Kërcënuan policët e burgjeve, Gjykata liron nga burgu anëtarin e grupit “Shijaku”. Çfarë ndodhi te 313-ta

Jun 11, 2020 | 10:24
SHPËRNDAJE

XHENTILA GJOSHI/ Saimir Gjipali “mban” fjalën e dhënë ndaj policit të burgjeve. I akuzuari në dosjen “339” ka arritur të fitojë lirinë nga Gjykata, vetëm disa ditë pas ngjarjes së ndodhur në ambientet e paraburgimit 313.

Gjykata_Shkalla_Pare_Durres_0111

Saimir Gjipali, bashkë me anëtarë të grupit “Avdylaj”, sipas dosjes së Drejtorisë së Burgjeve, kërcënuan me jetë një nga punonjësit e Policisë, pasi iu gjetën aparat celular në qeli.

Nga transkriptimet e bisedave të bëra rezulton se Gjipali dhe pjesëtarët e tjerë të Avdylajve kërcënojnë punonjësit e Policisë, duke u thënë se do t’i vrasin e presin sapo të dalin nga burgu. Madje, Gjipali dinte edhe faktin se do të lirohej nga burgu pas 10 ditësh.

Sipas burimeve, gazeta “Panorama” mëson se seanca për rivlerësimin e masës së sigurisë është bërë ditën e martë, në Gjykatën e Durrësit. Gjyqtari Vladimir Skënderi e ka liruar nga burgu, duke e lënë në “Detyrim paraqitjeje” Saimir Gjipalin. Ndërsa prokuror në këtë seancë mësohet se ka qenë Drini Pali.

Çfarë ndodhi te 313-ta

kerc

Më datë 21.05.2020, në IEVP “Jordan Misja” Tiranë janë konstatuar shkelje shumë të rënda, që lidhen me sigurinë dhe rregulloren e burgut. Konkretisht: Futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim; Kundërshtim i punonjësve të Policisë së Rendit Publik; Goditja për shkak të detyrës; Kanosja për shkak të detyrës. Këto shkelje janë edhe vepra penale parashikuar nga neni 324/a, 236, 237 dhe 238 – 25 i Kodit Penal. Në orën 23:25 deri në orën 01:25 është realizuar kontroll nga Policia e Burgjeve për kontrollin e të burgosurve, si dhe të ambienteve të qelive apo ambienteve të përbashkëta, për konstatimin dhe evidentimin e sendeve të ndaluara në regjimin e brendshëm.

Forcat e Policisë ushtruan kontroll edhe në sektorin nr.5, kati i dytë, dhoma nr.4, ku ishin të akomoduar: Hajti Seferi, Astrit Avdyli alias Avdyli Sulejmani, Altin Avdyli, Saimir Gjipali dhe Giovani di Cosimo alias Ciovani Petrone. Sapo forcat e Policisë hapën derën e dhomës nr.4 dhe të paraburgosurve iu komunikua “Policia për kontroll”, u konstatua se në kundërshtim me rregulloren e burgut, në dhomë nuk kishte ndriçim (ishin fikur dritat). Pas njoftimit/thirrjes së Policisë për kontroll, të gjithë të paraburgosurit e kësaj dhome u ngritën në këmbë dhe kundërshtuan kontrollin në mënyrë demonstrative, duke kundërshtuar forcërisht dhe duke shtyrë punonjësit e Policisë me forcë.

Në parvazin e dritares së dhomës u konstatua prania e një telefoni celular. Me hyrjen në dhomë forcat e Policisë bllokuan derën e tualetit për të mos pasur mundësinë që të paraburgosurit të hidhnin sendet e ndaluara. Më pas, me prezencë të të paraburgosurit Saimir Gjipali filloi kontrolli i dhomës, ku u konstatua: Një karikues aparati celular “Samsung” me fish të bardhë, një fish karikimi për markën “Apple”.

Për dokumentimin e ngjarjes së mësipërme u hartua dokumentacioni përkatës, raporti i shërbimit, aktkonstatimi i sendit të ndaluar, procesverbali i bllokimit dhe procesverbali i dorëzimit, ndërsa më pas secili punonjës pjesëmarrës në këtë operacion ka dhënë deklarimet individuale. Në lidhje me sendet e gjetura, asnjë i burgosur nuk pranoi autorësinë dhe nuk bëhet fjalë për të dhënë shpjegime të hollësishme e bashkëpunuar me kontrollin për hapjen e marrjen e informacionit nga aparati celular.

Madje, të paraburgosurit pretendonin se celularin mund ta ketë kaluar pas truesi. Ndërsa i paraburgosuri Saimir Gjipali, i cili ishte prezent gjatë gjithë kohës së kontrollit, insistoi të merrte kontakt me pastruesin, me qëllim që sendin ta merrte përsipër pastruesi, por që nuk u lejua nga forcat e Policisë. Në përfundim të kontrollit, të gjithë të paraburgosurit e dhomës nr.4 u shoqëruan në dhomat e veçimit.

Gjatë gjithë kohës së kontrollit, secili prej këtyre të paraburgosurve me veprime aktive, jo vetëm nuk janë bindur, por kanë kundërshtuar, kërcënuar e kanosur punonjësit e Policisë të përfshirë në aksion.

Siç shpjegohet hollësisht në aktet e mbajtura (raportshërbimi dhe deklarata të secilit punonjës), secili prej të burgosurve është përfshirë në vepra penale të kundërshtimit, kanosjes, fyerjes, duke iu drejtuar punonjësve të veçantë dhe të gjithëve në tërësi me tone të larta hakërruese dhe qartësisht kërcënuese, në adresë edhe të familjarëve të tyre.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura