Irfan Hysenbelliu: Media jonë do të bëjë gjithçka për zbardhjen e ngjarjes

Jun 28, 2014 | 12:00
SHPËRNDAJE

Botuesi i “Panorama”, Irfan Hysenbelliu dhe vajza e tij, dje gjatë homazheve
Botuesi i gazetës “Panorama”, Irfan Hysenbelliu, ishte ndër të parët që mbërriti dje në hotel “Sheraton” për t’i dhënë lamtumirën mikut të tij, Artan Santo, njëkohësisht bashkëpronar i medias “Focus Group”, ku përfshihen “TV News 24”, “Gazeta Shqiptare”, “Balkanweb” dhe “Radio Rash”. Hysenbelliu kreu ritualin e nderimit para arkivolit me trupin e pajetë, si dhe u shprehu ngushëllimet e sinqerta familjarëve. Ai ishte i shoqëruar nga vajza e tij, Fabiola Hysenbelliu, zëvëndëspresidente e kompanisë “IH Group”, si dhe dhjetëra gazetarë të dy kompanive mediatike. Pas homazheve, Irfan Hysenbelliu e cilësoi si humbje të madhe ikjen e Artan Santos, si dhe theksoi se media që ai drejton do të bëjë gjithçka për të zbardhur ngjarjen dhe nuk do të reshtë së kërkuari të vërtetën. “Është një humbje shumë e madhe. Akoma nuk e ndiejmë sepse dhimbja është shumë e madhe, me kohën do e ndiejmë më shumë partnerin tim Artan Santo. Kam besim se Prokuroria dhe Policia do gjejnë njerëzit e vërtetë që kryen krimin. Grupi mediatik ku ishte partner zoti Santo, por edhe ai ku unë jam aksioner, nuk do të rreshtin deri në fund, pa zbardhur të vërtetën e krimit të kryer”, u shpreh Hysenbelliu.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura