Kasparovi i Shalsit: 64 katrorë për të analizuar politikën dhe shoqërinë

Apr 10, 2024 | 8:26
SHPËRNDAJE

KOSTA BARJABAKOSTA BARJABA

Refleksionet e kampionit Gary Kasparov në librin “Jeta ime si një lojë shahu”, të sjella në shqip nga Eduard Shalsi, janë një mundësi e shkëlqyer për të zbuluar jo thjesht disa të vërteta të lojës së shahut, por për të ndërtuar paralele domethënëse dhe për të nxjerrë mësime të çmuara për jetën dhe botën jashtë shahut. Është rasti kur beteja mes dy individësh, një betejë në fakt mendore, e mbështetur në imagjinatë, mund të aplikohet në beteja politike, në konkurrencë biznesi apo fitore lidershipi.

1. MENAXHIMI DHE LIDERSHIPI

Jeta shoqërore është një sistem rregullash, respektimi i të cilave përbën një kusht për suksesin. Por rasti i kampionit Kasparov tregon se suksesi në shumë raste mund të vijë nga shkuarja përtej rregullave. E cila në fillim mund të duket ose ngjajë si një shkelje e tyre. Madje, këtu qëndron një ndër dallimet mes menaxherit dhe liderit. Operimi brenda sistemit të rregullave sjell një sukses të pritshëm dhe të zakonshëm. Shkuarja përtej rregullave, madje ndryshimi i tyre në atë masë që mund të sjellin ndryshimin e sistemit, mund të sjellë një sukses të papritur dhe të jashtëzakonshëm. Kjo është konfirmuar jo thjesht në lojën e shahut dhe jo vetëm nga mjeshtri kampion Kasparov, por edhe në botën e sipërmarrjes dhe jetën politike. Reformatorët e mëdhenj, ashtu si edhe guximtarët e mëdhenj të biznesit, janë bërë të tillë pikërisht për këtë.

Qëndrimi ndaj rregullave të sistemit për t’ia përshtatur atë vizionit, përbën thelbin e dallimit mes menaxherit dhe liderit. Nëse menaxher efektiv është ai që iu përshtatet rregullave dhe vepron brenda sistemit, lider efektiv është ai që shkon përtej rregullave, drejt ndryshimit të sistemit. Pamjet e Edi Ramës me sëpatë në dorë, duke prerë shtyllën që pengonte një investim të Bashkisë në një rrugë të Tiranës sinjalizuan ndryshime rrënjësore në politikat e zhvillimit lokal. Po kështu, reforma në drejtësi u dha fund përpjekjeve të pasuksesshme për të reformuar nga brenda sistemin e drejtësisë, të nënshtruar nga varësia politike dhe korrupsioni. Koha po provon se që të përmirësohej dhënia e drejtësisë, duhej ndryshuar sistemi. Ose le të marrim shembullin e marrëveshjes me Italinë për pritjen e refugjatëve afganë. Kjo përfaqëson një shembull tipik të shkuarjes përtej familjarizimit me situatën, një guxim politik prej lidershipi të fortë. Nga pala italiane, kjo marrëveshje u anatemua se po tejkalonte rregullat e Bashkimit Europian, e cila nuk rezultoi e vërtetë. Bashkëpunimi me Shqipërinë i dha Italisë frymëmarrje për të menaxhuar një çështje kaq jetike, si për atë si vend pritës, ashtu edhe për flukset e refugjatëve që vijnë nga zona të nxehta. Por edhe për Shqipërinë, kjo marrëveshje përbën një oportunitet. Ne kapërcyem statusin tonë si një vend dërgues emigrantësh dhe dolëm nga pozita mbi tridhjetëvjeçare vulnerable në sistemin global të emigracionit, duke kontribuar në menaxhimin e flukseve në kontinent e më gjerë.

2. FOKUSI, TE TAKTIKAT DHE VEPRIMET E KUNDËRSHTARIT

Kjo kërkesë për lidershipin ka vlerë si për botën e biznesit, ashtu edhe për atë të politikës. Fokusimi te kundërshtarët politikë apo rivalët në biznes është një parakusht për të përcaktuar sjelljen në treg apo marrëdhëniet politike. Kasparov ndërton paralele mes betejave të tij shahistike dhe fushatave të dy kandidatëve presidenciale në Shtetet e Bashkuara: fushatën humbëse të Dukakis dhe fushatën fituese të Klinton. I pari humbi se u qorrolleps nga veprimet e kundërshtarit dhe u shpërqendrua nga taktikat e tij agresive, të cilat synonin të krijonin panik në kampin demokrat. Klinton fitoi sepse ndiqte me përparësi dhe i kundërpërgjigjej çdo veprimi a sulmi të kundërshtarit. Publiku shqiptar është familjarizuar tashmë me ankesat prej kampit demokrat, të cilat janë reagim ndaj vëmendjes me të cilën shumica ndjek dinamikat në grupet e fragmentuara të opozitës. Të cilat janë pjesë e strategjisë dhe taktikave të saj politike dhe elektorale. Megjithatë, vigjilenca ndaj veprimeve të kundërshtarit ka vlerë derisa nuk e zhvendos fokusin nga strategjitë dhe taktikat e veta.

Ky mësim shahistik ka vlerë të veçantë në ditët e sotme, kur ndërhyrjet, dezinformimi dhe penetrimi në kampet e kundërshtarëve a rivalëve ka marrë përmasa planetare, nxitur edhe nga teknologjitë moderne të zhvillimit kibernetik, informacionit e komunikimit. Shtete a fuqi botërore punojnë njëkohësisht sa për t’u fuqizuar vetë, ashtu edhe për të dobësuar kundërshtarët. Sidomos proceset zgjedhore janë bërë shpesh objekt ndërhyrjesh të fuqive të huaja. Objekt i tyre nuk janë vetëm shtete të vogla apo rajone të trazuara, por edhe shtete të fuqishme dhe fuqi botërore. Ballkani Perëndimor është prej disa vitesh objekt i ndërhyrjeve të tilla, të cilat kërkojnë të devijojnë shtetet e rajonit nga ambiciet dhe destinacioni i tyre europian. Nëpërmjet dy lojtarëve të fokusuar në 64 katrorët e fushës së shahut, ky libër na mëson të zbulojmë etjen e shfrenuar për kontroll, ndikim, ndërhyrje dhe imponim në katër anët e globit.

Këto reflektime, por edhe shumë të tjera zgjon libri interesant, shkruar me mjeshtëri nga shahisti politikan, kampioni i botës Gary Kasparov “Jeta ime si një lojë shahu”, përkthyer me finesë nga politikani shahist, Eduard Shalsi. Miqësia dhe bashkëpunimi mes dy shahistëve politikanë është një udhërrëfyes më shumë për të gjithë ata që dëshirojnë që me imagjinatën, talentin, durimin, strategjitë, taktikat dhe shkathtësinë që kultivon sporti i mendjes, të lundrojnë dhe të sfidojnë kompleksitetin dhe rreziqet e shoqërisë, politikës dhe biznesit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura