“Këta janë parti-shtet, kanë kapur biznesin dhe krimin”/ Analisti për sulmin ndaj “Prestige Resort”: S’kemi dalë nga diktatura! Ja pse Rama s’ka frikë të ndërmarrë akte të tilla

Mar 22, 2023 | 16:14
SHPËRNDAJE

Analisti Arjon Sulo shprehet se kryeministri Edi Rama nuk ka frikë të ndërmarrë akte të tilla si sulmi ndaj “Prestige Resort”, pasi sipas tij, kreu i qeverisë i ka në dorë bizneset dhe oligarkët.

Në një intervistë për “Panorama TV”, Sulo shprehet se akte të tilla ku tentohet t’i mbyllet goja mediave përmes presionit, atëherë tregon se ende nuk kemi dalë nga diktatura.

Sulo: Janë tërë ditën duke i bërë fresk qeverisë. Kemi media të pavarura dhe janë në vështirësi. Mediat nuk reagojnë se kanë frikë se mos u shkon njësoj. Rasti i Ora News dhe ABC. Shoqëria shqiptare ka pranuar fenomenin e fitores të së keqes, pranimit të paligjshmërisë. Për varfërinë, për historinë që kemi pasur. Janë të tjera shkaqe, por sot e kemi pranuar. Presim në zgjedhje se aty shprehet opinioni i qytetarëve shqiptarë.

Pyetje: Sa e dëmton imazhin e Shqipërisë, pamje të tilla?

Sulo: Pyetja është me vend, por në një shtet që duhet të kishte interes për investimet e huaja. Klima e biznesit është në përkeqësim. Çfarë presim ne që kjo qeveri të përllogarisë përkeqësimin e biznesit?

Tek ne nuk funksionon as parlamenti, për llogaridhënien e qeverisë, as institucionet e pavarura, prokuroria, gjykatat, Presidenca. Këto janë parti-shtet. Kanë rënë të tëra. Rama e ka pushtetin e plotë. Për çfarë klime biznesi mund të flasim në këtë situatë?

Nëse kemi kullat në Tiranë që vetëm shtrenjtohen dhe apartamentet janë bosh? Ato blihen, por nuk e dimë kush i blen. Ramës nuk i duhen investitorët e huaj. Kostot do i paguajnë shqiptarët.

Pyetje: Do ketë kosto politike? Nga i buron kjo siguri e kryeministrit për të ndërmarrë akte?

Sulo: Deri tani jo. Duhet të pranojmë që ngjarjet, bota dhe jeta nuk evolon nëse kjo situatë do vazhdojë përjetësisht. Kjo situatë nuk do zgjasë shumë, por nuk dihet se sa. Ne s’kemi dalë akoma nga diktatura, nga shkatërrimi i shqiptarëve. Për mua nuk ka frikë kryeministri. Nëse një shtet normal do ndërtohej mbi demokracinë funksionale të shqiptarëve, kjo nuk ndodh. Zgjedhjet që janë prova ku ti merr atë ç’ka ke bërë, në rastin konkret këtu nuk funksionon. Rama i ka kapur ato, i ka kapur me krim, me para, me biznesmenë. Oligarkët e fuqishëm i ka kapur, duke i kërkuar që ta mbajnë në pushtet. Edhe krimin. Pse nuk preken kokat e krimit? Krimi, biznesi dhe media, këto janë armët që përdor Rama dhe nuk ka frikë të ndërmarrë akte të tilla.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura