Klosi prezanton 6 prioritetet e Ministrisë së Mirëqenies Sociale: Arsimi profesional, prioritet për punësimin

Jul 6, 2015 | 15:12
SHPËRNDAJE

Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi ka prezantuar sot prioritetet, sfidat dhe angazhimet e mëtejshme që do të ketë ky institucion nën drejtimin e tij.

Blendi Klosi, ministër i Mirëqenies Sociale

Klosi ka renditur në prezantimin e tij 6 prioritete kryesore që përfshijnë çështje si puna, mbrojtja sociale, sigurimet shoqërore, përfshirja sociale, rinia dhe reforma institucionale-territoriale dhe që ka lidhje direkt me përshtatjen e shërbimeve sociale me ndarjen e re territoriale.

“Ne duhet të jemi shërbëtorë të drejtpërdrejtë të biznesit”, – tha Klosi në fjalën e tij. Më tej ai ka theksuar se për të realizuar programin qeveritar për punësimin është e domosdoshme që arsimi profesional të marrë mbështetjen e duhur, në mënyrë që ai të ofrojë një mundësi më shumë për çdo të ri që kërkon një zanat dhe një punë të sigurt.

“Por objektivi im kryesor në një nga ato çfarë do mund të bëj dhe që do jetë objektivi kryesor i punës sime është: të rikthejmë arsimin profesional nga një sistem ku nxënësit shkojnë me një mundësi më pak, në një sistem ku nxënësit shkojnë për një aftësi më shumë”, – tha Klosi.

Duke u ndalur te një pikë tjetër e prioriteteve të tij, Klosi ka vlerësuar punën e bërë deri më tani duke targetuar mbrojtjen sociale te grupet apo individët që kanë realisht nevojë për të, por ka theksuar se është e nevojshme që sistemi i mbrojtjes sociale duhet të kthehet në një sistem të integrimit në punë të atyre që janë sot në nevojë.

 “Duhet padyshim që të futemi në një sistem të ri, ajo që është mirë le të vazhdojë, por kthimin e sistemit të mbrojtjes sociale nga një sistem të mbrojtjes ekonomike në një sistem të integrimit nëpërmjet punës”, – tha Klosi.

Një tjetër prioritet i punës së tij si ministër do jetë edhe puna me sigurimet shoqërore, për të cilat tha se reforma e nisur duhet të vijojë më tej për ta shëndoshur sistemin edhe me burime skema dytësore kontributesh.

“Rritja e transparencës do të jetë objektivi ynë i madh dhe rritja e kontributeve me skemat dytësore apo kontribute alternative do të jetë një nga prioritetet tona të mëdha, – u shpreh ministri Klosi.

Ai gjithashtu tha se për të gjitha këto probleme është hartuar një matricë, e cila përllogarit të gjitha detyrat për çdo sektor dhe drejtori, kohën dhe aktorët me të cilët duhet të bashkëpunohet për zgjidhjen e tyre.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura