Joanikije shugurohet patriarku i Kishës Serbe në Mal të Zi mes protestave e tensioneve

Sep 7, 2021 | 8:58
SHPËRNDAJE

Shugurimi i kreut të Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi, Joanikije, u zhvillua në një situatë të tensionuar, në Cetinje të Malit të Zi.

Joanikije

Patriarku i Kishës Ortodokse Serbe, Porfirije, shkroi në rrjetet sociale se ka bërë shugurimin e Joanikijes, duke u lutur për paqen e të gjithëve, paqen e të gjithë botës dhe mbi të gjitha për paqen e këtij qyteti.

E ndërsa në Cetinje të Malit të Zi kanë shpërthyer protestat kundër shugurimit të kryepeshkopit serb të Kishës Ortodokse në Mal të Zi, disa priftërinj serbë në Cetinje janë shfaqur duke kënduar këngë nacionaliste ku dëgjohet ajo “Kur ushtria të kthehet në Kosovë”. Dhjetëra persona janë plagosur në protestat që u mbajtën në Mali të Zi më 4 dhe 5 shtator kundër ceremonisë së shugurimit të kreut të Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi, Joanikije, në qytetin e Cetinjes.

Policia përdori gaz lotsjellës për të shpërndarë qindra protestues, disa prej të cilëve hodhën gurë, shishe dhe fishekzjarrë në drejtim të Policisë. Disa njerëz dogjën goma dhe u ulën në rrugë. Zëvendësdrejtori i Policisë në Mal të Zi, Dragan Goroviç, ka thënë se 20 pjesëtarë të Policisë janë plagosur, ndërsa një klinikë shtetërore në Cetinje tha se rreth 30 civilë kërkuan ndihmë mjekësore për shkak të përleshjeve me Policinë. Po ashtu, 14 persona u arrestuan, në mesin e të cilëve edhe këshilltari i Sigurisë i Presidentit të Malit të Zi Milo Gjukanovic, Veselin Veljoviç.

REAGON BE

Bashkimi Europian shprehu shqetësim për situatën në Mal të Zi, pas trazirave që shpërthyen atje me rastin e shugurimit të kreut të Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi, Joanikije. Në reagimin e BE-së kërkohet përmbajte dhe hetime për dhunën.

“Zhvillimet në Mal të Zi janë tejet shqetësuese. Liria e tubimit është e drejtë themelore e BE-së. Në të njëjtën kohë, ajo e drejtë duhet të përdoret pa paragjykuar shëndetin publik dhe në përputhje të plotë me sundimin e ligjit, rendin publik dhe sigurinë e të gjithë qytetarëve të Malit të Zi”, thuhet në reagimin e Bashkimit Europian. “Cilido përdorim i forcës duhet të jetë i matur dhe proporcional në secilin moment. Ne bëjmë thirrje për përmbajtje dhe presim nga organet kompetente që të hetojnë dhe sigurojnë proces të duhur gjyqësor për rastet e dhunës, si ndaj protestuesve, ashtu edhe ndaj zyrtarëve të rendit”, tha BE-ja.

Cetina është qendra kulturore dhe historike e Malit të Zi dhe simbol i identitetit shpirtëror, shtetëror dhe kombëtar për malazezët. Në të njëjtën kohë, qyteti është seli e Mitropolisë së Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi dhe vend ku janë shuguruar shumica e mitropolitëve.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura