Intervista në “Panorama”, Artan Shkëmbi: Dorëheqja jo pazar për post, nuk dola në pension

Feb 24, 2015 | 9:48
SHPËRNDAJE

Artan Shkëmbi, kryetari i Bashkisë së Pogradecit, i cili i dorëzoi dje Kryeministrit Rama dorëheqjen e tij shprehet se dorëheqja nuk është dalje në pension.

Artan Shkembi dhe Edi Rama

Në një intervistë për “Panorama”, Shkëmbi shprehet se dorëheqja e tij është dhe një mesazh për të tjerë kryebashkiakë që kanë shumë mandate.

Ju sot (dje) i kërkuat Kryeministrit Rama dorë- heqjen nga detyra e kryetarit të Bashkisë së Pogradecit. Dorëheqja erdhi për shkak se ju e morët mesazhin se nuk do të rikandidoheni për një mandat tjetër?

Në fakt, askush nuk më ka thënë se nuk do të rikandidohesha, madje nga të gjithë kam marrë mbështetjen se do të isha kandidat për një mandat të ri. Mendoj se 12 vjet janë mjaftueshëm për të qenë në një karrige dhe e kam menduar kohë më parë që të mos rikandidoja për një mandat tjetër. Ajo që unë vendosa tani ishte që unë të ndërpres mandatin para kohe për të dhënë një sinjal të qartë se nuk jam nga ata që thonë se “unë nuk dua por më kërkon populli dhe do të rikandidoj”. Unë jam shprehur qartë se jam i vendosur në vendimin tim për dorëheqjen për të mos ndikuar në zgjedhjen e atij që do të drejtojë Bashkinë e Pogradecit.

Ka ndikuar në dorëheqjen tuaj fakti se Bashkia e Pogradecit mendohet t’i lihet Lëvizjes Socialiste për Integrim?

Nuk kam dijeni për negociata, por vendimi do të jetë i strukturave të larta të Partisë Socialiste dhe unë do të mbështes çdo vendim që do të merret nga këto struktura.

Deklarata juaj mund të merret dhe si një mesazh ndaj të gjithë atyre drejtuesve aktualë socialistë të Bashkive që kanë disa mandate në këtë detyrë?

Unë kam qenë i qartë në deklaratën time. Ne duhet të jemi të hapur jo vetëm për të pranuar me kënaqësi kandidimin tonë për kohën kur na kanë thirrur, dhe na kanë pranuar për të marrë mandatin e kryetarit të Bashkisë, me të njëjtën mënyrë duhet të kuptojmë edhe dëshirat dhe frymën e re, e cila dëshiron të futet në politikë dhe të vazhdojë punën më tej. Do të ishte e pandershme kur kërkoja të përkrahej fryma e re në kohën që unë hyra në politikë dhe të mos kërkoj edhe sot që të krijojmë hapësira frymës së re kur nuk jemi më të rinj në politikë, por kemi disa mandate. Ky është realiteti. Duhet të përkrahim frymën e re edhe kur duhet të lëmë detyrat pas kaq mandatesh. Nga një shumicë e kthjellët mesazhi im besoj se do të kuptohet.

Nuk jua ka kërkuar Kryeministri Rama dorëheqjen, por ka qenë vendimi juaj personal…

Zotin Rama e kam njoftuar unë për vendimin tim, i kam kërkuar mirëkuptim për këtë vendim dhe e ka mirëpritur.

Si e priti?

E mirëkuptoi, ndoshta shprehu dhe një keqardhje në lidhje me vendimin tim, sepse kemi qenë kolegë dhe partnerë shumë të mirë në punën tonë gjatë këtyre viteve. Për mua ai nuk ka qenë vetëm kryetar partie vitet e fundit, por dhe një koleg që nga viti 2003, që më ka asistuar në gjithë punën time si kryetar Bashkie dhe më tej ai kryetar partie, dhe unë kryetar i Shoqatës për Autonominë Vendore kemi kërkuar të drejtat tona në interes të komuniteteve që administronim.

Ka një premtim nga zoti Rama për të marrë një detyrë në pushtetin qendror pas kësaj dorëheqjeje?

Nuk besoj se largimi im nga detyra e kryetarit ka qenë një marrëveshje apo më keq akoma, një pazar për të lënë një detyrë apo për të marrë një detyrë. Sigurisht që unë nuk kam moshën e pensionit dhe nuk kam dalë në pension. Fakti që unë nuk jam në moshën e pensionit dhe kam një përvojë të mjaftueshme, përveçse në shoqërinë civile më parë, dhe tani 12 vjet në pushtetin vendor dhe në organizmat ndërkombëtare, duke qenë anëtar i Kongresit të Këshillit të Europës në Strasburg, dhe përfaqësuesi i Shqipërisë në Autoritetet Lokale në BE, besoj se e gjithë kjo përvojë do të më shërbejë që mund të më ofrohet në të ardhmen.

Ju nesër (sot) nuk do të paraqiteni më në Bashkinë e Pogradecit?

Unë do të jem në detyrë deri sa Kryeministri të miratojë dorëheqjen time dhe të mandatojë nënkryetarin e Bashkisë së Pogradecit që të marrë kompetencat e kryetarit deri në zgjedhjen e kryetarit të ri në këtë Bashki.

Do të pranonit një post në qeveri, kur dimë se janë të pritshme ndryshimet në kabinetin qeveritar para zgjedhjeve vendore?

Nuk besoj se duhet të bëj parashikime të tilla, se nuk më shkon ndërmend që të le detyrën e kryetarit të Bashkisë për të marrë një post në qeveri. Por, unë do të mirëprisja ofertat dhe do të gjykoja nëse ato do të jenë të përshtatshme në lidhje me profesionin tim dhe me aftësitë e mia do t’i pranoja. Në rast të kundërt, sigurisht që nuk do t’i pranoja.

Nëse hedhim një sy aty ku ju e nisët, nga 2003, Bashkia Pogradec pati një boom ndërtimesh që e kanë prishur paksa qytetin. Keni një brengë për këtë?

Nuk mendoj kështu. Bashkia e Pogradecit ka më pak ndërtime nga të gjitha Bashkitë e tjera. Nëse në Bashkitë e tjera në një mbledhje KRT miratoheshin 70-80 leje ndërtimi, Bashkia e Pogradecit në 12 vite ka miratuar jo më shumë 20 leje për ndërtime pallatesh që shkojnë deri në 8-9 kate, pra me një mesatare 1-2 pallate në vit. Ndërsa, qyteti është zhvilluar nga 15 mijë banorë, sot ka mbi 40 mijë banorë, është më i pastër sot për shkak të impiantit të përpunimit të ujërave të zeza që nuk shkarkohen më në Liqen.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura