mund ta vlerësojnë vendimin si të gabuar, apo edhe të poshtër, mund të kenë edhe mendimin më të keq për Ilir Metën, por puna është që Presidenti e ka emrin Ilir Meta. Dhe pa ok-in e Presidentit askush nuk mund të bëhet ministër. Edhe unë, me që ra fjala, nuk e kam pëlqyer këtë vendim të Presidentit. Nuk kam parë asgjë të keqe te emërimi i Genti Cakajt në krye të diplomacisë shqiptare. Mund të ketë një problem te certifikata e tij e sigurisë, por ky është një problem procedural i kapërcyeshëm. Objeksionet e tjera, si mosha apo origjina krahinore, më duken të stisura. Dhe absurde. Siç është absurde, në fakt, edhe loja “patriotike” Edi Ramës. “Na fal Kosovë”, tha ai, pasi u mor vesh se Presidenti nuk do dekretonte Cakajn, a thua se ky i fundit ishte vullneti i Kosovës, thelbi i Kosovës, zemra e Kosovës, që u përbuz prej kreut të shtetit.

Si do e konsideronit refuzimin e kandidaturës së Cakajt nga ana e Metës dhe a mund të ketë paralelizëm me “precedentin Lleshaj” pak kohë më parë? Për rastin Cakaj duket se Meta deri më tani ka fituar më shumë terren për shkak të reagimeve pozitive që pati për mosdekretimin edhe nga një pjesë e politikës së Kosovës, por edhe në disa gjetje ku Cakaj kishte punuar pa certifikatë sigurie dhe ishte artikulues i tezës për “korrigjime kufijsh” në Ballkanin Perëndimor?

Po, është e vërtetë që Presidenti ka arsye procedurale për ta refuzuar Cakajn. Por e thashë pak më sipër, që janë yçkla procedurale, të cilat i merr parasysh kur ta ka qejfi e i shpërfill në rast të kundërt. Ose i kapërcen fët e fët, siç ndodhi me rastin “Lleshaj”. Nga ana tjetër është e vërtetë edhe që konsensusi kosovar anti Cakaj ka bërë punën e vet. Në mos tjetër, ky kor anti Cakaj në Prishtinë ka krijuar një klimë të caktuar, aq sa duket se të gjithë janë kundër kandidatit për ministër të jashtëm. Pa këtë kor, Meta nuk do guxonte të mos e dekretonte Cakajn. Dhe është kjo rrethanë që e bën rastin Cakaj të ndryshëm në thelb nga rasti Lleshaj.

Presidenti Meta po mundohet që të tregojë pjesën institucionale, por ditën e sotme (djeshme), debatet kanë kapërcyer nga një diskutim mbi parime morale e kushtetuese, në mirëfilltës politike, duke shtuar edhe më shumë zërat brenda mazhorancës për ta konsideruar Presidentin si “lider opozitar”. Kreu i shtetit në gjykimin tuaj po luan politikisht, apo po i përmbahet parimeve institucionale?

Nuk ka asnjë diskutim që Presidenti, ky President, luan politikisht. Kjo gjë dihej që në krye të herës, kur u zgjodh prej kësaj shumice. Ju kujtohet? Ai nuk u zgjodh si një njeri babaxhan, i shtruar, institucional, me prerje presidenciale. Ai u zgjodh me synimin për të hequr qafe një kundërshtar të rrezikshëm të Edi Ramës. Kështu që, lojërat politike të Ilir Metës në krye të Presidencës kanë qenë futur në preventiv prej atyre që e zgjodhën. E nëse ka një njeri që për këtë nuk ka gojë të ankohet, ky është vetë Edi Rama, i cili e orkestroi zgjedhjen e tij. Dhe vetë e votoi me qejf të madh. E për këtë arsye, ky i fundit do duhet “t’i vuajë” në heshtje vendimet presidenciale që nuk i pëlqejnë. Ishte ai që e nisi këtë konflikt të këtyre ditëve me fjalët “turp”, “skandal” etj., menjëherë pasi Meta bëri me dije refuzimin e kandidatit Cakaj për postin e ministrit të jashtëm. Pastaj, i tregoi Metës librat që nuk ka lexuar. Dhe kështu erdhëm te reagimi i Metës, në të cilin nuk kishte asgjë presidenciale. U duk se në këtë rast ai kish rikuperuar në masën 100% kryetarin e LSI-së gjatë fushatës së fundit elektorale. Sipas meje, kjo është një gjë e pafalshme. Kishim kohë, qysh prej periudhës 1992-1997, që nuk kishim parë të dilnin deklarata të tilla prej ndërtesës përballë Pallatit të Kongreseve.

Si mund të zgjidhet ky ngërç i krijuar. A mund të ketë një tërheqje të Ramës për rastin Cakaj duke dërguar një tjetër kandidaturë, apo do këmbëngulë në të përzgjedhurin e tij duke e mbajtur si zëvendësministër, por me atributet e ministrit? Nëse kjo ndodh, a mund të futet në lojë ministri në detyrë Ditmir Bushati, i shkarkuar nga Rama, por jo me dekret presidencial? E parë përtej çështjes konkrete për ministrin e ri, a ka një moment vështirësie të Ramës ku nga njëra anë ka problemin e madh të protestave studentore dhe në tjetrën hapi “frontin e ri” me presidentin?

Siç e thashë, rasti Cakaj, për mua, mund të quhet i mbyllur. Mund ta konsiderojmë të gabuar gjithë ditën vendimin e Presidentit, por ai duhet zbatuar. Asnjë ministër nuk mund të rrijë në zyrë pa bekimin e Presidentit. Në nenin 99 të Kushtetutës thuhet se “para fillimit të detyrës, ministri betohet para Presidentit të Republikës”. Kështu që askujt nuk duhet t’i shkojë në mendje ta mbajë Cakajn ministër me pahir. E them këtë, pasi dëgjova Ramën të thoshte se “më vjen keq që i ardhuri ynë nga Prishtina e ka nisur rrugëtimin e tij si ministër në pazakonshmëri”. Ai nuk ka nisur asnjë rrugë si ministër. Dhe ne nuk kemi pse të kemi një ministër “në pazakonshmëri”. Prandaj, Rama nuk ka rrugë tjetër, veçse të tërhiqet. Në këtë situatë do ishte me vend edhe një vendim i Cakajt për t’u tërhequr. Ky i fundit do ishte mirë ta bënte publike këtë tërheqje. Sa më shpejt. Mund të qëndrojë fare mirë si zv.ministër, por ndërkohë ne duam të dimë se cili do jetë ministri ynë i jashtëm. Rama duhet t’i japë zgjidhje këtij rebusi. Dhe zgjidhja nuk bëhet me logjikën se “do të bëhet kështu si them unë, Cakaj do të hyjë në zyrën e ministrit të Jashtëm”. Rama duhet të bindë veten se në këtë rast do të dalë fjala e Metës, dhe se kjo gjë nuk është ndonjë qamet i madh. Dhe besoj se kështu do të ndodhë. Ai nuk ka luksin “të bëjë si t’i teket” në këtë moment. Është shumë i izoluar. Është duke humbur terren në çdo pikëpamje. Ndoshta ai nuk e di këtë gjë. Ndonjëherë më duket in denial. Edhe qeverinë e re e bëri bash si një njeri in denial. Dhe kjo është shenjë e keqe. Ndonjë këshilltar duhet të bëhet i gjallë, dhe të marrë guximin t’i japë ndonjë këshillë. Unë vetë, sikur të isha në rrethin i tij, do tentoja t’i jepja ndonjë të shkundur, duke i thënë: “Hej amigo, Shqipëria po ndryshon; hiqe nga mendja se mund të bësh ç’të duash në këtë vend; hiqe nga mendja se mund ta drejtosh këtë vend me një tufë njerëzish me IQ të ulët që të vijnë pas avazit”. Dhe për sa i takon përplasjes me Presidentin, do t’i thoja: “Merre shtruar, nuk ka ndodhur asgjë e jashtëzakonshme; refuzimi presidencial i një ministri është pjesë e lojës kushtetuese në këtë vend”.

MAPO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura