INTERVISTA/ Erjon Braçe: Pse po ikin shqiptarët

Aug 31, 2015 | 14:00
SHPËRNDAJE

Erjon Braçe është një ndër zërat e fortë në parlament, e jo vetëm për të kritikuar opozitën, por edhe punën e mazhorancës, projektligje të ndryshme që cenojnë direkt qytetarët.

brace2
Deputeti socialist ka dhe një tjetër diferencë me politikanët e tjerë: u përgjigjet të gjitha pyetjeve që i drejtohen, e në këtë intervistë të dhënë për “Gazeta Shqiptare”,”,Erjon Braçe u bën një analizë ministrave të kabinetit “Rama”, duke përmendur konkretisht punët që s’i kanë bërë siç duhet, por edhe çështjet kryesore që shqetësojnë vendin në këto momente, eksodi dhe droga.

Z. Braçe, si e shihni situatën në Shqipëri; njerëzit po ikin për një jetë më të mirë në azil dhe droga është kryefjala e ditës?
Dy probleme shumë të mprehta janë, por ka Shqipëri dhe përtej tyre; njerëz që ndërtojnë jetën në mënyrë të ndershme, me punë të tillë natyrisht, të ardhura – që edhe pse nuk janë shumë, shpesh nuk mjaftojnë apo nuk shpërblejnë siç i takon, vijnë prej punës, mundit e djersës së ballit dhe janë të pastra. Mua më pëlqen pa fund kjo Shqipëri dhe asaj dua t’i shërbej. Njerëzit që po ikin, – siç thoni ju, – nuk janë ende pjesë e programeve tona të punësimit, përfitimeve prej saj; shpesh nuk përfshihen fare në programet tona të ndihmës sociale, programe që nuk janë ende aq efektive sa t’i gjenden çdo familjeje në nevojë, në pamundësi ekonomike apo edhe fizike – siç është rasti i njerëzve me aftësi të kufizuara. Mungesa e efektivitetit të këtyre dy programeve i bën këta njerëz të jenë të përjashtuar, në zona të thella edhe të harruar. Shëndetësia dhe arsimi lidhen këtu; shëndeti i mirë dhe dija profesionale (qoftë edhe në nivel profesioni të thjeshtë por të dobishëm, të kërkuar e pranuar nga tregu) të bëjnë pjesë, nuk të lënë mënjanë, të vendosin në qendër të marrëdhënieve sociale dhe ekonomike, që nuk të përjashtojnë por të krijojnë mundësinë për të punuar, krijuar të ardhura për vete e familjen, për të pasur nderin e dinjitetin tënd edhe këtu, në çdo cep të Shqipërisë. Me sa duket, edhe këto shërbime nuk janë më të mirat për një kategori të tillë njerëzish, që kërkojnë gjithçka të mirë jashtë e larg prej këtu. Por nuk është sot kështu. Më besoni, unë lëviz shumë, kërkoj, gjej, takoj e dëgjoj njerëz kudo; ka qenë edhe më keq. Kjo që po ndodh na sjell në mendje dy gjëra. E para, Shqipërinë e rrejshme që për 8 vite kishte ekonominë e dytë më të fortë në Evropë – pas Gjermanisë natyrisht; flukset e shqiptarëve që ikin na dëshmojnë me turp se ajo papunësia 12­13% me të cilën na ngopën e të cilën na detyronin ta pranonim me dhunë si sukses, nuk ka ekzistuar kurrë, ka qenë shumë e madhe dhe afatgjatë, aq sa ka sosur çdo lloj durimi për t’u derdhur pastaj në ikje; paratë e “fëmijëve të emigracionit” nuk mund të ishin pa fund burimi fatlum i ushqimit të ekonomisë kombëtare apo “begatisë familjare”, shpesh edhe rehatit nën këtë “bollëk” pa punë këtu. E dyta, ne duhet ta tejkalojmë të shkuarën e afërt; me punë – them unë, shumë punë nga ne, mazhoranca me pushtet vendimmarrës dhe ekzekutiv. Duhet të shumëfishojmë ritmet e punës, të vazhdojmë më fort me reformat, me qëllimin e dobishëm që ato të kenë një produkt të prekshëm tani, për çdo kategori sociale dhe, një punë, një punë e ligjshme, e ndershme, e paguar dhe e siguruar drejt, duhet të jetë objektiv i gjithkujt ndër në për çdo shqiptar. Përtej kësaj, shërbimet publike, arsimi e shëndetësia duhet të shtrihen e përfshijnë, madje me standard e cilësi dukshëm të përmirësuar, të arrihen lehtë e pa pengesa “parash” si detyrime të shtrenjta ligjore apo ryshfeti. Por, thënë këto, nuk dua të le mënjanë atë që pak është thënë e goditur deri tani, “biznesin e ikjes” me “biznesmenët” e tij; është një xhiro e madhe parash që i ka çikërrima pagesat për bileta dhe po përfiton nga shitja e pasurisë së patundshme të njerëzve që ikin kryesisht dhe ky është biznes i madh. Këta janë kriminelët e “ikjes” dhe këta duhen goditur. Pa këtë “ekonomi”, “ekonominë e ikjes”, flukset nuk do të ishin të tilla. Kurse kjo e drogës është histori tjetër; dëshmon se sa dëm bën politika, të paktën në dy raste; E para, kur i jep zë një debati tërësisht të parakohshëm për një vend si ky i joni, ku shteti ligjor nuk është funksional në nivelin nga ku mund të kontrollohet ligjërisht një gjendje ligjore, ekonomike e sociale si ajo e “legalizimit të marijuanës”, qoftë edhe për qëllime mjekësore (në vende me shtet të konsoliduar e funksional kjo është parë si një zgjidhje për të kontrolluar trafikun, e madje duke mbrojtur përdoruesit), duke shpërfillur faktin se “punëtorët e hashashit” dëgjojnë politikë dhe, “prodhuesit” e “tregtarët” e hashashit i kanë paratë, madje kaq aq shumë para sa ta kthejnë në “ekonomi kriminale” menjëherë këtë debat. Dhe meqë jemi këtu, më duhet të kujtoj se ministri i Brendshëm ka qenë i vetmi që ka pasur një qëndrim të qartë e të prerë kundër këtij debati, formalisht por edhe në thelb, duke apeluar bujqit t’i rrinë larg kultivimit të hashashit, si nje veprimtari e qartë kriminale dhe e ndëshkueshme. E dyta, kur harron, neglizhon, shpërfill apo më keq, kur e pranon “ekonominë e krimit” qoftë edhe nën zë, dhe këtu më duhet të refuzoj publikisht të gjithë ata, politikanë gjithfarësh – djathtas e majtas, apo analiste publikë që shpesh flasin për integrimin e kësaj ekonomie, “ekonomisë së hashashit” në ekonominë kombëtare, nisur banalisht nga interesi i një lagjeje, një fshati apo një rajoni të tërë që nuk ditka e nuk paska mundësi të merret me gjë tjetër. Lushnja është i vetmi rreth i Shqipërisë që nuk ka parcela të mbjella me hashash (dy tentativa, drejtuesit e policisë vendore të periudhës i goditën qysh herët, në fazën e mbjelljes, muaj më parë) dhe ka një ekonomi bujqësore të fokusuar në eksport, natyrisht pa fitimet e hashashit, por të pastër, edhe pse me një mal me sakrifica e probleme. Ndërkohë, krimi ka ekonominë e tij dhe goditja e saj është jetike. Arrestimet e fundit të “grupit të Vlorës” janë veprimi i duhur! Duhet shkuar lart, te “zotërit e hashashit”, ata që kanë paratë dhe infrastrukturën për të ndërtuar një ekonomi të tillë, duke rekrutuar zyrtarë dhe paguar punëtorë të hashashit. Pasuria e tyre duhet të jetë hapi tjetër vendimtar, ndryshe beteja me “punëtorët e hashashit” nuk do mbarojë kurrë. Duhet bërë kjo punë e specializuar tani, për të mos mbetur te superpuna sfilitëse për të shkatërruar parcelat masive të hashashit. Edhe kjo, në të tilla përmasa po ndodh veç dy vitet e fundit (shihni raportet e DASH për 6 vitet e fundi si referencë). Në anë tjetër, kam dëgjuar me shumë vëmendje të gjithë akuzuesit dhe kritikët e shfaqur rishtazi me rastin e “grupit të Vlorës”, ndaj dua të them dy gjëra. E para, ish­kryeministri dhe ish­ministrat e brendshëm qeë legalizuan kultivimin e hashashit, ndërtuan ekonominë e tij duke e integruar në ekonominë kombëtare (madje duke u mburrur me këtë), ndanë përfitimet me sipërmarrësit e kësaj ekonomie dhe tani, me ato para, si zengjinët e rinj të Lalëzit bëjnë prokurorin, duhet të heshtin(sërish ju adresoj në shifrat e krahasueshme të raporteve të DASH për sasitë e hashashit të kapura në 6 vitet e fundit). Nëse nuk e bëjnë dot, i lus të mos bëjnë “budallain e vapës” kur harrojnë se avioni i drogës u nis nga Italia, vend ku kryeministrin Renzi – miku i “kryetrafikantit” Rama, nuk e akuzoi kush për përfshirje në trafikun e drogës bashkë me mikun e tij, apo kur nuk kujtojnë se policë të korruptuar ka në çdo trupë policore të botes dhe ndëshkimi i tyre nuk rresht me orën, ditën, javën, muajt e vitet. E dyta, hetimi i “grupit të Vlorës” duhet të thellohet e të përfshijë gjithkënd të implikuar, edhe në radhët e policisë, shërbimeve të saj të personelit apo çështjeve të brendshme, drejtimin pa diskutim, që me ç’duket as kanë filtruar e as kanë mbajtur nën mbikëqyrje efektivë të rekrutuar apo të përfshirë në krim. Rasti i “Lushnjës së pastër” duhet të vlejë si përgjegjësi.

Z. Braçe, pse po ikin shqiptarët?
Besoj se u shpjegova më sipër, por po shtoj; shqiptarët nuk po ikin për arsye politike, si dikur kur arratiseshin apo jo shumë larg në kohë, kur iknin për shkak të lirive të tyre themelore, përfshirë dhe të drejtën për të zgjedhur e për t’u zgjedhur, si në 1996­ën. Shqiptarët po ikin për arsye ekonomike. Dhe shqiptarët nuk po ikin veç sot. Për 8 vite me radhë, 55 mijë deri në 73 mijë shqiptarë kanë ikur çdo vit nga Shqipëria; shifrat janë zyrtare dhe mund t’i lexojë kushdo. Kur përmend arsyet ekonomike, ju adresoj në ato që thashë më sipër e ku puna është e para, por kam parasysh dhe tregun europian të punës, ku shqiptarët kërkojnë akses për të ndërtuar një jetë tjetër. Dhe tregu europian i punës as që krahasohet me tregun tonë të punës – nëse mund ta quaj të tillë, – as për aksesin në të, as për të drejtat, as për garancitë, as për kohën e punës e pagesat për të, duke nisur nga paga minimale. Ndryshe nuk kam përgjigje tjetër për rastin tim; interesohem e përpiqem, ndjek në çdo hap procedurat administrative ­aplikim, provim, diplomim, konkurrim sërish, të një vajze të aftësuar në mënyrë të shkëlqyer si infermiere dhe, ditën e emërimit mësoj nga i ati se dy ditë më parë vajza ka shkuar në Gjermani, ku dhe dy muajt në vijim pret përgjigjen e kërkesës për azil. Dhe po ju them, për shkak të punës që bëj, ky nuk është rasti i vetëm. Unë nuk besoj se ne do të arrijmë në standardin gjerman të tregut të punës, por ne duhet të ndërtojmë në mënyrë urgjente tregun e punës, duke nisur nga legjislacioni i ri, i cili duhet të çlirojë aksesin në tregun e punës nga praktikat burokratike, fiskale e korruptive, të shkruajë qartë të drejtat e çdo punëtori e t’i garantojë ato në sektorin publik e privat, të përcaktojë kohën e punës dhe një pagë të re minimale si themelin për një shpërblim të drejtë të punës së ndershme. Pa diskutim duhet të demokratizohet ekonomia dhe çdo sipërmarrës duhet të ketë lirinë dhe garantet e mjaftueshme për të përdorur pasuritë dhe të marrë pjesë në treg.

Mendoni njësoj si ministri i Brendshëm dhe kryeministri, që azilantët shqiptarë janë më së shumti emigrantë në Greqi?

Kryeministri dhe ministri i Brendshëm kanë shifrat zyrtare të daljeve nga Shqipëria, të krahasueshme me ato të hyrjeve në vendet e BE­së, dhe arsyetojnë mbi to. Shifrat janë zyrtare e nuk ka arsye për të mos u besuar. Ndërkohë, as njëri dhe as tjetri nuk kanë thënë që nuk janë larguar shqiptarë nga Shqipëria.

Pse shqiptarët janë më të varfrit në rajon?

Në Shqipëri ka varfëri dhe njerëz të varfër, s’e kemi mohuar kurrë këtë. Nuk ka lidhje me këto dy vite, por me 25 vite, mënyrën se si e ndamë atë pasuri që kishim, si e me kë e privatizuam gjithashtu, si e përdorëm për ekonomi, punësim mbi të gjitha, si e ndërtuam ekonominë tonë dhe si i shpërndamë përfitimet prej saj. Por sërish ne nuk jemi më të varfrit në rajon.

Si ekonomist që jeni, mund të na ofroni dy­tri alternativa, që ju sigurisht i keni analizuar, se si mund të shpëtojë vendi nga kriza?

Unë mendoj se prodhimi është një zgjidhje; fokusimi i modelit ekonomik nga prodhimi, përpunimi dhe eksporti, veçanërisht në sektorë me potencial të madh zhvillimi e me ndikim të fortë në rritjen ekonomike, ku ka një numër të madh të punësuarish me synimin që të ardhurat e krijuara nga ekonomia kombëtare të shpërndahen në mënyrë më të drejtë e përfshirëse. Mineralet – nafta, kromi e bakri – kryesisht, energjia, bujqësia, peshkimi, manifaktura, turizmi janë sektorët me mundësi të jashtëzakonshme, ende të pazhvilluara, por edhe me probleme të mëdha. Privatizimet e dështuara të 8 viteve e me pasoja në afat të gjatë, koncesionimi klientelist në 10­12 vite dhe tërësisht në kushte të disfavorshme kontraktuale dhe ekstrakontraktuale, në minerale dhe energji, prodhim e përpunim, po krijojnë gropa të thella në ekonomi. Ndërkohë duhej të ishte krejtësisht ndryshe, duhej të ishin baza e rritjes sonë dhe punësimit.

E di që është e vështirë të zhbësh kontratat – tërësisht të pafavorshme(kostoja e shënuar nga mjeshtrit e pandëshkuar për këto raste është e pashembullt mbi kurriz të qytetarëve), – por duhet punuar shumë fort për të nxitur, stimuluar, mbështetur ligjërisht e fiskalisht hyrje të reja të sipërmarrjeve të mëdha e serioze në këta sektorë. Bujqësia është një mundësi e re dhe e madhe për ekonominë kombëtare dhe punësimin, por kërkon reformim; në marrëdhëniet e pronësisë, në tregun e tokës, në ndërtimin e fermave dhe lehtësitë për to, në marrëdhëniet e punës – veçanërisht në pagesa, në infrastrukturë dhe pa diskutim në mbështetje financiare – stimuj të rinj mbi prodhim dhe përpunim, eksport gjithashtu, duke korrigjuar dhe aplikimin abuziv të deritanishëm të lehtësisë fiskale të miratuar më herët gjatë këtij viti, rimbursimin me 20% të bujkut prodhues, jo të grumbulluesit. Më ka bërë mirë të qëndruarit në Divjakë, Kemishtaj, Remas, Grabian e Terbuf; kam zbuluar një pasion të ri, bujqësinë, ndaj më vjen keq, por dua ta them; rritja në bujqësi është ende nën potencial, shpesh rastësore dhe vetëm frut i punës së pashembullt të bujqve me tokën.

Ndaj qindra mijë shqiptarë bëjnë bujkun me mëditje nëpër Evropë e jo në tokën e tyre. Pikërisht për këtë arsye do vijoj të apeloj duke bërtitur ku të mundem për të ndryshuar, reformuar e mbështetur fort kah zhvillimi bujqësinë, peshkimin, që thuajse nuk ekziston gjithashtu, kur duhej të ishte industri. Turizmi, me gjithë promovimin e fortë kombëtar e ndërkombëtar, mbetet tërësisht i prapambetur, ushtrohet në një formë të papërshtatshme në afat të gjatë e pa të ardhme, kur është një nga mundësitë tona fantastike për të ndryshuar e rritur ekonominë dhe punësimin e ri edhe prej këtej. Ministri i Ekonomisë udhëhoqi një proces të domosdoshëm ligjor, dhe ne e mbështetëm, për tri ligje që synojnë të ndryshojnë shpejt gjendjen në sektorët e mësipërm; Ligji për turizmin, ai për investimet strategjike dhe zonat ekonomike, janë një mundësi e re për të gjetur projekte, investitorë e para për këta sektorë, për të zhvilluar prodhimin e shërbimet, rritur ekonominë e punësuar njerëz. Shikoni, ju më vendosni gjithnjë në kontekst krizën, por rigjallërimi i ekonomisë deri në 2.82%, 106 mijë vende të reja pune dhe të formalizuara njëherësh, 268 milionë euro investime të huaja direkte në vetëm 3 muaj (vlera më e lartë në vitet e fundit), struktura e re e eksporteve që ka mbuluar thuajse tërësisht rënien në vlerë të eksporteve në minerale për efekt të rënies së çmimeve (pa efektin e rënies prej 35% në vlerë të eksporteve nga nafta e mineralet, rritja e eksporteve do ishte 9%), rritja e qëndrueshme e eksporteve në manifakturë e bujqësi, janë tregues pozitivë.

Ju jeni një ndër kritikuesit e vetëm të qeverisë për çështje të ndryshme; a mundet një njeri i vetëm të ndryshojë linjën e qeverisë së tij?

Të thuash të vërtetën, bëhet gjithnjë e rrezikshme. Por varet nga ambienti ku e thua. Sa më i vjetër e i mbyllur ambienti, aq më shumë rrezik ka. Për fat, unë militoj në një ambient të hapur, dëgjues dhe vetëkorrigjues njëherësh. Ndaj flas, them të vërtetën, kritikoj, propozoj dhe bashkërisht kemi ndryshuar plot gjëra.

Duket se dy kampet kryesore, PS e PD, kanë afruar në parti njerëz të rinj që pranojnë vendimin e të parit, një lloj censure e heshtur; sa jeni dakord?

Censurë te ne jo! As autocensurë! Ju i quani të rinj, por unë i shoh si kolegë që duhet të përmbushin detyrimet për të cilat janë mandatuar. Por është edhe çështje karakteri nganjëherë; unë i nxis të thonë atë që mendojnë, por edhe të respektojnë rregullat e përbashkëta.

Keni qenë ndër të vetmit deputetë edhe në kohën e qeverisë “Berisha” që keni sulmuar me dokumente para opinionit. Kështu vazhdoni akoma; si i siguronit (spiunë brenda PD)?

Rezartë, ke harruar më duket që unë kam bërë gazetari për një kohë të gjatë. Nga ai profesion burojnë disa rregulla; mos u ndal kurrë derisa të marrësh me çdo mënyrë atë informacion të dokumentuar që kërkon, thuaje të vërtetën deri në fund, jo përgjysmë, mos i trego asnjëherë burimet e tua. Ja kështu.

PD-­ja, është më e fortë me Lul Bashën apo me Sali Berishën? Cili është ndryshimi?! A nuk kanë qenë të dy në një qeveri?!

A nuk ishin të dy në një zyrë, Komandant e ministër i Brendshëm, kur vranë në 21 janar?! Ai që vret kur është në pushtet dhe me pushkën e pushtetit nuk është i fortë, është bythec!!

Kjo opozitë, ju duket kërcënuese për vazhdimin e qeverisjes së Ramës, referuar dhe deklaratës së znj. Topalli, që PD­ja nuk duhet të presë zgjedhjet por të veprojë?

Këtë opozite unë nuk e shoh! Po, ky është problem për vendin dhe super punë për mua, duhet të bej punën time dhe natyrisht të kontrolloj qeverinë time. Dhe po e bej. Nuk është keq për mua, por është keq për ta; a e dëgjuat sot që mbanin qëndrim për ndarjen e punëve në PS? Kulmi!

Si e gjykoni koalicionin me LSI­në?

Nuk besoj se ka gjyq kund dhe, përtej kësaj, unë nuk jam personi i përshtatshëm për të dhënë vendimin. Mbi të gjitha më lejoni të mos përfshihem në editorialet e verës; vera mbyllet sot, iku.

Cili është ministri që, sipas jush, ka vërtet rezultate pozitive?

Kjo është pyetje për kryeministrin; ai vlerëson punën e anëtarëve të ekipit të tij. Për më tepër, mua nuk më pëlqejnë vlerësimet për ofiqarët, thjesht punën që kanë pranuar bëjnë. Nuk ka temenara për punën si ofiqar. Vlen edhe për mua kjo. Heronjtë janë gjetkë, atje në Divjakë.

Po ministri më kot, ai me performancë më të ulët?

Shiko, nuk ka ministër “kot” në qeveri. Secili ka një detyrë shumë mirë të përcaktuar – në bazë të tyre duhet të funksionojë, ka përgjegjësi – për to duhet të përgjigjet deri në fund. Nisur nga kjo, mua më shqetësojnë funksionimi dhe çështjet në funksion të punës. Ka gjëra që nuk shkojnë, bëhen gabim apo nuk ecin. Po të jap disa shembuj duke besuar se nuk do të keqpërdoren. Në administrimin e nxjerrjes, përpunimit, eksportit të mineraleve, naftës, kromit, bakrit etj., përtej vështirësive të krijuara nga privatizimet e dështuara e koncesionimet klienteliste, nuk ka ndryshuar gjë. Më e thjeshta, nuk jam i bindur se janë ndalur vjedhjet, vazhdojnë të jenë të larta, ndërkohë që mashtrimet kontabile dhe fiskale – posaçërisht në naftë, prodhim e përpunim, janë të frikshme. Fitimet e padeklaruara e të pataksuara edhe më. Ndërkohë skllavëria nëpër vrimat koncesionare vijon të marrë jetë, siç sot dy punëtorë të tjerë në Peshkopi. Në ndërtimin e projekteve të infrastrukturës, trashëgimia e çmendur e Sali Berishës nuk po tejkalohet; në 2010­ën ka nisur procedurën për ndërtimin e një ujësjellësi për Kavajën e Durrësin, deri para dy muajsh nuk ishte bërë asgjë. Dëgjoni, ky ujësjellës burimin do ta ketë në Çermë të njësisë Terbuf të Bashkisë Divjakë; qeveria “B” dhe disa të papërgjegjshëm që kanë bërë pushtetarin vendor, kanë dhënë leje me një studim për kapacitetin ujëmbajtës të burimit që është i vitit 1987, thuajse 30 vjet më parë, a thua se nuk ka ndryshuar gjë hiç në kaq vite, duke rrezikuar vendësit, që nuk përfitojnë asnjë pikë ujë, veprën dhe paratë publike. Në shërbimin shëndetësor, po punohet fort për t’i dhënë zgjidhje përfundimtare problemit konstant të mungesës së ilaçeve nëpër spitale, gjendja ka ndryshuar për mirë me mundësitë buxhetore të kufizuara që kemi.

Por ka një problem të madh me pajisjet mjekësore, të domosdoshme për t’u implantuar në trupin e të sëmurit, nuk gjenden nëpër spitale dhe kushtojnë shumë, aq sa jo gjithkush i ka paratë për t’i blërë. E di që ai shërbim ka një mijë e një halle, duhet kohë e duhen marrë me radhë për t’u zgjidhur në kushte mundësish të kufizuara, por jeta nuk ka kohë. Në një labirinth urdhrash e procedurash, komisionesh me emra të çuditshëm, një masë e gjerë njerëzish me aftësi të kufizuara ka humbur statusin për vete apo kujdestarët; në Çermë, një burrë të cilit i zgjata dorën më tregoi se ishte pa të dyja duart dhe i kishin hequr kujdestarinë. Nuk është i vetmi, por përballë tij unë mbeta i turpëruari. Burokracia e komisioneve, për të mos thënë korrupsioni i tyre, po e ndalon të jetojë si njeri atë burrë.

Në një përpjekje për të stimuluar zhvillimin ndryshe në bujqësi, dhënia e tokave publike me qira është një mundësi e re për të krijuar ferma të mëdha, ndryshuar kulturat bujqësore, ndryshuar marrëdhëniet e punës, përfituar stimujt etj. Në Divjakë vendësit kanë shkuar përpara, kanë krijuar vetë cikle të mbyllura, nga fidanët deri te kontratat e eksportit. Por ja që kjo përvojë nuk shpërblehet, nuk stimulohet. 140 hektarë iu mohohen këtyre sipërmarrësve që kanë ditur të ndërtojnë dhe e kanë punën të ngritur, për të eksperimentuar me një tjetër që veç me bujqësi nuk është marrë kurrë.

Jeni për ndryshime në qeveri, dhe kush duhet të ikë nga qeveria?

Shiko, mua më intereson të ndryshojë mënyra e funksionimit në funksion të bashkëpunimit për të zgjidhur gjithë sa më lart, jo njerëzit. Një pjesë e çështjeve të mësipërme u janë adresuar kryeministrit dhe qeverisë, dhe po marrin zgjidhje në favor të njerëzve. Mua dhe të gjithëve, kjo na intereson.

Cila ka qenë gafa më e madhe e një ministri?

Pse, punë është kjo? Sikur ka një mishmash në politikë: të djathtë bëjnë aleancë me të majtë dhe invers. Ka vërtet rëndësi për PS­në aleanca me FRD­në dhe PDIU­në? Të përfaqësosh sa më shumë njerëz e interesa bashkërisht, sjell qëndrueshmëri.

Në dy vjet qeverisje, cilën konsideroni si arritjen më të madhe të qeverisë?

Një gjë duhej t’ju binte në sy: kemi ndryshuar sjelljen politike në këtë vend; kemi kryer reforma duke marrë me vetëdije të plotë kosto elektorale: Ajo që kemi bërë me shpëtimin e sektorit të energjisë është një arritje e qartë, pavarësisht se na kushtoi mijëra vota. Por bëmë një zgjidhje për shumicën e shqiptarëve dhe shtetin; Ajo që kemi bërë me reformimin administrativ të territorit është një mundësi e qartë zhvillimi, pavarësisht se na kushtoi mijëra vota. Por sërish bëmë një zgjidhje për shumicën e shqiptarëve dhe shtetin; Ajo që kemi bërë me vendosjen e tatimit progresiv (jo i plotë), lehtësitë fiskale për prodhimin, me gjithë problemet e mëdha në administrim, është një hapësirë e re zhvillimi, pavarësisht se po na kushton miliona euro të munguara në buxhetin e shtetit. Por sërish bëmë një zgjidhje të mirë për buxhetet familjare dhe punësimin; Ajo që kemi bërë me njohjen, kontabilizimin dhe shlyerjen e borxheve të trashëguara nga qeveria e Sali Berishës ndaj sipërmarrjes. Vendosja për më tej e një sistemi vetëkontrolli që nuk lejon krijimin e të tilla detyrimeve, është një zgjidhje jetike, pavarësisht se na ka kushtuar elektoralisht; janë mbi 600 milionë euro që mund të ishin investime publike për qytetarët. Por sërish bëmë një zgjidhje të mirë për sipërmarrjen, ekonominë kombëtare gjithashtu; Ajo që kemi bërë me shpëtimin e skemës së pensioneve, thuajse e falimentuar si trashëgimi e qeverisë dhe administrimit politik të Sali Berishës, eshët një çlirim për mbi 550 mijë pensionistë e invalidë, njëherësh për mijëra të rinj që i bashkohen skemës çdo vit, pavarësisht se për shkak të moshës së re të daljes në pension na kushtoi elektoralisht. Por sërish bëmë një zgjidhje për të tashmen e të ardhmen e një brezi të tërë dhe trashëgimtarëve të tyre; Ajo që kemi bërë me transformimin urban të qyteteve, është një model i ri zhvillimi dhe jetese, dëshmon se ka jetë edhe përtej qendrave tregtare, argëtimit me para e konsumit në to, pavarësisht se na kushtoi një valë akuzash e mallkimesh elektorale. Por sërish bëmë një zgjidhje të mirë për njerëzit dhe cilësinë e jetës së tyre; Ajo që bëmë vjet e po bëjmë tani me luftën kundër drogës, në një betejë të pandodhur më parë me krimin e organizuar, ekonominë e fuqinë e tij, bashkuar me interesat e mijëra bujqve të përfshirë prej tij, është një betejë e drejtë dhe jetike, pavarësisht kostos. Sërish bëmë një zgjidhje për shumicën e shqiptarëve dhe të ardhmen e ndershme e të pastër të këtij vendi; Ajo që bëmë me shpërbërjen deri në mbyllje të “biznesit të diplomave” në arsimin e lartë, biznes që po shkatërronte shtetin e korruptonte të ardhmen tonë, ishte një tjetër betejë jetike, pavarësisht se morëm kosto elektorale edhe për këtë. Sërish bëmë një zgjidhje të ndershme për një brez të tërë sot, një tjetër që po troket dhe natyrisht për shtetin; Ajo që po bëjmë me kontrollin mjekësor falas, me një set analizash të kushtueshme për çdo shqiptar në moshën 40­65 vjeç, është një shërbim jetik për njerëzit, të tashmen dhe të ardhmen e tyre, shërbimin që duam të ofrojmë për çdonjërin prej tyre. Edhe kjo ishte një zgjidhje e mirë për një pjesë të kosiderueshme të shqiptarëve, buxhetet e tyre familjare, pavarësisht kostos buxhetore për ne; Ajo që bëmë me moratoriumin e gjuetisë ishte një tjetër betejë për njerëzit dhe vendin, pavarësisht ndëshkimit elektoral që morëm nga disa mijëra pushkatarë që kishin sport të “pushkatonin” çdo shpend të gjallë që fluturonte apo çdo kafshë që fshihej në ato pyje të mbetura. Edhe kjo ishte një tjetër zgjidhje e mirë për vendin, njerëzit dhe turizmin e natyrës si vlerë dhe ekonomi.

Po gabimi i saj?

Sikur duhet t’i shquajë opozita këto, apo e kam gabim?! Megjithatë po veçoj njërin si gabim të mazhorancës; mosmiratimin prej muajsh të projektligjit për lojërat e fatit që ndodhet në Kuvend, një angazhim i marrë për të mbyllur tërësisht lojërat e fatit dhe kufizuar bastet sportive, duke nisur nga 1 janari i vitit 2016. Shikoni, sipas të dhënave zyrtare, ky biznes gjatë vitit 2014 është rritur, ka rritur xhiron, dhe vetëm 5 kompani kanë qarkulluar mbi 100 milionë dollarë, e kjo xhiro ka ardhur në rritje. Janë mbi 100 milionë dollarë që përfundojnë këtu, në këtë biznes, dhe i mungojnë konsumit të dobishëm familjar. Natyrisht që ky është gabim, kështu e mendoj unë.

Inkriminimi i parlamentit ka qenë dhe është çështje me shumë spec, si në raport me zgjedhësit, ashtu edhe me ndërkombëtarët; cila është zgjidhja juaj?

Ndalimi i cilitdo që ka një dënim penal, për t’u zgjedhur në nivelin qendror apo vendor, për t’u punësuar në çdo nivel të administratës qendrore dhe vendore. Natyrisht që kjo kërkon ndryshime kushtetuese dhe drejtësi funksionale, pra kjo kërkon reformën në drejtësi. Ka një situatë anormale në këtë vend, një mori zyrtarësh që kanë kryer krime në ushtrim të detyrës apo mandateve, nga shpërdorimi i detyrës, pasurim të paligjshëm deri në vrasje, të pahetuar, të hetuar e pagjykuar, thjesht të pandëshkuar, janë më të zëshmit në këtë çështje. Kujtojnë se i pastron kjo avokati. Kjo nuk duhet të ndodhë! Nuk duhet të ketë amnisti për këta. Ndryshe kjo histori do banalizohet keq.

Shumë mendojnë se parlamenti është teatër, se aty ku ziheni e bërtisni në foltore, pas seancës pini kafe me njëri­tjetrin; kush janë njerëzit me të cilët ju nuk komunikoni në parlament dhe pse?

Është perceptim i gabuar. Po, nuk komunikoj me abuzuesit, hajdutët, arrogantët, të dhunshmit, vrasësit e pushtetit të djeshëm. Në fakt, këta janë dhe të vetmuar kur nuk kanë sho­shoqin apo komandantin e tyre, por dhe banalë e “gojëtarë të fortë” kur bëhen sërish “grup” me Atë në krye.

Berishës, ia keni falur dhunën e ’96­ës, atë për të cilën e keni akuzuar?

Mbase kam krijuar përshtypjen e gabuar, por unë nuk fal, as amnistoj kënd. Jo thjesht për shkak të tagrit ligjor të munguar, por si zgjedhje, si karakter; nuk fal atë që më gënjen – dëshmon tërësisht mungesë respekti ai që e bën, nuk fal askënd nga ata “bythecët” që dhunojnë e vrasin kundërshtarët kur kanë pushtet. Nuk do ndodhë ndonjëherë! Dhuna, vrasjet e korrupsioni nuk mund të amnistohen.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura