Ish-ushtarakët, kategoritë që përfitojnë nga falja e borxhit

Apr 23, 2016 | 15:03
SHPËRNDAJE

Ish-ushtarakët e prekur nga rillogaritja e pensioneve, do të kenë mundësi të marrin mbrapsht paratë që iu janë mbajtur deri më tani. Ky propozim i parashtruar në Kuvend gjatë diskutimit të projektligjit “Për faljen e detyrimeve që kanë ish-ushtarakët në skemën e pensioneve suplementare” është mbështetur edhe nga deputetët në Komisionin e Shëndetësisë.

Në seancën e djeshme dëgjimore, ku i pranishëm ishte ministri i Mirëqenies Sociale, Blendi Klosi, është votuar pro draftit. Klosi theksoi edhe një herë se janë 984 milionë lekë ose thënë ndryshe 8 milionë dollarë borxhe që fshihen. Pas zyrtarizimit të nismës, ushtarakët do të kenë mundësi të përfitojnë të plotë pensionin, në masën që u është përllogaritur.

Ndërkohë, gjatë periudhës nga viti 2009 deri në shkurt 2015, janë arkëtuar 368 milionë lekë ose thënë ndryshe 2.5 milionë dollarë. Këto para do t’u kthehen sërish pensionistëve. Ajo që nuk dihet ende është fakti sesi do të kthehen këto para, në mënyrë të pjesshme apo të plotë.

klosi

USHTARAKËT

Falja e borxheve që ushtarakët kanë si pasojë e aktit normativ është cilësuar si korrigjim i një padrejtësie nga ana e tyre. Ata në mënyrë të vazhdueshme kanë kërkuar nga Qeveria që t’u kthejë pas lekët që iu janë mbajtur gjatë këtyre 6 viteve. Një kërkesë e tillë duket se është mirëpritur edhe nga Qeveria. Ministri Klosi ka propozuar gjatë diskutimit të projektligjit në Kuvend që krahas faljes së borxhit, të bëhet edhe kthimi pas i lekëve që janë mbajtur deri më tani

DISKUTIMET

Në Kuvend nuk munguan as diskutimet. Deputetja e Partisë Demokratike, njëkohësisht kryetarja e komisionit, Albana Vokshi, akuzoi Qeverinë se prej tri vitesh nuk ka miratuar shtesë në pensione. Në përgjigje të saj, ministri Klosi tha se skema e re, e cila ka nisur zbatimin nga janari i vitit 2015, ka sjellë rritje të pensioneve me 40 për qind. Kjo e argumentuar sipas tij, me faktin që masa e përfitimit përllogaritet mbi bazën e kontributeve që çdokush derdh, duke hequr në këtë mënyrë pragun e vendosur nga pensioni tavan që ishte në vlerën e 24 mijë lekëve.

Në vijim të kësaj, ajo që mund të thuhet tani me siguri është që reforma nuk parashikon rritje të pensioneve, por vetëm indeksim, që këtë vit pritet të jetë në masën 2 për qind.

KATEGORITË

Nga falja nuk do të përfitojnë vetëm ata që iu është rillogaritur pensioni, por edhe një kategori tjetër, të cilët, për shkak të mangësive në dosje, nuk janë taksuar, por rezultojnë në borxh. Pra, në total janë 6738 ish-ushtarakë që preken nga akti normativ, prej të cilëve 5425 kanë qenë të detyruar që gjatë 6 viteve t’i kthenin shtetit 20 deri në 25 për qind të pensionit mujor që përfitonin.

Gjatë periudhës nga viti 2010 deri në shkurt 2015, janë shlyer 368 milionë lekë, ndërkohë kanë mbetur edhe 984 milionë të tjera, të cilat, pas zyrtarizimit të ligjit të ri, do të fshihen. Vlera e gjobës që ka mbetur pa u shlyer është e ndryshme. Ajo varion nga 25 mijë lekë deri në 400 mijë për secilin prej tyre.

tabela

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura