Inaugurohet ‘Beni ecën vetë’, Veliaj: Investimi për fëmijët, garancia e të nesërmes

Aug 31, 2016 | 12:11
SHPËRNDAJE

Një tjetër kopësht në kryeqytet ofron standardet më të mira për fëmijet, falë ndërhyrjes së bërë nga Bashkia e Tiranës.

veliaj

Kopshti “Beni ecën vetë” në njësinë nr. 1 është kthyer në një hapësirë  cilësore për fëmijët, duke ofruar ambiente të brendshme tërësisht të rikonstruktuara, me një  kënd lojërash.

Gjatë inaugurimit, Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj shoqërohej nga ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati.

Veliaj theksoi se bashkia po mban premtimin për rikonstruksionin  e 23 kopshteve para nisjes së vitit të ri arsimor.

veliaj3

“Kopshti ‘Beni ecën vetë’ është kopshti i 18 që rikonstruktojmë nga 23 gjithsej. Kemi edhe  një javë kohë për të mbyllur 5 kopshtet e mbetura dhe për të mbajtur 100% premtimin tonë  për rikonstruksionin nga e para të të gjitha kopshteve të Tiranës”- tha ai.

Sipas kryebashkiakut, fëmijët janë e ardhmja e qytetit nesër, ndaj kujdesi për këtë brez është parësor për Bashkinë e  Tiranës.

“Ky qytet do të ketë fytyrën dhe të ardhmen që kanë fëmijët sot. Nëse i trajtojmë fëmijët me  qytetari, me kushte dinjitoze, do të kemi një lidership më të mirë për Shqipërinë dhe për  qytetin e Tiranës”, u shpreh ai.

veliaj4

Veliaj vlerësoi në mënyrë të veçantë edhe kontributin e dhënë  nga biznesi kryeqytetas, i cili është treguar i gatshëm për të mbështetur nismat e bashkisë.

“Kur para një viti menduam si do t’i kërkonim ndihmë komunitetit të biznesit, shumë skeptikë  thanë se në Shqipëri nuk ofrohet njeri. Por, ja që në Shqipëri paska bujari, paska njerëz  zemërgjerë, që i kanë dhënë këtij komuniteti mbrapsht në punë konkrete, institucione sociale  kaq të mira sa ky kopësht”, deklaroi ai.

veliaj2

Veliaj kujtoi se falë këtij kontributi në një vit punë, Bashkia e Tiranës ka bërë të mundur përfundimin e rikonstruksionit të të gjitha çerdheve dhe kopshteve, e tashmë fokusi do të jenë  shkollat e të gjitha niveleve.

Ai falenderoi dhe vlerësoi punën e bërë nga i gjithë stafi i  institucioneve sociale dhe arsimore të kryeqytetit.

Deputeti i PS-së, ministri i Punëve të  Jashtme, Ditmir Bushati, theksoi rëndësinë e investimeve për fëmijët.

veliaj1

“Investimi për fëmijët është investimi më i mirë për gjeneratat e së ardhmes dhe më vjen mirë  që ky kopsht është një model i shkëlqyer për të gjithë komunitetin këtu, për shkak të  ambienteve të rikonstruktuara totalisht brenda, por edhe për shkak të një këndi lodrash, që  fëmijët e kanë këtu dhe i krijon mundësi prindërve, gjyshërve që të sjellin fëmijët e tyre, me  orare të ndryshme dhe të shfrytëzojnë hapësirën totalisht të paqtë, që është krijuar këtu. Doja të falenderoj të gjithë njerëzit që kanë kontribuar për këtë kopsht dhe mbi të gjitha të shpreh  edhe angazhimin tim për të vazhduar, për të punuar së bashku, për të mbështetur Bashkinë e  Tiranës, në secilën prej nismave të saj”, tha ai.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura