Konferencë shkencore te “Luarasi”, Ruka: Mision kërkimi, jo vetëm leksionet

May 9, 2019 | 9:40
SHPËRNDAJE

Universiteti “Luarasi” vijon të mbajë gjallë debatin në fushën e shkencës.

ruka

Këtë e dëshmoi dhe dje përmes konferencës së VIII shkencore ndërkombëtare, me temë “Politikat e integruara në kërkim dhe inovacion”, me praninë e personaliteteve të shquara ndërkombëtare e vendase. Duke pasur parasysh zhvillimet e Shqipërisë në këtë periudhë plot me sfida, universiteti rroket të bëjë pjesën që i takon, thellimin e kërkimit shkencor.

Paneli kryesor i diskutimeve, dje në konferencën te “Luarasi”
Paneli kryesor i diskutimeve, dje në konferencën te “Luarasi”

Ky është edhe misioni që ka marrë përsipër “Luarasi”, i certifikuar tashmë si një ndër institucionet më të mira në arsimin e lartë në vend. “Universitetet nuk kanë mision vetëm të mbajnë leksione, por një nga dimensionet kryesore të arsimit të lartë është edhe kërkimi shkencor. Ne jemi të përkushtuar që kërkimit shkencor t’i hapim rrugë, ta zhvillojmë, thellojmë, në mënyrë që të rrisim kualitetin e universitetit tonë në raport, pse jo, edhe me universitetet e tjera. “Luarasi” sot është një ndër katër universitetet më të mira të Shqipërisë, i akredituar me gjashtë vite. Një universitet që njeh vetëm rritje”, deklaroi rektori i universitetit, prof. dr. Ethem Ruka, në fjalën hapëse të konferencës, duke ndarë me të pranishmit shifrat që faktojnë cilësinë e “Luarasi”.

KËRKIMI SHKENCOR

Dekanët e fakultetit të Ekonomisë dhe Juridikut, bashkëpunëtorë të hershëm të universitetit “Luarasi”, dhanë mendimin e tyre si ekspertë të dy fushave, se si një veprimtari e mirëfilltë shkencore në Drejtësi dhe Ekonomia mund të kontribuojnë për vendin. Për dekanin, prof. dr. Artan Hoxha, pjesëmarrja e universiteteve në projektimin dhe realizimin e politikave të zhvillimit të vendit garanton strategji afatgjata eficiente. “Mendoj që bota akademike, universiteti ‘Luarasi’ në veçanti, po jep kontributin e vet në zhvillimin e vendit. Vëmendja e qeverive të Shqipërisë po kthehet më shumë nga ne sepse po shikojnë që kemi potencial që mund t’u shërbejë politikave të zhvillimit dhe së bashku mund ta çojmë Shqipërinë më përpara”.

Sipas prof. dr. Dhori Kules, bashkëpunimi, në kuadrin e integrimit të të gjithë institucioneve, është fuqia që prodhon rezultate pozitive. “Fakulteti i Ekonomisë, por edhe të tjera në Universitetin e Tiranës në bashkëpunim me universitetin ‘Luarasi’, këtë traditë tashmë e ka konsoliduar në shumë fusha për programe, këmbim eksperiencash, pedagogësh e të tjera. Konferenca e sotme, në kuadrin e detyrimeve që bota akademike ka në misionin e vet dhe ndaj shoqërisë në përgjithësi, në vlerësimin tim është e fokusuar saktë në atë që legjislacioni shqiptar dhe nevoja parashikon në botën akademike”.

INOVACIONI

Avokatja e Popullit, Erinda Ballanca, vlerësoi përpjekjet që bota akademike në përgjithësi, e veçanërisht universiteti “Luarasi”, po bën për të kryer hulumtime. “Ne jemi më shumë përfitues të inovacionit sesa kontribuues në inovacion. Jemi vend i vogël, por përpjekja e universiteteve si ‘Luarasi’ dhe e të gjitha IALve për të kryer hulumtime sa më të qenësishme edhe për gjëra e problematika të vogla që mund të çojnë tek inovacioni, duhet të vlerësohen dhe të shërbejnë si model pozitiv. Për këtë përgëzoj rektorin Ruka, sepse e di që kjo është një nga ato beteja që e ai e ka çuar përpara dhe nuk kërkon pak punë”. Gjithsesi, sipas avokates, Shqipëria ka nevojë të hapet ndaj inovacionit dhe jo të ngelet thjesht në kuadrin e një përfitueseje. Për këtë, qeveria duhet të nxisë institucionet e kërkimit shkencor siç janë universitetet që ta zhvillojnë sa më shumë hulumtimin, këtë gjymtyrë të tyren, prej së cilës të shpresohet në nxjerrjen e një minerali të rrallë, të inovacionit të prodhimit shqiptar. Për disa orë, përmes tri paneleve kryesore u trajtuan çështje të rëndësishme me impakt në shoqëri. Në fund të konferencës, “Luarasi” merr përsipër që të gjitha t’i përmbledhë në një botim të veçantë apo në formën e një periodiku shkencor, në mënyrë që pasuria e këtij universiteti në fushën e kërkimit shkencor të dokumentohet dhe të bëhet e njohur edhe për institucionet e tjera.

Ambasadori kinez: Konferenca, promotore në përparimin e vendit

Ambasadori i Republikës Popullore të Kinës, dje gjatë referimit
Ambasadori i Republikës Popullore
të Kinës, dje gjatë referimit

Përfaqësuesit diplomatikë të dy vendeve mike të Shqipërisë, Kina dhe Rumania, treguan edhe dje miqësinë e tyre, duke përkrahur konferencën shkencore me pjesëmarrjen dhe zërin e tyre. Për ambasadorin e Republikës Popullore të Kinës, z. Zhou Ding, organizime të këtij niveli shkencor janë promotor i ideve sesi vendi mund të përparojë. “‘Luarasi’ është një ndër universitetet lider në Shqipëri, është një nder për mua të jem sot këtu. Mendoj se Shqipëria është një vend me potenciale të mëdha dhe ka mundësinë për më shumë prosperitet dhe zhvillim ekonomik. Kjo konferencë do të sjellë më shumë ide sesi Shqipëria mund të shkojë përpara. Si ambasadori dhe mik i Shqipërisë, jam shumë optimist për të ardhmen e këtij vendi”. Për ambasadorin Ding, infrastruktura, energjia, turizmi dhe edukimi janë disa nga fushat potenciale ku Republika Popullore e Kinës mund të punojë me Shqipërinë. Pikëpamje të ngjashme ndan me të ambasadori rumun, z Mircea Perpelea, gjithashtu i pranishëm në konferencën e “Luarasi”. Sipas tij, investimi te njerëzit dhe ofrimi i aksesit në shëndetësi dhe arsim cilësor janë dy nga pikat kyçe për zhvillimin e një vendi. “Është një kënaqësi për mua të jem në ‘Luarasi’, pasi këtu ndihem si në shtëpi. Viti 2019 është një vit i ndryshimeve të mëdha, por dhe i vazhdimësisë. Agjencia europiane ka shume sfida dhe ne duhet të përgjigjemi me kohezion dhe solidaritet. Për më tepër, ne duhet të investojmë te njerëzit për t’u bërë më kompetitivë, t’u mundësojmë njerëzve akses në shëndetësi cilësore dhe arsim”.

Profesori italian: Bashkëpunim për inovacionin

Profesori italian, Dammacco
Profesori italian, Dammacco

Pjesë e konferencës, mik i hershëm i universitetit, profesori i universitetit të “Aldo Moro” në Bari, Gaetano Dammaço, u shpreh i gatshëm për të vijuar punën e përbashkët me “Luarasin” për inovacionin. “Jam këtu si përfaqësues i universitetit ‘Aldo Moro’, duke përçuar përgëzimet e tij për këtë konferencë dhe për të konfirmuar vullnetin për të bashkëpunuar me ‘Luarasi’. Inovacioni është instrumenti që shoqëritë moderne kanë për t’u rritur, zhvilluar, por si çdo gjë tjetër inovacioni nuk mund të bëhet vetvetiu, kërkon shumë punë, kapacitete të mëdha dhe mbi të gjitha kosto. Kjo është një sfidë dhe njëherësh detyrim për të gjitha universitetet, veçanërisht ato cilësore. Mbi këtë duhet të bashkojmë duart për aleanca. Bashkëpunimi nuk është midis universiteteve të shteteve të ndryshme, por në një nivel më të gjerë, atë të sistemeve. Sfida e së ardhmes është të bëjmë një pakt për inovacionin, duke përdorur rezultatet e kërkimit për të zhvilluar sistemin. Mendoj se kjo konferencë shërben për të punuar së bashku në këtë drejtim. Unë do të jap kontributin tim duke bashkëpunuar me universitetet shqiptare dhe veçanërisht me universitetin ‘Luarasi’”. Profesori italian ka vizituar disa herë universitetin, duke u bërë promotor i marrëveshjes së lidhur midis universitetit “Luarasi” dhe “Aldo Moro” në Bari të Italisë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura