Ish-kryeministrit Berisha i ndërpritet fjala në Kuvend/ Flamur Noka afrohet te foltorja: Kush je ti që na ndan kohën? Ndërhyn garda

Apr 11, 2022 | 20:19
SHPËRNDAJE

Ish-kryeministri Sali Berisha ka debatuar me drejtuesen e seancës së sotme plenare Ermonela Felaj për shkak se kjo e fundit i ndërpreu fjalën.

Në debat u përfshi edhe deputeti Flamur Noka i cili u afrua pranë foltores me një letër në dorë. Në atë moment ndërhyri edhe garda për të penguar deputetin Noka.

Pjesë nga replikat

Flamur Noka: Kush je ti? Ndaje kohën si është për t’u ndarë

Ermonela Felaj: A ka mundësi të ulesh. Nuk më impresionon fare sjellja juaj

Flamur Noka: Kohën e ndajmë vetë. Kush je ti?

Ermonela Felaj: Kohën e ka vendosur rregullorja.  Grupi i PS ka marrë 120 minuta. Grupi i PD ka marrë 70 minuta. Keni regjistruar emrin të gjithë

Edhe deputeti Edmond Spaho protestoi për ndarjen e kohës duke deklaruar se grupit të tyre po u hiqet e drejta për të folur pa asnjë të drejtë. “Zonja drejtuese e seancës po veproni në kundërshtim me rregulloren, Kur filloi seanca pyeta kryetaren për kohën, Koha na takon ne ta ndajmë mes nesh, Jo ju, Ju në mënyrë arbitrare dhe na keni vendosur nga 2 minuta.

Zonja Vokshi ka bërë ndarjen e kohës mes deputetëve pa grup, të pavarur. Kush jeni ju që na caktoni kohën ne. Jepeni 10 minuta kohë. Pse keni frikë nga fjala ju? Edhe flisni pastaj për bashkëpunim. Deputeti parafolës tha ju shtrijmë dorën ju të opozitës. Por për çfarë? Për lloqe? Mendoj se duhet të reflektoni dhe të ndërroni qëndrim. Sjellja ndaj nesh është e papranueshme”, u shpreh Spaho.

Të njëjtin qëndrim pati edhe deputetja Albana Vokshi. “Ju kujtoj që jeni në shkelje të kushtetutës dhe të rregullores. Sa herë vjen radha për të folur Berisha sajoni 1001 marifete”, deklaroi Vokshi.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura