‘Kërcënohet paqja dhe stabiliteti’, rreziku që paralajmëron Erdogan

Nov 12, 2018 | 7:55
SHPËRNDAJE

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, në një artikull për gazetën franceze “Le Figaro”, me rastin e 100-vjetorit të përfundimit të Luftës së Parë Botërore, ka vlerësuar se kundërshtimi i ndarjeve të reja Sykes-Picot-e ose luftimi me organizatat terroriste si DEASH, PKK dhe FETO, tregon respektin e Turqisë ndaj fqinjëve të saj dhe parakushtin e sigurisë së popujve të Evropës, transmeton Anadolu Agency (AA).

erdogan

Pasi ka rikujtuar se liderët e vendeve pjesëmarrëse në Luftën e Parë Botërore më 11 nëntor 1918 morën vendimin për t’i dhënë fund konflikteve që vazhduan për më shumë se katër vite dhe shkaktuan vdekjen e rreth 40 milionë njerëzve, presidenti Erdoğan ka bërë të ditur se me rastin e aktiviteteve që do të zhvillohen nga presidenti Emmanuel Macron këtë fundjavë në Francë, do të rikujtohen mësimet që duhen marrë nga kjo ngjarje e madhe, do të diskutohet për efektet e luftës në botën e ditëve të sotme si dhe do të shkëmbehen ide rreth hapave që njerëzimi duhet të hedhë në mënyrë që ngjarje të ngjashme të mos përjetohen në të ardhmen.

“Pa dyshim, Lufta e Parë Botërore, që disa njerëz e quajnë ‘lufta që do t’i japë fund të gjitha luftërave’, ishte një çështje jete dhe vdekjeje për vendin tonë. Përkujtoj me nder të gjithë paraardhësit tanë duke përfshirë edhe gjyshin tim Mustafa Oğlu Kemal që ra dëshmor në luftën e Sarikamishit, të cilët në periudhën më kritike të historisë sonë me jetët e tyre na dhuruan si atdhe territoret aktuale të Turqisë duke luftuar me ushtritë më moderne dhe të fuqishme në atë kohë që ishin shtrirë në shumë rajone nga Çanakalaja (Dardanelet) e deri në Kut’ul Amare. Në këtë kuptim, unë jam gjithashtu krenar që e përfaqësoj vendin tim si një nip i dëshmorëve në programin e organizuar në Paris. Heroizmi dhe sakrifica e tyre ua mundësuan fëmijëve tanë të jetojnë në një vend të lirë dhe të pavarur. Si e tillë, kujtimet e tyre të larta vazhdojnë të frymëzojnë kombin turk”, ka theksuar Erdoğan.

– “Gabimet krijuan kushtet e Luftës së Dytë Botërore”

Kujtimi i vuajtjeve, dhimbjeve dhe shkatërrimeve që ka sjellë në Evropë dhe në pjesë të tjera të botës, Lufta e Parë Botërore është një domosdoshmëri, tha Erdoğan duke shtuar se “Lufta e përgjakshme, e cila përfundoi 100 vjet më parë, tregoi qartë pasojat e kolonializmit, zgjerimit dhe agresionit ndaj njerëzimit. Në të njëjtën kohë, gabimet e bëra me qëllim të vendosjes së rendit pas kësaj ngjarjeje, për fat të keq, krijuan kushtet e Luftës së Dytë Botërore dhe shkaktuan dhimbje të paprecedentë në histori”.

Pasi ka theksuar se nuk është e mundur të thuhet se përplasjet që përjetohen në 100 vjetorin e përfundimit të Luftës së Parë Botërore kanë humbur plotësisht në histori, Erdoğan, ka vazhduar më tej se: “Trazirat e brendshme në vitet e fundit në fqinjët jugor të Turqisë, në Irak dhe Siri, kërcënimi i terrorizmit në rritje dhe destabiliteti në thellim me përpjekjet për shpronësimin sistematik për të cilin jemi dëshmitar për dhjetëra vite në Palestinë, janë ndër treguesit më konkret të kësaj situate. Lufta e Parë Botërore solli krijimin e një numri të strukturave politike problematike në përputhje me kufijtë e vizatuar në tryezë nga fuqitë e mëdha të periudhës. Për më tepër, fakti që këto struktura politike nuk mund të lidhnin lidhje të forta me shoqëritë qeverisëse çuan në rezultatin që rajonet e Lindjes së Mesme dhe Afrikës Veriore të përmenden me regjimet autoritare, grushtet ushtarake dhe qeveritë e pakicave gjatë shekullit të 20-të”.

Erdoğan nënvizoi se mbështetësit e këtyre strukturave përjashtuese për vite u mobilizuan për të parandaluar lëvizjet popullore demokratike, të cilat quhen Pranvera Arabe. Ai tha se “Ata kanë përdorur të gjitha llojet e metodave anti-demokratike, duke përfshirë grushte ushtarake, për të arritur qëllimet e tyre. Këta aktorë vazhdojnë aktivitetet e tyre kundërrevolucionare me vendosmëri edhe sot; ato rrezikojnë paqen dhe stabilitetin global për interesat e tyre”.

Duke vënë theksin se kur vizitohen memorialët e dëshmorëve që ndodhen në Turqi dhe në ish-territoret Osmane, vërehen se të rinjtë nga Sarajeva, nga Afrika, Bagdadi, Stambolli dhe Palestina i kanë varret pranë njëri-tjetrit, Erdoğan tha se kujtimet e Luftës së Parë Botërore, janë një trashëgimi e përbashkët që bijtë e shoqërive turke, kurde, arabe, armene dhe hebreje, i kanë lënë shoqërisë moderne të Turqisë.

– “Ne kundërshtojmë kryerjen e ndarjeve të reja Sykes-Picot”

Presidenti Erdoğan ka vlerësuar se Republika e Turqisë në çdo periudhë të historisë së saj ka respektuar sovranitetin territorial të fqinjëve të saj dhe ka hedhur hapa mbështetës të stabilitetit të tyre.

“Kundërshtimi i ndarjeve të reja Sykes-Picot-e ose luftimi me organizatat terroriste si DEASH, PKK dhe FETO, tregon pikërisht respektin e Turqisë ndaj fqinjëve të saj dhe parakushtin e sigurisë së popujve të Evropës në mesin e të cilëve gjendemi”, theksoi presidenti turk.

“Mësimi më i rëndësishëm që duhet të nxirret nga Lufta e Parë Botërore është se sa e vështirë është krijimi i paqes së qëndrueshme”, tha më tej Erdoğan duke shtuar se “Në këtë drejtim, si Turqi ne do të vazhdojmë punimet tona me objektivin për anëtarësim të plotë në Bashkimin Europian i cili është projekti më i rëndësishëm i paqes në historinë evropiane; në të njëjtën kohë, ne do të vazhdojmë të kontribuojmë për paqen dhe stabilitetin duke mbështetur qeveritë demokratike dhe liberale në Lindjen e Mesme”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura