Klinton, Nishanit: Politika, dialog për reformat e integrimit

Nov 1, 2012 | 14:11
SHPËRNDAJE

TIRANE- Presidenca ka zbardhur takimin e sotem te Presidentit, Bujar Nishani dhe Sekretares Amerikane të Shtetit, Hillari klinton, e cila ndodhet për një vizitë zyrtare në Tiranë në kuadër të 100-vjetorit të Pavarësisë.

Kreu i Shtetit e cilësoi vizitën e kryediplomates amerikane si një ngjarje të madhe që përkonme një jubile historik për kombin shqiptar, siç është 100-vjetori i themelimit të shtetit shqiptar dhe shprehu mirënjohjen e thellë për rolin që Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë luajtur që nga krijimi i tij dhe në ditët e sotme.

Duke i cilësuar marrëdhëniet mes dy vendeve si të shkëlqyera, Presidenti Nishani e falenderoi Sekretaren Amerikane për lidershipin e saj dhe u shpreh se shqiptarët shohin te Shtetet e Bashkuara të Amerikës një aleat dhe partner të pazëvendësueshëm.

Mbështetja për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe ndihma e pakursyer që administrata amerikane i ka dhënë dhe po i jep Shqipërisë dhe kombit shqiptar u konsiderua nga Presidenti Nishani si tregues i partneritetit të ngushtë mes dy vendeve dhe një inkurajim për të vazhduar kursin e nisur të reformave dhe procesin e integrimit evropian të vendit.

Presidenti i Republikës në emër të popullit shqiptar i shprehu Sekretares Amerikane të Shtetit ndjenjën e solidaritetit me popullin amerikan për fatkeqësinë natyrore që goditi ditët e fundit bregun lindor të Shteteve të Bashkuara dhe viktimat që shkaktoi stuhia e fuqishme Sandy .

Nga ana e saj, Sekretarja Amerikane e Shtetit, shprehu kënaqësinë që vizitoi Tiranën në këtë moment historik.

Ajo çmoi ndjenjat e larta të miqësisë që populli shqiptar dhe ai amerikan kanë ndarë në momentet kyçe të historisë së tyre dhe e garantoi Presidentin Nishani se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qenë, janë dhe do të mbeten partneri dhe aleati më i mirë për Shqipërinë dhe kombin shqiptar.

Sekretarja Klinton vlerësoi progresin e arritur në Shqipëri duke kërkuar që klasa politike shqiptare të vijojë bashkëpunimin dhe dialogun për përmbushjen e reformave për integrimin e vendit dhe anëtarësimin e plotë në Bashkimin Evropian.

Në këtë kuadër, Sekretarja Amerikane e Shtetit kërkoi nga Presidenti i Republikës që të shfrytëzojë autoritetin e tij kushtetues për të mbështetur përshpejtimin e procesit të reformave.

Të dy bashkëbiseduesit ndanë të njëjtin mendim se Shqipëria ka qenë dhe vazhdon të mbetet një faktor shumë i rëndësishëm në paqen dhe stabilitetin e rajonit dhe se ajo do të vazhdojë të ndjekë politikën e fqinjësisë së mirë, bashkëpunimit dhe dialogut me qëllim, integrimin e përbashkët të vendeve të rajonit në familjen evropiane.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura