Kërcënimi i Bamit, pyeten policët: Asnjë person i paautorizuar nuk hyri te qelia e të ndaluarit

Mar 30, 2015 | 12:00
SHPËRNDAJE

Efektivat e regjimit të brendshëm të Policisë së Tiranës mohojnë hyrjen e personave të paautorizuar në ambientet apo në qelinë ku është mbajtur Durim Bami pas arrestimit, me akuzën e “vrasjes ndaj zyrtarëve publikë të mbetur në tentativë”.

Durim Bami gjate shoqerimit ne polici

Kjo akuzë ndryshoi javën e fundit, kur Bamit iu komunikua se hetohej për “sigurim të provave për kallëzim të rremë” në bashkëpunim me Tom Doshin e Mark Frrokun. Dy hetues të Prokurorisë së Krimeve të Rënda kanë kryer veprime hetimore në Drejtorinë e Policisë së kryeqytetit gjatë ditëve të fundit.

Veprimet e tyre janë kryer për të verifikuar vërtetësinë e akuzave të deputetit Tom Doshi se një polic i maskuar kishte shkuar në qelinë e Durim Bamit dhe e kishte kërcënuar atë me vrasjen e të afërmve, duke i thënë se dinte vendndodhjen e familjes së tij. Pas këtyre akuzave që Tom Doshi bëri në Këshillin e Rregullores në Kuvendin e Shqipërisë, Prokuroria ka nisur menjëherë verifikimet. Fillimisht, dy hetues të Krimeve të Rënda kanë sekuestruar pamjet filmike të kamerave të vëzhgimit në ambientet e brendshme të Policisë së Tiranës.

“Nga administrimi i këtyre pamjeve nuk është bërë e mundur të konstatohet ndonjë fakt, pasi Durim Bami është mbajtur për disa ditë në Drejtorinë e Policisë. Për këtë arsye, edhe pamjet filmike të kamerave që janë marrë në ambientet e Policisë kanë një kohëzgjatje të madhe, më shumë se 72 orë”, thanë burimet nga hetimi. Sipas tyre, për shkak të kohëzgjatjes së regjistrimeve filmike, nuk ka qenë e mundur ende të verifikohen plotësisht pamjet në fjalë. Megjithatë pas sekuestrimit të kamerave të sigurisë,

Prokuroria ka marrë edhe listën e punonjësve të Policisë që kanë qenë me shërbim roje të brendshme, në sektorin e dhomave të shoqërimit ku është mbajtur Durim Bami në Drejtorinë e Policisë. Pasi kanë marrë listën në fjalë, hetuesit kanë marrë deklarimet e policëve që kanë qenë me shërbim në ambientet e brendshme gjatë kohës së qëndrimit të Durim Bamit në dhomat e shoqërimit.

Sipas grupit të hetimit, në dëshmitë e tyre, policët kanë thënë se te qelia e 36-vjeçarit nga Fushë- Kruja, nuk ka hyrë apo dalë asnjë person i paautorizuar. Policët kanë shpjeguar se në këtë zonë të ambienteve të brendshme të Policisë, kanë hyrë vetëm avokati, prokurorët e çështjes dhe oficerët e ngarkuar me çështjen. Sipas efektivave të Policisë, çdo hyje-dalje është pasqyruar në regjistrat përkatës.

Nga TRAZHGIM SOKOLAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura