Incidenti me ashensorin në Astir/ Njëra prej të plagosurave shtatzënë, ja gjendja e saj

Sep 13, 2021 | 10:21
SHPËRNDAJE

ashensor

Të tjera detaje dalin nga incidenti i një dite më parë ku ashensori i një pallati në zonën e “Astirit” u shkëput nga kati i katërt ku mbetën të plagosura dy gra që ndodheshin brenda

Sipas News24, një prej tyre ishte shtatzënë. Fatmirësisht ajo nuk ka pësuar dëmtime të rënda dhe aktualisht ndodhet në shtëpi në gjendje të mirë shëndetësore.

Në anën tjetër, 30-vjeçarja me iniciale M.S. është shtruar në spitalin e Traumës dhe ka pësuar dëmtime në gjymtyrë dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Ngjarja e rëndë u shënua mesnatën e së dielës ku ashensori u rrëzua pasi iu këputën kavot. Përveç dy grave të plagosura, kur ndodhi aksidenti në ashensor ndodheshin edhe dy persona të tjerë që nuk pësuan lëndime. Raportohet se njëra prej grave mori shërbim mjekësor dhe më pas u largua drejt banesës, ndërkohë që tjetra ndodhet ende e shtruar.

Pas verifikimeve të Policisë rezulton se banorët e pallatit të përfaqësuar nga administratori nuk kanë firmosur kontratë mirëmbajtje dhe kolaudimi për ashensorin dhe kavot dhe nuk janë ndërruar që kur ai është montuar. Një tjetër detaj i rëndë është fakti që ashensori rezulton të jetë i pacertifikuar nga Inspektoratit Shtetëror teknik, ISHT.

Momentalisht, në spital ndodhet një prej grave, 27- vjeçarja me inicialet M.S., e cila ka pësuar traumë në pjesën e kofshëve, por gjendja e saj është e qëndrueshme. Ndërsa e plagosura tjetër, shtetasja me inicialet M. Q, e cila ishte dhe shtatzëne, pasi ka marrë mjekim, është larguar për në banesë, në gjendje të mirë shëndetësore.

ARRESTIMI

Inspektorati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut ka reaguar në lidhje me ngjarjen e rëndë, ku në një pallat u shkëput ashensori, duke plagosur 2 gra. Në deklaratë bëhet me dije se ashensori i pallatit ku ndodhi ngjarja nuk rezulton i regjistruar dhe se nuk është bërë asnjë inspektim nga ana e një trupe të autorizuar. Mes të tjerash ISHMT thekson se është detyra e administratorit të kontraktojë një Organ të Miratuar, i cili bën kontrollin fillestar të ashensorit dhe atë periodik. Nga ana tjetër, Policia që nisi menjëherë hetimet, tha dje se është vënë në pranga tekniku i mirëmbajtjes, ndërsa ka nisur hetimi për administratorin e firmës.

Burimet thanë se në pranga është vënë shtetasi Defrim Shabani, 34 vjeç, ndërsa u procedua penalisht vëllai i tij, Dritan Shabani. Sipas Policisë, arrestimi i 34-vjeçarit u bë me akuzën e “Shkeljes se rregullave të mirëmbajtjes në punë”. Policia tha dje se specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 6, bënë arrestimin në flagrancë për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë” të shtetasit D. Sh., 34 vjeç, banues në Tiranë.

“Arrestimi i tij u bë pasi gjatë mesnatës dyshohet se duke qenë i punësuar si teknik i mirëmbajtjes dhe kontrollit të ashensorëve, në një kompleks të pallateve në Astir, nuk ka konstatuar problemin teknik që ka pasur ashensori i njërit prej pallateve të kompleksit, i cili është shkëputur, duke rënë në gjendje të lirë së bashku me disa shtetas që ndodheshin në të. Si pasojë është dëmtuar shtetasja M. S., 27 vjeçe, e cila ndodhet në Spitalin e Traumës, jashtë rrezikut për jetën”, tha dje Policia e Tiranës.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura