“KESH e dinte prej 10 ditësh për sasinë e reshjeve, mund të shmangej përmbytja e blerja”- Bozdo: Vetëm të dielën hodhëm në kosh 3 mln euro energji elektrike

Nov 22, 2022 | 14:31
SHPËRNDAJE

MARIGLEN KUME/ Ndryshe nga Kryeministri Rama, i cili deklaroi dje se sasia e reshjeve të shiut kishte dalë jashtë parashikimeve, ish-zëvendësministri i Energjetikës së qeverisë së PD-së pretendon se Korporata Elektroenergjetike Shqiptare e dinte prej 10 ditësh për sasinë e reshjeve që po vinin.

Në një intervistë për gazetën “Panorama”, anëtari i kryesisë së PD-së, Enno Bozdo, u shpreh se KESH ka një mekanizëm, i cili përcakton në mënyrë të saktë në një afat kohor 10-ditor motin. Sipas tij, programi parashikon edhe vëllimin e reshjeve. Po ashtu, sipas tij, në kaskadën e Komanit dhe Vaut të Dejës ka pajisje që masin nivelin e prurjeve në kohë reale.

Të gjitha këto të dhëna, sipas tij, bëjnë të mundur për një menaxhim efikas të situatës. Por në rastin konkret të ditëve të fundit, Bozdo thotë se përmbytja e Shkodrës dhe Lezhës erdhi për shkak të keqmenaxhimit të qëllimshëm.

Sipas tij, i gjithë ky dëm ekonomik, duke filluar që me blerjen e 10 milionë eurove energji elektrike te humbja e shitjes së munguar të energjisë e deri te përmbytja, erdhi për shkak të interesave okulte për të lidhur kontrata për të importuar energji. Bozdo thotë se KESH ka një platformë për blerjen e energjisë, ku mungon transparenca dhe mundësit për abuzim janë të larta.

Z. Bozdo, javët e fundit u bë refren nga ana e Kryeministrit Rama për krizën energjetike dhe për situatën e vështirë hidrike në vend. Ndërkohë që ditët e fundit rezervat hidrike po i harxhojmë për të përmbytur shtëpitë dhe pronat e qytetarëve. Kishte mundësi të parandalohej kjo dhe si mund të bëhej?

Patjetër që kishte të gjitha mundësitë të parandalohej! Korporata Elektroenergjetike, e cila është përgjegjëse për të bërë importin dhe eksportin e energjisë, i vetmi ent që mund ta bëjë këtë gjë, ka pasur të gjitha mundësitë edhe në sajë të mjeteve teknike që disponon. Shpenzon miliona të tëra për mirëmbajtjen e softwerit për të parashikuar këtë mot me kaq shumë reshje për datat 19 deri më 23 nëntor. Këtë kemi pasur mundësi ta parashikojmë ne (qytetarët) përmes një aplikacioni të thjeshtë e jo më Korporata Elektroenergjetike.

Ka specialistë të mirëfilltë të kësaj fushe dhe përcaktohet me hollësi sasia e reshjeve dhe zonat ku ato bien. Për më tepër, korporata ka një sistem të tërë matësish të instaluar në Kaskadën e lumit Drin. Matës të nivelit të ujit që japin të dhëna në kohë reale. Masin të gjitha prurjet, qoftë atë kryesore të lumit Drin, por qoftë edhe të prurjeve anësore. Për këtë arsye është e palogjikshme blerja e një sasie shumë të madhe të energjisë elektrike për periudhën nga 13 deri më 20 nëntor.

Kjo mund të ndodhte nëse do kishte nevojë, por në kushtet kur priteshin reshje të forta dhe dimë deri në 90% sasinë e reshjeve dhe ku do të bien ato operimi në mënyrën e duhur do të bënte që jo vetëm të mos kishim nevojë për energji të blerë, por të prodhonim për të mbuluar nevojën dhe të eksportonim.

Kemi një përllogaritje të humbjeve deri më tani?

Derdhjet nga tunelet në Koman apo edhe në Vaun e Dejës kanë qenë në nivele maksimale. Kanë derdhur mbi 3500 metër kub në sekondë. Janë rezervë energjetike e niveleve shumë të larta.

Nuk kishte pse të ruheshin kuotat e Komanit dhe të Vaut të Dejës të ruheshin kuotat maksimale sepse ishte parashikuar që para një jave që do kishim reshje me vëllim të lartë. U bë e kundërta e asaj që duhej.

U mbajtën të pashfrytëzuara rezervat energjetike. U lidh kontrata ku shpenzuam 10 milionë euro dhe kur shiu na erdhi dhe këtë herë e kishim rezervën energjetike, atëherë atë gjë që bënë është që e derdhën. E derdhën dhe nuk prodhuam energji. Koman dhe Vau i Dejës kanë prodhuar me gjysmën dhe çerekun e potencialit. Ndërkohë kemi zbrazur duke përmbytur Lezhën dhe Shkodrën e Nënshkodrën.

S’mund të ruhej kjo sasi uji?

Në kushtet kur këto reshje na gjetën me kuotat maksimale të liqenit të Komanit dhe Vaut të Dejës, është e kuptueshme se kjo sasi uji nuk mund të ruhej sepse do kishim rrezikim të digave. Por ajo që duhej bërë duke ditur pritshmëritë e reshjeve duhej bërë që të konsumohej me shpejtësi Komani dhe Vau i Dejës me ulje 5-7 metra tutje nivelit maksimal, duke ditur që prurjet që do vinin do rikuperonin këtë gjë me shpejtësi. Pra, jo vetëm s’do derdhnim uji por edhe do prodhonim energji. Vetëm dje janë hedhur në kosh 3 milionë euro. Kjo s’ka lidhje me keq menaxhimin, por janë të interesuar për të lidhur kontrata edhe kur e di që shiu po vjen.

I mban qëllimisht në këto nivele të larta këto kaskada për të ardhur në këtë pikë ku jemi ne sot. Rezerva energjetike nuk ruhet, por menaxhohet. Veçanërisht në stinën e dimrit. Nuk ka kuptim koncepti ruajtjes. Kështu operohet prej 70 vitesh. Lumenjtë në Shqipëri kanë këtë karakteristik. Në kohë dimri kanë shumë prurje sepse vijnë nga malet. Rezerva energjetikë menaxhohet dhe për t’i marrë maksimumin. Mos të derdhësh uji kur s’është e nevojshme, por edhe të mos lidhësh kontrata 10 milionë euro kur shiun e ke te dera.

Pse kanë një interes të tillë, pra, për të lidhur kontrata për import të energjisë dhe jo ta prodhojmë në vend?

Sepse bashkë me kontratat që lidhen, rriten edhe mundësitë korruptive për të mbyllur pazaret për veten. KESH ka një platformë dixhitale shitblerjesh të energjisë, që është ende e pacertifikuar. “KESH Trading” është e pacertifikuar. Nuk dihet kush e ka ndërtuar dhe është okulte.

Çka do të thotë se askush nuk mund të hyjë e të kuptojë se kush janë transaksionet. Kur është blerë sasia dhe kush janë firmat dhe me çfarë çmime e kanë sjellë, kush ka konkurruar dhe kush janë kompanitë që përfitojnë nga këto kontrata. Kemi një regres të madh në transparencën e sektorit 10 vite më parë. Në kohën e PD ku blerjet bëheshin nga OSSH, tenderat ishin të hapur e publik, hapeshin me zarfe dhe përmes mediave kuptohej se kush ishin ofertuesit për çfarë sasie energjie, për çfarë kohe dhe me çfarë çmimi. Sot nuk e ke të mundur këtë lloj informacioni.

Duhet të jesh kompani energjie e licencuar që të kesh mundësi të hysh në këtë platformë. Dhe për më tepër nuk dihet se kush e ka ndërtuar dhe me çfarë parash është bërë kjo platformë që është e pacertifikuar. Ne vazhdojmë blejmë ende energji elektrike më të shtrenjtë sesa është çmimi në bursën e Hungarisë që merr shembull qeveria. Por prapë nuk ka transparencë. Kush mund të na shpjegojë në këtë kohë se përse kemi derdhur rezervën energjetike kur kishim të gjithë mundësinë ta parashikonim. Jo për tre javët e ardhshme, por po flasim për një javë. Unë ju siguroj që softweri që ka KESH e përcakton me saktësi absolute sasinë e reshjeve.

Edhe vëllimin e reshjeve?

Po edhe vëllimin e reshjeve patjetër. Kjo është diçka që kërcet. Në çastin që kërkohet transparencë… kërkohet transparencë sepse çmimet janë rritur në maksimum. Po tentohet t’i rriten çmimet konsumatorëve familjarë, bizneseve u ka shkuar laku në fut dhe Kryeministri thotë që jemi në luftë edhe pse nuk prekemi nga gazi rus.

Përse kanë funksionuar me kapacitete jo të plotë hidrocentralet e Komanit dhe Vaut të dejës, çfarë na ka penguar që ta shisnim energjinë këto ditë?

Në çastin kur je i papërgatitur për të dalë në treg dhe ti e dije minimalisht 10 ditë para që do kishte reshje, atëherë uji do derdhet në këtë mënyrë sepse askush s’ta blen energjinë. Ti s’e mban dot rezervën sepse ke mbajtur nivelet e kaskadës jashtë çdo logjike dhe ja ku jemi që uji derdhet dhe energjia derdhet kot, blejmë energji dhe shkaktojmë edhe dëme të tjera si përmbytjet.

Ne jemi të papërgatitur për të eksportuar energji, ku ka çaluar procesi?

Jemi të papërgatitur dhe është e pafalshme sepse dihej prej 10 ditësh. Instrumenti që KESH ka në dispozicion parashikon në një periudhë ditore prej 10 ditësh ën mënyrë absolute. Nuk ka dalë asnjë gjë jashtë parashikimit. Dihej që po vinin reshje të fuqishme. Dhe këta zgjodhën pikërisht atë që nuk duhet të bënin. Derdhën ujin, përmbytën Shkodrën dhe Lezhën dhe blejmë 10 milionë euro energji.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura