Kavajë, familja Uzuni: Nën persekutim nga dy sistemet

Aug 28, 2015 | 14:19
SHPËRNDAJE

“Po persekutohemi nga të dyja sistemet”. Familja Uzuni nga Kavaja pretendon se anëtarët e saj nuk kanë gjetur qetësi as në kohën e diktaturës e as në ditët e sotme. Teksa në diktaturë, vëllai i vogël i familjes, Bardh Uzuni, u burgos për shkak se imitoi Lenka Çukon (anëtare e Byrosë Politike), sot, pas fitores së Partisë Socialiste, familja nga Kavaja thotë se vazhdon të vuajë përndjekjen.

Xhami Uzuni
Xhami Uzuni
Dy vëllezërit e familjes Uzuni, Hamidi dhe Xhamiu, u shkarkuan njëkohësisht nga puna fill pasi Partia Socialiste mori pushtetin vendor. Xhami Uzuni tregon për gazetën peripecitë që ka kaluar familja dhe vëllezërit e tij.

“Vëllai ynë i vogël, Bardhi, vuajti dy vite burg, pasi improvizoi një mbledhje me shokët e tij në Golem, duke imituar anëtarët e Byrosë Politikë, konkretisht Lenka Çukon. Ai doli përpara shokëve dhe mbante një fjalim, sikur të ishte Lenka Çuko. Për këtë shaka, Bardhi vuajti dy vite burg. Do të kishte qëndruar edhe më shumë, por fatmirësisht ra sistemi”, tregon Xhami Uzuni. Familja Uzuni nuk u persekutua vetëm në diktaturë, por anëtarët e saj thonë se po u ndodh e njëjta gjë edhe nga qeveria aktuale në pushtet.

“Për shkak të bindjeve të djathta politike të familjes sonë janë hakmarrë rëndë ndaj nesh, menjëherë sapo e majta fitoi zgjedhjet parlamentare 2013”, thonë ata. Konkretisht, siç tregon Xhami Uzuni, të parët që u hoqën ishin bashkëshortët Hamid dhe Fatmira Uzuni.

“Ata u shkarkuan nga puna pa motiv brenda një jave. Hamidiu punonte në administratën e Bashkisë Kavajë, ndërsa bashkëshortja e tij mësuese në një prej shkollave të rrethit, në Rrikaj. Edhe sot e kësaj dite, familja Uzuni është e persekutuar. Pasi e hoqën vëllain me nusen e tij nga puna, vetëm pak ditë më vonë më larguan edhe mua nga puna, pa asnjë lloj motivacioni. Prej 26 vitesh kam qenë punonjës si shofer në spitalin e Kavajës. Nuk di çfarë të them, duke marrë parasysh se në të dy sistemet jemi persekutuar, do të zgjidhnim të keqen më të vogël, diktaturën. Kemi arritur në një pikë që të kërkojmë rikthimin e sistemit më të egër të të gjitha kohërave, vetëm se aktualisht jemi shumë të pashpresë”, shprehet Xhamiu.

Ai ka kërkuar ndihmë publike për problemin e familjes së tij, kur iu prish edhe dyqani, duke i lënë pa të ardhura prindërit e dy studentëve. Shembja e dyqanit, sipas familjes Uzuni, është bërë në mënyrë selektive, pasi lokalet dhe dyqanet ngjitur më pronën e tyre nuk u prekën nga Bashkia e Kavajës.

Aktualisht, familja ka mbetur mes katër rrugëve, duke mos siguruar asnjë të ardhur. Për këtë arsye bashkëshortët, Hamid dhe Fatmira Uzuni, larguan nga shkolla edhe dy fëmijët e tyre, pasi nuk kishin mundësi për t’u plotësuar kushtet minimale. r.rr

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura