Koha për kompromisin e shumëkërkuar

Feb 26, 2020 | 9:57
SHPËRNDAJE

HALIL RAMA halil rama

Katër vjet më parë, Heroi i Popullit dhe Nderi i Kombit, Rrahman Parllaku, në emër të Organizatës së Bashkuar të Veteranëve të Luftës Nacionalçlirimtare të Popullit Shqiptar (OBVL) u drejtoi një promemorie krerëve më të lartë të shtetit (ish-Presidentit të RSH, Bujar Nishani, ish-kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta, dhe Kryeministrit Edi Rama, si dhe kryetarëve të partive parlamentare, ku argumentonte domosdoshmërinë e unifikimit të qëndrimeve në funksion të integrimit euroatlantik të vendit. Apeli i gjeneralit legjendë bëhej në një kohë kur klima politike në vend ishte tejet e tensionuar.

“Në moshën time të thyer, 97-vjeçare, përballë revanshit të nostalgjikëve të diktaturës komuniste dhe ekstremistëve pa fre të të dyja palëve, e ndjej si obligim t’ju bëj thirrje, që t’i riktheheni arsyes së shëndoshë, për të realizuar PAJTIMIN KOMBËTAR, aq shumë të dëshiruar nga shqiptarët e të gjitha kohërave”, shkruante gjeneral Parllaku në promemorien e tij para katër vitesh.

Kryesia e OBVL konkludon se kjo promemorie është në koherencë të plotë me aktualitetin e sotëm, kur klasa politike, si në Shqipëri edhe në Kosovë është në qëndrime ekstreme dhe tejet konfliktuale. Ajo e konsideron të palejueshme këtë situatë, kur para këtyre sulmeve e insinuatave të ndërsjella, krerët e shtetit dhe të institucioneve duhet të merren me hallet e popullit, punësimin, rimëkëmbjen e ekonomisë, luftën kundër krimit, drogës e korrupsionit.

Me këto qëndrime, politika shqiptare dhe ajo kosovare jep shembullin më të keq edhe për bashkëkombësit tanë në Maqedoni, Serbi e Mal të Zi. Ndasia vetëm dëm i sjell kombit dhe çështjes sonë kombëtare.

Për këtë arsye, OBVL ju bën thirrje të heqin dorë nga kjo gjueti shtrigash ndaj njëritjetrit, si reflektim ndaj ndërgjegjësimit e pasqyrimit real të shqetësimit jetik të shoqërisë së sotme shqiptare, për t’iu larguar krimit e urrejtjes ndaj njëri-tjetrit.

Është koha kur krerët aktualë të dy shteteve tona (Shqipëri dhe Kosovë) mund dhe duhet të ndikojnë për Pajtimin Kombëtar, në një kohë kur grindjet, shpifjet, sharjet, sherret e sherrnajat po kthehen në institucion, edhe mes tyre, në institucione publike e në debate televizive, si dhe brenda sallave të dy parlamenteve. Këtë domosdoshmëri e dikton edhe përvoja e vendeve më të zhvilluara perëndimore, të cilat në themel të zhvillimeve të vrullshme kanë pasur dhe kanë bashkëpunimin mes palëve. Veçanërisht shembulli i Gjermanisë, nga e cila i kemi varur shpresat për çeljen e negociatave ia imponon klasës sonë politike kompromisin e shumëkërkuar, i cili në themel duhet të ketë bashkëpunimi mes pozitës dhe opozitës për të përmbushur kërkesat e Bundestagut gjerman, sidomos realizimin e Reformës zgjedhore sipas rekomandimeve të OSBE/ ODHIR-it.

Duke e vlerësuar këtë situatë në kontekstin historik, OBVL-ja u bën thirrje krerëve aktualë të shtetit dhe të maxhorancës e opozitës që të ulen në tryezë për të arritur kompromisin historik aq të domosdoshëm që të konsistojë në unifikimin e qëndrimeve për të përmbushur detyrimet për çeljen e negociatave me Bashkimin Europian. Për këtë vendimmarrje historike le t’iu referohen kuvendeve historike mbarëkombëtare, që nga Lidhja e Lezhës që i bashkoi shqiptarët rreth heroit kombëtar, Skënderbeut, Lidhja e Prizrenit që ndikoi në bashkimin e shqiptarëve për mbrojtjen e çështjes kombëtare, jo vetëm ndaj fqinjëve grabitqarë, por edhe para Europës e deri te Konferenca e Pezës që bashkoi shqiptarët pa dallim feje, krahine e ideje në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare. Ashtu siç veteranët e LANÇ bënë atë Luftë të lavdishme, duke e bërë Shqipërinë pjesë të Aleancës së fuqishme Antifashiste të Popujve të drejtuar nga SHBA, Anglia e ish-BS, është koha që edhe krerët e shtetit, të qeverisë e politikës shqiptare të realizojnë PAJTIMIN KOMBËTAR, i cili kurrsesi nuk mund të arrihet pa realizuar kërkesat e ndërkombëtarëve.

*Sekretar i Përgjithshëm i OBVL-së

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura