Kodet ekonomike dhe adresat, bizneset afat deri më 10 mars

Feb 27, 2015 | 12:45
SHPËRNDAJE

Bizneset kanë afat deri më datë 10 mars që të rifreskojnë të dhënat e nevojshme që lidhen me kodet ekonomike dhe adresat kryesore dhe sekondare të aktivitetit të tyre.

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve bëri me dije dje përmes një njoftimi për shtyrjen e afatit të mëparshëm që ishte data 1 mars, kjo pasi ka një dyndje në aplikime.

“Për arsye të fluksit të madh të aplikimeve, afati përfundimtar për përditësimin e adresave kryesore dhe sekondare të bizneseve si dhe përditësimin e kodeve ekonomike pranë Qendrës Kombëtare të Regjistrimit (QKR) shtyhet deri në datën 10 mars 2015”, thuhet në njoftimin e Tatimeve.

Për të kryer procedurat, bizneset duhet që të paraqiten pranë Qendrës Kombëtare të Regjistrimit dhe të bëjnë aty aplikimin për rifreskimin e të dhënave që vjen si detyrim nga ligji “Për procedurat tatimore”. Aplikimi bëhet si për kodet ekonomike, ashtu edhe për adresat. Ky detyrim duhet plotësuar brenda afatit të vendosur nga ana e institucioneve dhe që në këtë rast është data 10 mars. Për të gjithë ata që nuk respektojnë këtë kërkesë, ligji parashikon edhe sanksione.

Kështu, në rast se organet tatimore konstatojnë se tatimpaguesit nuk respektojnë kërkesat lidhur me përditësimin e të dhënave, ligji i dënon ata me gjobë 10 000 lekë për biznesin e vogël dhe 15 000 lekë për tatimpaguesit e regjistruar si subjekte të tatimit mbi fitimin.

Po kështu, në rast se administrata tatimore konstaton se subjekti ushtron aktivitet në adresë të padeklaruar, atëherë merret masë deri në konfiskim të mallit. Rakordimi i të dhënave të deklaruara pranë Qendrës Kombëtare të Regjistrimit bëhet me Tatimet çka u jep mundë- si këtyre të dytave që të ushtrojnë kontrollet e tyre në bazë të hapësirave që lejon ligji.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura