Inxhinieria mekanike, Kaçani: Po rrisim cilësinë

Nov 22, 2017 | 8:57
SHPËRNDAJE

Universiteti Politeknik i Tiranës, nën kujdesin e Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike, zhvilloi konferencën e parë ndërkombëtare me temë “Inxhinieria dhe sipërmarrja”. Konferenca e organizuar nga Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike u zhvillua në bashkëpunim me Universitetin Politeknik të Barit dhe universitet e tjera në rajon.

kacani-c1200x600

Dekani i Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike, Jorgaq Kaçani, gjatë fjalës së tij nënvizoi si të rëndësishme risinë që ofron kjo konferencë në analizimin apo zgjidhjen e problemeve teknike në industri të ndryshme.

“Në ditët e sotme, detyrat e një sipërmarrjeje janë ndërdisiplinore dhe kërkojnë një bashkëveprim të njohurive inxhinierike dhe menaxheriale, për një ekspertizë sa më të mirë. Në Fakultetit e Inxhinierisë Mekanike, që prej vitit 2010 është hapur cikli i parë i studimeve bachelor dhe në vitin 2013 është hapur cikli i dytë i studimeve master për formimin e figurës së inxhinierit industrial. Këta inxhinierë mund të ndërthurin ekspertizën teknike me aftësitë menaxheriale dhe të zhvillojnë aftësitë për analiza ekonomike. E veçanta e kësaj konference është fakti që ajo zhvillon një mënyrë të re të menduari për analizimin dhe zgjidhjen e problemeve teknike në industri të ndryshme. Industria shqiptare është e organizuar në ndërmarrje të vogla dhe të mesme, të cilat janë motori i ekonomisë së një vendi, prandaj konferencat si kjo paraqesin një mundësi shumë të mirë për të parë se si po zhvillohet lidhja ndërmjet fushave inxhinierike dhe ekonomisë ku po veprojnë”, u shpreh Kaçani.

Dekani i Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike theksoi se kjo konferencë ka rëndësi edhe në ofrimin e mundësisë së shkëmbimit të eksperiencave mes studentëve dhe pedagogëve.

“Mundësia për t’u bashkuar në konferencën e sotme ofron një mundësi të shkëlqyer për këmbim përvojash dhe idesh për të rritur cilësinë e punës sonë, dhe është absolutisht thelbësore për suksesin e këtij fakulteti. Unë besoj dhe uroj që kjo konferencë të bëhet traditë e përvitshme, gjë që do paraqiste edhe një hap të madh në funksion të ndërkombëtarizimit të Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike dhe Departamentit të Prodhim Menaxhimit”, tha gjatë fjalës së tij dekani Jorgaqi.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura