INTERVISTA/ Ismail Kadare flet për shkrimtarët spiunë të diktaturës

Nov 25, 2015 | 9:48
SHPËRNDAJE

Shkrimtari i njohur Ismail Kadare u është përgjigjur botimeve të fundit dhe publikimeve në media lidhur me denoncime që shkrimtarët i kanë bërë njëri­-tjetrit në kohën e diktaturës.

Ismail Kadare
Ismail Kadare

Në një intervistë televizive të publikuar mbrëmjen e së martës në emisionin “Studio e Hapur”, në televizionin “News24”, shkrimtari ka komentuar librin e fundit “Kadare i denoncuar”, i shkruar nga Dashnor Kaloçi, ku thotë se botimi mund të merret si nismëtar i një procesi ende të paplotë lidhur me shkrimtarët spiunë të asaj kohe.

Intervista e Ismail Kadaresë për televizionin “News24”:

Eni Vasili: Zoti Kadare është botuar së fundmi një libër që përmban denoncimet dhe raportimet që shkrimtarët i kanë bërë njëri­ tjetrit në kohën e diktaturës. Libri titullohet në fakt “Kadare i denoncuar” edhe pse përmban dokumenta për një pjesë të mirë të shkrimtarëve të kohës, pasi ju rezultoni shkrimtari më i denoncuar nga ish­kolegët. Së pari çfarë mendoni për këtë botim dhe si ndjeheni ndaj këtyre raportimeve që lexoni tani?

Ismail Kadare: Ky botim i Zotit Kaloçi është shumë i rëndësishëm, jashtëzakonisht i rëndësishëm. Unë kam vite dhe jo vetëm unë por edhe të tjerë që kërkojmë të zbulohet e vërteta e arkivave të fshehta. Çdo diktaturë kur bie, në prag të rënies sidomos, ka një merak të madh, një hall të madh, të fshehë krimet. Ky është një obsesion, fiksim i saj, të fshehë krimet për të mos lënë gjurmë. Edhe Hitleri që ishte arroganti më i madh në histori ishte shumë i kujdesshëm të mos linte gjurmë të shkruara në emrin e tij, për urdhra, për krime. Dhe atëherë, një demokraci kur vjen mendimi i saj i parë duhet të jetë e kundërta, ti hapë sa më shpejt arkivat, të zbulojë krimet që kjo diktaturë kishte ankthin kryesor për ti fshehur. Kjo ka vonuar në Shqipëri për fat të keq. Mendimi është i njohur, të gjithë e thonë dhe nuk bëhet pothuaj asgjë ende, ndaj ky libër mund të merret si nismëtar i një procesi, është ende i paplotë, por aq sa është, sepse ka ende një pjesë të madhe të pazbuluar, kjo është i një rëndësie të klasit të parë.

Po ç’lidhje kanë dosjet me letërsinë? A është letërsia më e rëndësishmja a është ajo treguese e një tiranie?

Letërsia është gjithmonë e rëndësishme, por rëndësia e saj nuk varet nga regjimi, pesha e saj, niveli i saj i lartë ose i ulët nuk varet nga regjimi ku ajo krijohet. Kjo mund të duket e çuditshme, një paradoks, por letërsia kështu është. Letërsia është shpërfillëse ndaj tiranisë ose demokracisë, aq sa mund të jetë por është shpërfillëse në thelbin e saj sepse në fund të fundit, 2 mijë vjeçari i letërsisë botërore në shumicën e tij është krijuar në regjime tiranike dhe ne nuk do të kishim këtë plejadë gjenish në botë. Ky pra është fati i letërsisë, duket fat i keq po është fat i mirë i saj, ajo është shpërfillëse.

Si ka qenë letërsia shqipe në këtë kuptim ?

Shpesh bëhet ky gjykim bardh e zi, realizëm socialist, komunizëm s’ka asnjë vlerë, ka vdekur. Nuk është e drejtë, nuk është kështu. Dhe ky libër në radhë të parë tregon një ankth, një pagjumësi të ndërsjellë mes regjimit dhe letërsisë. I gjithi është libër denoncimesh, raportesh të fshehta, përgjimesh. Pra diktatura rrinte pa gjumë për shkak të një pjese të shkrimtarëve, dhe një pjesë e shkrimtarëve rrinin pa gjumë për shkak të diktaturës.

Për këtë situatë të shëmtuar raportimesh, denoncimesh të kolegëve, miqve me njëri­tjetrin, kush ishte katalizatori, ideologjia e regjimi apo zelli i këtyre shkrimtarëve?

Mendoj se janë të dyja bashke .Një pjesë është shteti me të gjithë mekanizmat e tij, ç’ka ky libër e tregon fare mirë një pjesë të tyre, nga më të lartat, një pjesë e dokumenteve po ta shikoni është të njoftohet shoku Enver, përgjigjja u pa nga Shoku Enver, më shumë se gjysma janë parë nga Enver Hoxha vetë, pra nuk janë kaq të pafajshme si të thuash ishin ca organizma që i bënin, jo i bënte thelbi,kreu i regjimit komunist, kupola i drejtonte i bënte dhe i kërkonte, më në krye atë të famëkeqin Institutin e Marksizëm ­Leninizmit që drejtohej nga gruaja e Enver Hoxhës. Disa shkrimtarë i bënin të rënë në grackë, të rekrutuar që në rini ose më vonë për detyrë, të tjerët, dhe këtu është specifika e letërsisë që mediokriteti bëhet aleat i çdo diktaturë në letërsi, për shkak të një arsyeje tepër banale, vulgare madje duket e padenjë ta përmendim midis nesh, për shkak të smirës njerëzore. Tek artistët jo vetëm tek shkrimtarët, tek muzikantët, piktorët, valltaret, këngëtaret, është shumë e zhvilluar smira për fat të keq në shumë sfera të jetës. Dhe kështu që ekzistonin të dyja, ata që e kishin për detyrë dhe ata që ishin të zellshëm. Fatkeqësia e mos hapjes së dosjeve është se të zellshmit që erdhën nga diktatura vazhdojnë të jenë të zellshëm për keq ende tani. Këta janë shumë të motivuar, e ndjejnë vetën se nuk po pësojnë asgjë, kanë një solidaritet të sëmurë me njeri tjetrin.

Në fakt a është normale që këta shkrimtarë që quheshin si elita e kombit të vijojnë të jetojnë sikur nuk ka ndodhur asgjë, sikur ku realitet nuk ka ekzistuar?

E para njëherë këta nuk janë elitë e kombit.

Quheshin të tillë.

Po quheshin, ju dukej se ishin. Nuk është normale. Letërsia ka një moral të sajin, që ka një vijë të kuqe që nuk kapërcehet. Shkrimtarit i falen veprat e dobëta, veprat edhe të papërgjegjshme, ka qenë i ngushtë në atë kohë, aq kuptonte, aq dinte, por nuk i falet akti çnjerëzor i denoncimit, me fjalë vulgare i spiunimit. Këtu nuk ka më asnjë justifikim, nuk ka. Prandaj të tillë shkrimtarësh dhe për fat nuk janë të shumtë, se ndonjëherë kujtohet se gjynah po na venë dëm shkrimtarët, po tu dalin emrat. Jo, të jeni të sigurt shkrimtarët denoncues, spiunë, janë pjesa e më e rëndomtë, mediokër. Rrallë ,nuk gjen kush shkrimtarë të vërtetë, të shquar, serioz, me peshë që të bëjnë kështu poshtërsish. Është një teori komuniste e shpikur nga Lenini i cili i urrente shkrimtarët e shquar veçanërisht, pavarësisht aureolës që ka ai në të majtën botërore sot, shquhej për urrejtjen ndaj shkrimtarëve, doktrina ishte kjo që shkrimtarët e shquar janë njerëz të liq. Kjo i vinte me shumë leverdi regjimit në Shqipëri dhe u përhap shumë, në mënyrë që të përballohej fama, njohja e shkrimtarëve më të mirë, se ata janë gjithmonë rreziku. Karakteristike e letërsisë është që historia e saj është historia e majave, nuk ka asnjë sferë tjetër në shoqëri ku historinë ta bëjnë pjesët me pozitive më të larta të një fenomeni, përveç letërsisë dhe arteve. Letërsia vetëm më majat e saj i ushqen të gjithë.

Në fakt ky libër pavarësisht se mban emrin tuaj, flet për denoncimet e të gjithë shkrimtarëve?

Po pavarësisht se ka emrin tim, është për të gjithë, aty ka qindra emra.

Por ju jeni ndër më të denoncuarit?

Po jam.

Ju si ndjeheni për këtë fakt?

Ismail Kadare: Unë e dija. Çdo shkrimtar jo vetëm ai që përgjohet e ndjen, e di, e kupton. Intuita e tij ia jep këtë sinjal që ti përgjohesh. Është normale, nuk është ndonjë tmerr i madh siç e bëjnë. Ti mësohesh me këtë gjë, ti vaksinohesh. Kur më tha në një rast një shkrimtar i ri, Bashkim Shehu, biri i kryeministrit të kohës, ishte djalë shumë i mirë, dhe e ndjeu për detyrë të më thoshte në `80, që Ismail ki një çikë kujdes se im atë dhe jo vetëm ai, kanë një mendim se ti mund te jesh dhe pak si agjent i borgjezisë. Ishte një akuzë shumë e madhe. Mirëpo kjo akuzë e kam thënë edhe herë tjetër më bëri mirë nga njëra anë, se pasi kaluan javët e para, pasi sigurisht më paralizoi në një farë mënyre, por ama thashë: mirë unë po jetokam dhe me këtë akuzë kaq të madhe se ishin dhe të tjerat, jo ka ndikime dekadente, jo modernizmat, dhe ta thotë djali i kryeministrit. Ishte guximi I tij që e ka deklaruar hapur këtë gjë më vonë.

Çfarë mendoni për këto emra që kanë dalë si kolegë të denoncuar?Çfarë duhet të bëjnë sot ata?

Pyetje shumë e mirë, këta duhet të tërhiqen. Në gjithë këtë diskurs nuk është punë revanshi por këta duhet të tërhiqeshin prej kohësh, të mos guxojnë më të fusin hundët në letërsi më thënë të drejtën. Kur ke futur shokët në burg, nuk ke të drejtë më të fusësh hundët në letërsi, do tërhiqesh. Jo, këta na dalin ,bëjnë letra të hapura, dalin në shtyp me deklarata dhe janë po aq të liq sa më parë. Dhe është e çuditshme sepse kanë një solidaritet të sëmurë me njëritjetrin, mbrojnë njëri­tjetrin. Ish shefat e tyre i dërgojnë sinjale herë pas herë : shiko se po flet kështu , por ti di unë tre letra, pesë denoncime. Kjo është mos hapja e arkivave. Këta duhet të mënjanoheshin dhe nuk humbet asgjë letërsia shqipe. Pra mos po na humbin, po na shkojnë dëm ca gjenijë, jo jo të jeni të sigurt nuk ka as gjeni as talente, asgjë, janë një pjesë e parëndësishme. Këta vetëm ngatërrojnë punë dhe asgjë tjetër. Vetëm krijojnë një ligështim moral të përgjithshëm . Këta duhet të tërhiqen vetë.

Nuk e di sa e keni ndjekur debatin rreth ligjit të ri të dosjeve, ka patur një përpjekje të re që është miratuar. Çfarë mendoni për këtë ligj a është ezaurues ai sipas jush? A do të hapen ndonjëherë realisht këto dosje?

Nuk e njoh mirë ligjin. Di që ka një diskutim, pak të çuditshëm të njerëzve që thonë nuk hapen dosjet dot se janë të prishura, të zbuluara, të demaskuara, e të tjera, e te tjera. Kjo mund të jetë e vërtetë por hapja gjithmonë ka diçka pozitive të jashtëzakonshme,dhe kjo është një mënyrë për të krijuar psikozën që të mos hapen. Pastaj të tjerët ata që bërtasin më shumë për hapjen e dosjeve thuhet i kanë vetë dosjet. Këto janë marrëzira, po mirë shumë bukur kur të dalin, të dalin të gjithë, ndaj hapja e dosjeve është një proces i ndërgjegjes. Letërsia lidhet me ndërgjegjen njerëzore, me zbulimin e vrasjes së saj e brerjes së ndërgjegjes. Po kjo është akt numër 1 që duhet bërë për një regjim. Ne jemi vonë, sido që të jetë kjo ka vetëm gjë pozitive, nuk ka asgjë negative.

Përpjekje ka pasur që nga komisioni Bezhani në këto 25 vjet. Mendoni se kjo është përpjekja e duhur tani?

Kane qenë kinse përpjekje një pjesë. Këtë që përmendët ju unë e kam parë me habi disa herë dhe atë librin e Bezhanit. Sa serioze është nuk di të them se nuk jam specialist që të kuptoj seriozitetin e veprimeve qeveritare. Por ky është një proces.

Po ka në këtë ligj psh kufizime, kjo periudhë po ajo jo, kjo kategori po kjo kategori jo?

Ismail Kadare: Sikurse në drejtësi, kushtetuta jonë ka për fat të keq me sa duket ka shumë të meta, dhe është nga ato të famshmet përjashtime, një përjashtim mund të jetë kriminal disa herë. Atje ku thuhet “me përjashtim të”, atje fshihet krimi. P.sh kam dëgjuar se ky ligj do jetë përjashtues për të huajt. Është gabim. Në letërsi dhe arte denonciatorët e huaj, janë po aq zuzar sa denonciatorët shqiptarë. Nuk e mbron asgjë atë pse është gjerman ose italian, ose francez, ata kanë qenë spiunë të diktaturës shqiptare, një pjesë e tyre. Nuk dua të hedh dyshime se një pjesë kanë qenë të ndershëm kanë punuar për njohje. Por një pjesë jo, dhe duhet të hapen dhe raportimet e tyre, se kanë qenë jashtëzakonisht të rrezikshme, sidomos për botën e huaj.

Si e shpjegoni këtë përjashtim?

Mendoj se përjashtimi fsheh se më kë kishin lidhje këta të huaj, edhe ata që hiqen sikur nuk kanë qenë, ata nëpërmjet tyre bënin denoncimet. Është shumë dinake e gjithë kjo, shumë e hidhur, shumë e trishtueshme. Unë që po flas tani me ju kam në qenien time një trishtim që po merrem me këtë bisedë. Dua të them vetëm një gjë, është shumë e rëndësishme hapja e arkivave. Kjo lidhet me problemin numër një të kombit shqiptar.

Cili është problemi numër një?

Ne nganjëherë ngatërrohemi dhe mendimi shqiptar nuk është aq i zhvilluar saqë të dalë nga gjendjet e vështira dhe të mbetet i qartë , problem global i historisë shqiptarë është ky i përmbledhur sot në vitin 2015, 600 vjet nga fillimi i konfliktit me otomanët , ku fillon historia moderne e Shqipërisë. Thelbi është një dramë me disa akte. Akti i parë fatal është shkëputja nga Europa. Akti I dytë është një pauzë lirie në kohën e mbretërimit të Zogut që pas pesë shekujsh Shqipëria u duk se po afrohej me Europën. Akti I tretë fatkeq është gjysmë shekulli komunist që u ripërtëri shkëputja nga Europa përsëri. Komunizmi e urrente Europën po aq sa otomanët, nuk kishte asnjë ndryshim, ndoshta një çikë më tepër. Akti katërt ose i fundit është ky që jetojmë tani, që e kemi ne në dorë që Shqipëria po rikthehet. Pra është një dramë që ka një fillim dhe një fund, krejt logjik në makabritetin e tij. Dhe kjo hapje është e detyrueshme, ndaj thuhet shpesh në këshillat europiane reformoni drejtësinë, bëni këtë apo atë, kjo lidhet me drejtësinë, me moralin e një vendi, me moralin historik, me moralin e sotëm, me gjithçka. Pa këtë ne nuk ecim dot. Dua ta përgëzoj edhe njëherë Zotërinë dhe këtë libër i cili duhet të jetë model tani , të ndiqet nga të tjerë se ka shumë, shumë të tjera gjëra pa u zbuluar.

Në këtë dramën e kombit shqiptar që ju thoni në 600 vjet të distancës me Europën, cili ka qenë roli i letërsisë?

Ismail Kadare: Pikërisht këtu është një nga të vërtetat e mëdha të letërsisë shqiptare që për fat të keq nuk vihet në dukje. Ndërsa shteti shqiptar, kombi shqiptar, populli shqiptar, shoqëria shqiptare u shkëputën vërtet nga Europa, letërsia është ndër të rrallat që mbajti lidhjet me të. Në Ballkan është vështirë të gjesh një tjetër letërsi që të ketë kaq lidhje dhe kaq kujtime të latinicitetit europian siç ka letërsia shqipe. Ne kemi një plejadë shkrimtarësh më në krye Pjetër Budin, Pjetër Bogdanin e të tjerë të cilët konsideroheshin në kohën e tyre kur botonin libra jashtë me tepër sepse ne Shqipëri ndalohej botimi, që ishin të nivelit evropian në kuptimin e vërtetë të fjalës së nivelit europian dhe kjo nuk vihet ne dukje për fat të keq. Si të thuash psikoza otomane dhe psikoza komuniste sundojnë ende në këtë mendim kundër Europës. Pse e them unë këtë? Letërsia greke duhet ta kishte këtë më shumë se ne, por ajo e realizoi ndryshe nëpërmjet antikitetit grek, ajo u thith prej Romës, por direkt me Romën ajo kishte lidhje me Bizantin më tepër nuk kishte më pas u prenë. Vendet e tjera sllave në Ballkan e kishin shumë të dobët lidhjen me Europën, hiq lidhjet e mëvonshme të kroatëve dhe sllovenëve. Prandaj letërsia shqipe në këtë kohë kaq të vështirë ka një plejadë po e përsëris shkrimtarësh madhështorë që nuk po studiojmë ende sot kaq mirë. Në periudhën e komunizmit është përsëritur e njëjta gjë, në periudhën më të zezë të komunizmit për çudi letërsia jonë ripërtëriti lidhjet me Europën. As kjo nuk po studiohet. Ky libër e nxjerr nëpërmjet spiunimeve diçka këtë që thoshin ju lejohet shkrimtarëve ndonjë udhëtim në Europë, por lidhjet me Europën i ripërtëriti letërsia shqipe. Nuk kishte botime, rrallë gjendeshin këto vende që shkrimtarët botonin në perëndim, siç ndodhi tek ne në vitet 70, që për një habi, një paradoks, një përjashtim që thuhet papritur filloi të bëhej e njohur. Dhe në këtë rast është ajo ideja se letërsia ndahet nga historia e një kombi dhe këtu kemi dy shembuj konkret dhe është në nderin e letërsisë shqipe që në klubin europian arriti të futet mu midis komunizmit.

Zoti Kadare Ju faleminderit për intervistën

Ju lutem

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura