Kokaina e Xibrakës, Gjykata e Lartë lë në burg nipin e Enverit

Apr 27, 2015 | 11:18
SHPËRNDAJE

Gjykata e Lartë lë në burg Ermal Hoxhën, nipin e ish-diktatorit, Enver Hoxha, i arrestuar gjatë aksionit antidrogë që zbuloi laboratorin e kokainës në Xibrakë të Elbasanit, në janar të këtij viti. 

Ermal Hoxha/ Pamje nga laboratori i Xibrakes

Rekursi i bërë nga i akuzuari për trafikim narkotikësh në bashkëpunim është shqyrtuar në Dhomë Këshillimi nga ana e Gjykatës së Lartë. Pas shqyrtimit të ankimit është vendosur të refuzohet dhe të mos kalohet fare në seancë gjyqësore kërkesa e Ermal Hoxhës për heqjen e masës “arrest me burg” ndaj tij.

Kjo do të thotë se Gjykata e Lartë ka lënë në fuqi si të bazuar në ligj dhe në prova, masën e caktuar nga Apeli i Krimeve të Rënda ndaj Ermal Hoxhës, nipit të ish-diktatorit, Enver Hoxha.

I arrestuari nga operacioni “Xibraka”, sipas diapozitivit të çështjes të publikuar nga Gjykata e Lartë, bëri rekurs në këtë institucion në datën 24 shkurt 2015. Pas shqyrtimit të çështjes në Dhomë Këshillimi është vendosur moskalimi i dosjes në seancë plenare, çka do të thotë se Gjykata e Lartë e ka ezauruar vendimmarrjen e saj në këtë çështje, e cila ka marrë numër vendimi: 00-2015-638. Nga ana tjetër, duket se të arrestuarit Ermal Hoxha i ka mbetur vetëm një mundësi tjetër gjyqësore, ajo e drejtimit në Gjykatën Kushtetuese.

Kjo gjykatë, ndërkohë nuk shqyrton provat apo dëshmitë, por vetëm rastet e atakimit apo shkeljes së Kushtetutës. Më 6 shkurt 2015, Gjykata e Apelit për Krime të Rënda la në fuqi vendimin e dhënë nga Shkalla e Parë, për caktimin e masës së sigurisë “arrest me burg” ndaj Ermal Hoxhës.

Ky i fundit u arrestua më 14 janar 2015, gjatë aksionit antidrogë “Xibraka”, në të cilin ranë në pranga edhe shtatë shtetas shqiptarë e dy kolumbianë. Ermal Hoxha akuzohej nga Prokuroria pikërisht se kishte shërbyer si taksist i “kimistëve” kolumbianë që ishin punësuar në laboratorin e Xibrakës. Ermal Hoxha mësohet se i ka lëvizur dy kolumbianët me makinën e tij disa herë nga Tirana për në Elbasan dhe anasjellas.

Nga ana tjetër, hetimet kanë zbuluar se Ermal Hoxha kishte lidhje të ngushta shoqërore me shtetasin Genci Xhixha, me qëndrim në Kubë, i dyshuar si financues i trafikut të kokainës. Nipi i diktatorit, sipas Prokurorisë, ka tërhequr disa herë shuma parash të nisura drejt Shqipërisë nga Genci Xhixha.

Avokatët e Ermal Hoxhës kanë kundërshtuar akuzat e Prokurorisë ndaj klientit të tyre, duke pretenduar se ai është i pafajshëm. Sipas avokatëve, klienti i tyre i ka lëvizur në disa raste shtetasit kolumbianë si taksist pa e ditur kush ishin ata dhe ku shkonin. a.b

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura