Infermierët, datat e testimit për rrethet

Aug 28, 2015 | 8:56
SHPËRNDAJE

Pas testimit të infermierëve në kryeqytet, është radha e infermierëve në rrethe që t’i nënshtrohen vlerësimit të njohurive. Ministria e Shëndetësisë, jo më larg se dje, ka publikuar kalendarin e datave dhe orareve për 11 spitale rajonale të vendit, ku njofton kryerjen e provimit përkatësisht sot dhe nesër për personelin infermieror. Në tabelën përbri janë të listuara oraret për secilin qark.

Ministri Beqaj gjate nje takimi me infermire te QSUT-se
Ministri Beqaj gjate nje takimi me infermire te QSUT-se

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, janë rreth 2500 infermierë në spitalet rajonale që në dy datat e vëna në dispozicion do të përballen me testim. Ndërkohë për infermierët e spitaleve bashkiake, provimi pritet të zhvillohet një javë më vonë.

PROVIMI

Provimi është parashikuar të zgjasë një orë, ndërsa teza ka në përmbajtje të saj 35 pyetje. Dy variantet e saj, përkatësisht A dhe B, u hartuan duke përdorur një fond prej 542 pyetjesh të organizuar në 16 kapituj. Përveç njohurive bazë, infermierët testohen edhe mbi bazën e specialiteteve. Një muaj më parë ishin infermierët e spitaleve universitare në Tiranë ata të cilët u testuan.

E njëjta praktikë që u ndoq me ta do të aplikohet edhe për infermierët që punojnë në spitalet rajonale. Ministria e Shëndetësisë u tërhoq nga ideja fillestare, për provim nominal, duke zgjedhur ruajtjen e anonimitetit. Kështu, secili prej punonjësve do të ketë mundësi të tërheqë një tezë, e cila ka të shënuar vetëm numrin rendor dhe asnjë tregues tjetër për identifikimin e tyre.

datatNë këto kushte, infermierët që do të marrin pjesë në testim nuk duhet të shqetësohen nga fakti se një rezultat i keq apo të qenët në “listën e zezë” do të cenojë vendin e punës. “Nuk do të penalizohet asnjë infermier, as ata të cilët nuk do të marrin pikët e mjaftueshme. Qëllimi i këtij testimi është për të parë se në cilin nivel janë infermierët sot dhe, mbi të gjitha, në çfarë kushtesh e kriteresh do të bëhet integrimi i tyre në ciklin e dytë të programit për edukimin në vazhdim”, ka qetësuar më herët zëvendësministrja Milva Ikonomi.

TË PËRJASHTUAR

Nga testimi i planifikuar që u shoqërua me jo pak kontestime dhe debate përjashtohen infermierët që duan edhe tre vite të dalin në pension, si edhe ata që janë licencuar në vitin 2014, pra, që kanë vetëm një vit që kanë nisur punën. “Në testim nuk do të marrin pjesë ata infermierë burra që kanë lindur përpara 1 janarit të vitit 1953, si edhe gratë infermiere të lindura përpara 1 janarit të vitit 1958. Veç kësaj, nuk do t’i nënshtrohen testimit të njohurive të gjithë ata infermierë që janë licencuar një vit më parë, pra, në vitin 2014″, bëjnë me dije nga Ministria e Shëndetësisë.

PROVIMI I MJEKËVE

Ministria e Shëndetësisë nuk ka qartësuar ende se kur do të zhvillohet provimi i mjekëve. Në pikëpyetje është edhe fakti nëse do të ketë testim për mjekët apo jo. Kjo pasi provimi i përshpejtuar i infermierëve u përligj me faktin se rezultatet do t’i shërbenin përcaktimit të kritereve me të cilat do të futeshin infermierët në programin e edukimit në vazhdim.

ADA HAZIZOLLI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura