Kodet, zbardhen përgjimet e drogës

May 10, 2014 | 10:38
SHPËRNDAJE

Gjykata e Tiranës
“Panorama” zbardh përgjimet telefonike të të arrestuarve nga operacioni policor “Merry Christmas 2”, operacion që prangosi edhe shefin e antidrogës në Policinë e Fierit, Dritan Zagani.

Mes dhjetëra bisedash të përgjuara të anëtarëve të dyshuar të grupit, gjenden bisedat e koduara mes tyre. Sipas Prokurorisë, të dyshuarit tregoheshin të kujdesshëm që të mos përmendnin lëndën narkotike gjatë komunikimeve telefonike. Kështu, referuar përgjimeve, të siguruara nga gazeta, lënda narkotike zëvendësohej me terma të tjerë. Në një rast droga është përmendur si një “shok”, që nuk ka ku të flejë.

Në një rast tjetër, një prej të arrestuarve, teksa ka konstatuar një pako të drogës të grisur, ka pyetur të dyshuarin tjetër në telefon “A kishe ndonjë palë xhinse të grisura?”. Po për të shmangur përmendjen e lëndës narkotike, në një rast i dyshuari Jorgo Naçi pyet të dyshuarin A. A. “sa kubikë ishte makina?”, duke iu referuar sasisë së drogës. Hetimet ndaj këtij grupi të trafikut të lëndëve narkotike nisën në nëntor të vitit 2013.

Përgjimet telefonike për llogari të hetimit të një punonjësi të Bashkisë Vlorë të dyshuar për korrupsion zbuluan të dhëna të rëndësishme në lidhje me një veprimtari kriminale të trafikimit të lëndëve narkotike nga Lazarati drejt Italisë. I njëjti hetim ngriti dyshime dhe për përfshirjen e një zyrtari të Policisë së Fierit në këtë linjë trafiku. Fillimisht policia sekuestroi një sasi prej 910 kg hashash, që u braktis në zonën e Hidrovorit.

Hetimet e mëtejshme çuan në identifikimin dhe më pas arrestimin më 3 maj të të dyshuarve Agur Malaj, Sajmir Shosha, Edison Latifi, Niko Brahimi, Jorgo Naçi dhe shefi i antidrogës së Fierit, Dritan Zagani. Ndaj tyre Gjykata për Krimet e Rënda dha masën e sigurisë “arrest në burg”.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura