Ilir Demaliaj hap dosjen dhe tregon emrat e spiunëve, si u kërkua arrestimi

Oct 29, 2018 | 13:03
SHPËRNDAJE

Ilir Demaliaj e kishte të qartë që herët se ishte i ndjekur nga Sigurimi i Shtetit, por hapja e dosjes së tij i bëri të qarta shumë fakte. Ishte si një kuti Pandore nga dolën emra, ngjarje, rrethana…

syc1

Ka mes tyre emra kolegësh, njerëzish me të cilët ai shkëmbente biseda, pseudonime, disa prej të cilëve ai ka mundur t’i identifikojë, e të tjerë jo. Analisti Ilir Demaliaj ka vendosur t’i bëjë publike disa nga faqet e dosjes së tij shumëfletëshe. Në një dokument të janarit të vitit 1988 tregohet interesimi i vetë zëvendësministrit të Brendshëm të asaj kohe.

Zylyftar Ramizi interesohej rreth ndjekjes së Ilir Demaliajt dhe jepte direktiva për të siguruar materiale të mjaftueshme për ta marrë në pyetje dhe pse jo, edhe për ta arrestuar, duke u nisur nga veprimet e tij “armiqësore”, por edhe të familjarëve të tij. Madje, ai vë një afat kohor prej një muaji për sigurimin e provave “me fuqi ligjore”. Një listë e tërë personazh do të merreshin në pyetje për të verifikuar “aktivitetin armiqësor” të Demaliajt, minimalisht që prej vitit 1984. Janë njerëz me të cilët ai ka shkëmbyer libra (literaturë e huaj) apo që mund të dinë diçka për takimet e tij me shtetas të huaj të ardhur në Shqipëri.

Faksimile të procesverbalit të mbledhjes m e Zv.ministrin e Punëve të Brendshme, Zylyftar Ramizi në vitin 1988, për Ilir Demaliajn. Fletë nga dosja e Sigurimit të Shtetit për Demaliajn
Faksimile të procesverbalit të mbledhjes me  Zv.ministrin e Punëve  te Brendshme, Zylyftar Ramizi në vitin 1988, për 
Ilir Demaliajn.

Një tjetër dokument i vitit 1990 është një raportim i agjentit me pseudonimin “Luani”, i cili tregon për një takim mes gazetarit Gavrosh Levonja, po ashtu i ndjekur nga Sigurimi i Shtetit (2B) dhe Ilir Demaliajt (2A). Sipas raportimit të “Luanit”, Levonja kishte shprehur dëshirën të jepte një intervistë për “Zërin e Amerikës” për të treguar për gjendjen në Shqipëri. Paskëtaj “Luani” është këshilluar t’u qëndrojë pranë Levonjës dhe Demaliajt për të mësuar për ndonjë takim të mundshëm me gazetarë të huaj. Nga dokumentet del qartë ndjekja sistematike e Demaliajt nga Sigurimi i Shtetit dhe tentativa për arrest.

syc1
Fletë nga dosja e Sigurimit të Shtetit për Demaliajn

“Sekret” Ekzemplar i vetëm.

Tiranë më 28. 1. 1988

Shënim

Më datë 27.1.1988 ora 19:00 në Drejtorinë e Parë u bë analiza e materialeve të Ilir Demaliajt, në 2A për agjitacion e propagandë. Në këtë analizë veç shokëve të Drejtorisë së Punëve të Brendshme mori pjesë dhe Dega e Dytë, mbasi objekti Ilir Demaliaj është në lidhje e ngushtë në aktivitet të përbashkët armiqësor me Leonard Dindin, që ndiqet nga Dega e Dytë si agjent i mundshëm për shkak të kontakteve të dyshimta që ka realizuar me zbulues të ambasadës greke.

Në analizë, zëvendësministri i Punëve të Brendshme sh. Zylyftar Ramizi dha porosi që deri më dt. 5.2.1988 për objektin të sigurohen materiale të plota për thirrjen e pyetjen e tij në gjendje të lirë ose për arrestim. U shtrua problemi i arrestimit, duke gjykuar nga qëndrimi armiqësor i vetë objektit, por edhe duke marrë shkas nga qëndrimi, nga aktiviteti armiqësor që zhvillojnë lidhjet e afërta familjare e miqësore të tij.

Për të bërë të mundur zbatimin në kohë e më cilësi të detyrës së shtruar u konkludua:

1. Të thirren e pyeten, Mirela Telhaj e Jolanda Çupi dhe t’u merret kallëzim i rregullt për çka dinë për aktivitetin armiqësor të Ilirit jo vetëm që nga viti 1984, por dhe në vazhdimësi.

2. Për të siguruar prova me fuqi ligjore, të studiohen Silvana Petreçi e Melisa Ruço, të cilave Iliri u ka dhënë për lexim literaturë të huaj të ndaluar për qarkullim.

3. T’i merret denoncim i rregullt Kujtim Mullarajt për sa ka dëgjuar në bisedat midis Ilirit dhe Leonard Dindit.

4. Të verifikohen e studiohen shpejt lidhjet e tij me qëllim që t’na jepet mundësia që nga lidhjet, të cilat kanë dijeni për aktivitetin armiqësor të tij të thërrasin e pyesin për të krijuar prova me fuqi ligjore.

5. Të merret takim me qytetarin Ilir Meçollari, shofer në parkun e delegacioneve dhe t’i merret deklaratë për sa ka informuar lidhur me takimet e objektit me specialistin italian Alberto Cirrel që punonte për montimin e një aparature të re në PT Korçë. Ilirit t’i merren hollësira për rrethanat e takimit dhe bisedat e bëra midis tyre.

6. Me Degën e Punëve të Brendshme Durrës të sqarohet se cilët të tjerë veç bp. kanë dijeni për takimin e bisedat e Ilirit me përgjegjësin e grupit turistik finlandez. Personat që kanë dijeni të verifikohen a studiohen dhe atyre që janë të përshtatshëm t’u merret denoncim.

7. Të verifikohen nëse disponohen materiale për Juha Matti Holopanien e Alberto Cirrel, e nëse ka materiale, të studiohen dhe të bëhet informacion i hollësishëm për figurën e tyre. Njëkohësisht me Degën e I-rë të sqarohet a ka kontakte me të huaj të tjerë Iliri. Verifikimi për kontakte me të huaj të bëhet dhe në kartotekën e dytë.

8. Të merren masa të vazhdueshme konkrete për kontrollin fizik të objektit në qendrën e punës e të banimit me qëllim për të preventuar çdo akt të mundshëm armiqësor sidomos arratisjen jashtë shtetit.

Zëvendësdrejtori i Punëve të Brendshme Pelivan Luçi

Kryetari Degës II Mihallaq Sovjani

Nr 14.379

Marrë pop.Gjergj Llushku

Dhënë agj. Luani Në bazën

Kështjella Tiranë 12.5.1990

Raporti dt 12.5.1990

Burimi njofton se me dt. 10.5.1990 ai është takuar me Alqi Panon, i cili i tha se “para disa ditësh e qelba punën se isha i pirë dhe i rashë me grusht e theva xhamin e tendës vitrinës në rrugën I. Alla, më duket se më kanë parë Arben Çela dhe Ylli Bega që e kanë shtëpinë aty.

Ai nuk e vazhdoi bisedën pasi Alqi ishte përsëri i pirë dhe ai i tha ki kujdes. Më dt. 11. 5. 1990 ai ishte takuar rreth orës 11:00 me Gavrosh Levonjën, i cili i tha “se këtu te ne kanë ardhur shumë gazetarë, unë kam dëshirë në veçanti të takoj gazetaren Laura Simbell e ‘Zërit të Amerikës’, që ka ardhur këtu te ne para dy ditësh dhe t’i jap një intervistë për gjendjen këtu, do të dal tashti në pazar dhe do të interesohem ta gjej dhe po nuk e gjeta dhe po m’u dha mundësia do gjej ndonjë tjetër dhe do t’i shpjegoj për gjendjen që është këtu.

-Po këtë ditë ai u takua me Gavroshin rreth orës 14:30 ku prezent ishte dhe Syçi (Ilir Demalia shënimi im) ku shprehen të njëjtin mendim dhe dolën në pazar.

Syçi rreth orës 16:30 do të dilte te Zogu Zi për të parë De Kuelarin. Gavroshi para pak ditësh kishte dëgjuar në Radio Franca intervistën që kishin marrë dy gazetarë zviceranë në gjuhën frënge, dy të rinjve shqiptarë, studentë, ku ata ishin shprehur se këtu mungon gjëja më elementare, liria, njerëzit e Sigurimit të përgjojnë bile edhe në shtëpi. Po të flas kam frikë nga babai se mos më denoncojë, deri aty ka arritur puna.

Mbasi pyeti gazetari dhe i tha se çfarë dëshirash ke, ajo u shpreh, “kam dëshirë të kem një makinë të shëtis nëpër Europë, këtu jemi të izoluar”. Luani Sqarim. Alqi Pano në PP për propagandë, Gavrosh Levonja në 2B për propagandë, Ilir Demaliaj në 2A për propagandë. Vlerësim.

Ka vlerë për faktin se tregon për elementë të ndryshëm për të takuar gazetarë të huaj. Detyra. B.P iu dha detyrë të qëndrojë afër Gavrosh Levonja e Ilirit me qëllim për të mësuar për çdo rast të mundshëm të takimit të tij me gazetarë dhe çfarë mendimesh u ka shprehur etj..

Masat Operative: E dhëna t’i jepet menjëherë për njoftim drejtuesve, të shtypet e të kalohet në p.o.p S.Subashi dhe A.Zeneli.

Punëtori Operativ Gjergj Llushku

PANORAMA

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura