Ikën Zygmunt Bauman, Guru’ i tri epokave

Jan 11, 2017 | 11:33
SHPËRNDAJE

Arta-MusarajPROF. DR. ARTA MUSARAJ*

Përpara parlamentit italian, ku me cep të syrit shikoja takat e këpucëve fine që visheshin vetëm me raste, e që ende i kishin rezistuar shkatërrimit, një kënaqësi sikur zhbëhu tërë stërlodhjen e një dite, që kurrsesi s’do ta quaja normale. Po përmbyllja kështu, në jonormalitet, ditën time romane të “Komunikimit”. Seriali i “Universal Diluvium” xhiroheshe sot, para “Sheraton Roma”, me aktor plot një- qindenjëzeteshtatë milimetra shi, në vetëm tri orë kohë. Rekord.

Një jetë pa ndodhur. Një kilometër larg nga aty, në sallën e “Confindustria Italiana”, shik, e projektuar nga “Pininfarina”, ai i së madhes italiane Ferrari, vdekur ashtu kot, i ri, mbi “Vespa”, “biju-në” mbi dy rrota të modestisë italiane, ai “magjistari” i komunikimit, për të cilin ishim mbledhur, Zygmunt Bauman doli nga plani i parë. Regjia “Perëndi” ia besoj rolin e protagonistit, shiut. Aktorët e Samitit më të madh të Komunikimit në Romë mbërritën më së afërmi dy orë vonesë. Roma “Eur”, dashur e ndërtuar në epokën musoliniane, për të celebruar “La marcia sul Roma”, ishte shndërruar tanimë nga shiu në Venecia.

Të ftuarit e Franco Pomilios, trashëgimtarit të Pomilio Blumm, gjigantit italian të marketingut, publicitetit dhe komunikacionit, arrinin të gjithë të lagur, të qullur gjer në palcë, dhe komunikonin jo për atë që ishin mbledhur, komunikimin vetë, por për shiun. Kish fituar ai. Ish ai mbreti i Romës. Shiu. Në mbretërinë e tij nuk njihej celulari, taksia. Nuk njihej asgjë. “Blackout”. Kërkova të përdorja monedhën vendëse, atë të Romës nën pushtetin e shiut, ujit, “Metro”-në. Nuk e njihnin e nuk e shkëmbenin as atë.

Atje, në stacionin “Gabartella” e kishin nxjerr jashtë ligjit, nuk funksiononte, e shkëmbenin vetëm ne “Piramide”, plot katër kilometra larg, ku taksia vazhdonte të quheshe kontrabandë, e pasi na nxorën pa paralajmëruar jashtë prej metrosë, me gisht na treguan si mund të vazhdohej më tej. Me këmbë! Takat e holla të këpucëve s’më kishin tradhtuar për t’u ndier keq në atë të ëndërruar godinë berniniane të parlamentit italian, që kurrë nuk e kam mësuar saktë nga dhe si e kish marrë emrin..

“Montecitorio” ndodhej aty, përballë kureshtjendjellësit obelisk faraonik egjiptian të pesë shekujve para Krishtit, i sjellë në Romë, rrotull lindjes së tij, nga Augusti, e që gjenialiteti roman e vendosi të tillë multifunksional, nga ora diellore deri te një perpetum kalendar, aty në mes të sheshit. Ferrarotti qëndronte atje, në kat të dytë, diku midis “Sallës së Ujkonjës” dhe asaj të “Verdhë”, ku ngjyra e tapicerisë së florinjtë të sallës, së bashku me mobilimin monumental të metalit të çmuar, nuk kishin ndryshuar ndër vite, emri po, i kish vënë një tjetër. Qëndronte atje, sikur lidhte dy kohë.

Atë të së shkuarës së largët, ku Italia e dyzetegjashtës mbante sytë në “Sallën e Ujkonjës” së bronztë, që ushqente me gjinjtë poshtë saj, jo më binjakët mitologjikë, Romolo e Remo, por ëndrrën e një republike lindur në atë dy korrik, me atë të renë, ish-”Sallën e Verdhë”, të quajtur Aldo Moro, vrarë jo larg nga aty, dhe e pagëzuar tani me emrin e ri, larg në kohë, plot tridhjetë vjet më pas, sikur kish pritur atë, republikën e dytë italiane si “Gjon Pagëzorin” ta kryente . Ferrarotti qëndronte atje, sipër shkallëve berniniane, përballë statujave të mermerta të atyre që vërtet kishin bërë Italinë, këtu e plot një shekull e gjysmë më parë. Në dorë “L’Empatia Creatrice” librin që po prezantonte, aty, në tempullin italian të republikës.

Po takoja kështu Ferrarotti-n, sociologun më të madh italian, një nga më të paktët të famshëm të botës. Shiu, si “Kënga e Faljes”, do të shkërmoqte ashtu vrullshëm edhe ndjesën time për vonesën, e cila do të shpërhapej bashkë me të qeshurën kumbuese të tij, në atë korridor të dritartë ku, veçse një fantazi italiane, do ta quante “Transatlantik” për formën dhe ndriçimin “plafonier-ik” të sipërm, dhe si resto për mërmëritjen time për shiun, portofoli i tij i florinjtë nxori: “Shiu?!… joooo profesoreshë, jo,… ishin veçse dy pika.

Është media… media, është ajo që i fryn gjërat. Pse vallë duhet ta besoni atë?!”. Qesha pasi fitova një monedhë të artë ferrarottiane. Sociologji Komunikimi. Franco Ferrarotti, ky “guru” i kulturës italiane që ende jeton, shkruan. Pafundësisht shkruan. Pena, kjo bashkëshoqëruese e jetës do të jetë bastuni i tij i mendimit. Do të shkruajë gjithnjë, deri në fund, edhe kur trupi do të jetë aq kryeneç sa të mos t’i bindet mendjes.

Rrëqethshëm, teksa përmendte nobelistin André Gide, që duke vdekur, dora e tij mbi një copë letër shkruante e shkruante, e ndryshe nga ai, që konflikti midis së vjetrës e së resë, teorisë empirike dhe jetës, së shkuarës dhe së tashmes, mbeti i dyzuar, si ajo pak diferencë mes dashurisë dhe ndjenjave, ky dualizëm në perfeksion midis vetes dhe jovetes, ku vetja e fshehur tek individi kërkon të mos mbyllet, por të dialogojë, të dalë jashtë saj, të komunikojë, në veprën e Ferrarotti-t vërtet rrëqeth.

“Homus” Ferrarotian dialogon, komunikon. Ai nuk ndihmon dot vetveten, ai i vetëm nuk e shpëton dot atë, dhe klithma e tij nxjerr në pah tabanin, ashtu të zhveshur, lakuriq, të shoqërisë globale. Në fund të fundit, komunikimi në Romë ish bërë sot kryefjala e ditës. Ferraroti e Bauman. Nga Bauman te Ferraroti. Ndoshta në mendim, ky çiftim më kish lindur anasjelltas. Provokim kombinimi?! Sa gjatë e kam menduar! Mendja nuk fluturonte më te takat, teksa me këmbë përshkoja atë trekëndësh bermudian roman, aty në shpatulla të godinës së botuesit “Siares”, ku bujtonte revista “Critica e Ferrarotit”, ku çuditërish përshkruaja në formë kryqi kryqëzimin mes rrugës “Caetani”, ku tridhjetetre vjet më parë (moshë Krishti) gjendej i vrarë Aldo Moro, emrin e të cilit këtë herë jo çuditërisht mbante “Salla e Verdhë”, ku rrija e ulur pak orë më parë në parlamentin italian.

Çfarë kryqi i çuditshëm biblik, ai virtuali ndërmjet sheshit “Gesù”, selisë historike të demokristianëve italianë, rrugës së “Boteghe Oscure” të komunistëve, “Montecitorio”-s, me atë jo të rastësishmen rrugë “Caetani” të Aldo Moros, presidentit të demokristianëve vrarë nga “Brigadat e Kuqe”?! Kryqi, sheshi “Gesù”, mosha e Krishtit, të gjitha prejardhur nga Jerusalemi i shenjtë, ku çuditërisht mëngjesin e asaj dite e kish pushtuar, veç shiut, edhe ai, hebreu polak, Zygmunt Bauman, edhe ai çuditërisht andej, me origjinë jerusalemniane.

E sikur kjo të mos mjaftonte, ndonëse kërcitja e takave mbi kalldrëmin bilienar roman zbehej paksa, jo nga lodhja, por nga një miskulì mendimesh, këmbët më çonin, ashtu vetë, të programuara sipas një regjie të fshehur diku brenda meje, drejt “Boteghe Oscure”, asaj rruge ku “Drapër e Çekani” nuk ishin më, por çuditërisht sot në “Mundus Day” timen të komunikimit më çoi larg, larg, në embrionin e këtij trekëndëshi të çuditshëm atje në Varshavën e afro gjysmëshekulli më parë, ku në atë vullkan sociologjie zienin ata, Bauman e Ferrarotti, në katedrën e një marksisti, ketë herë me bindje, Adam Schaff. Trekëndëshi mbyllej përsëri, ku këtë radhë ai ishte tjetër, ndryshe nga ai i pari, ai i demokristianëve, ishte i komunistëve, me kulm poshtë.

Këmbët e lodhura si ndieja. Për takat, s’mendoja më. Dy trekëndëshat lidheshin me njëri-tjetrin, duke më dhënë “Yllin e Davidit” dhe kujtoja atë pambarimësi mendimesh, ashtu “alla Ferrarottiane”, ku njeriu dhe jonjeriu, ashtu si semitizmi dhe antisemitizmi, ndryshe nga Krishti e antikrishti, ndërthureshin si gjatë, ashtu edhe pas një ndeshjeje titanësh, e lidheshin nën një pakt i heshtur që kurrë nuk linte zbuluar rrënjët. Një pambarimi ky mendimesh, sikur donte të më ushqente vazhdimisht e vazhdimisht idenë, se jo rastësisht botuesi “Siares” bujtohesh aty, te Maria Immacolata, te shtëpia e saj, ketë herë jo në Jerusalemin e largët, por aty në qendër të Romës, në atë trekëndëshin e ngurtë epokal të partive, në shtëpinë e një tjetër Immacolate, Immacolata Macioti, brilanten sociologe në “La Sapienza”, ku revista “Critica e Ferrarottit, “jo rastësisht edhe kjo, u quajt “Sociologjike”.

Provokim kombinimi? Nuk e mendova më kaq gjatë sa më parë! Buzëqeshja e ëmbël e Maria Immacolata-s, ngjashmërish me atë të italianes tjetrës “Gioconda”, fshiu si shiu apokaliptik i Romës në këtë ditë të jashtëzakonshme komunikimi, ndjenjën time të jofajit, duke demonstruar se klasi i saj i thënë “alla romana” nuk ishte ujë. Këmbët e lodhura s’më bindeshin më t’i largohesha këtij dytrekëndëshi historie tej Adriatikut, t’i largohesha njeriut që shkroi epokën sociologjike në mënyrën më të çuditshme, vetëm me penë, ku fjala gdhendej mbi letër dhimbshëm.

I largohesha një bote, e çuditërisht i afrohesha një tjetre, gjithnjë me këmbë, larg e brenda saj, aty dy hapa më tutje, ngjitur fare, sikur ishte zgjatim amebian i së parës, aty në rrugën “Plebiscito”, te pallati berluskonian, “Grazioli”. Një trekëndësh tjetër?! Vazhdoja të ecja lodhshëm me këmbë. Mendja vazhdonte ende të mos e ndiente lodhjen. Takat?! S’kish shans t’i kujtonte më njeri. Në mbrëmje vetëm pak orë më parë, duke dalë nga ajo “Sallë e Verdhë”, që për mua ndryshe nga Gianfranco Fini që e quajti “Salla Moro”, do të përkojë me Ferrarottin, Paolo Mielli, ky saxhist e drejtor i të famshmeve “Corriere della Sera” e “Stampa”, i drejtoheshe platealisht mjeshtrit të penës sociologike: “Është kënaqësi të të dëgjoj, miku im Ferraroti, gjigant i dy kohërave”.

Paolo Mielli, vetë ai, i shigjetuar prej Berluskonit, për ironi të momentit, aty në Shqipërinë time, larg, vite më parë, kur i kërkonte të ndërronte zanat, sikur i kujtonte mikut të tij të llogores antiberluskoniane, që ai dytrekëndësh i çuditshëm, i kohës së tij të parë, po ndryshonte formë, po rritej dhe koha e tij pafundësish e pashtershme kish ende për të gdhendur me penë edhe në kohën tjetër. Në këtë kohë tjetër. Nuk u çudita. Ishte sociologji komunikimi. Isha në Romë. Isha me Baumanin e Ferrarotti-n. Nuk ishte provokim ai kombinim takimesh.

U nisa në Romë për të parin, ta pyesja. E pyeta. Pas kësaj, por jo nga përgjigjja, mësova ato që vërtet s’dija. Kryqëzim i papritur rrugësh?! Ngandonjëherë përgjigjet gjenden vërtet ashtu.

*Zv.rektore e Kërkimit Shkencor dhe Projekteve Ndërkombëtare në Universitetin “Luarasi” Kjo ese është laureate e çmimit “Caravella” si Eseja e Komunikimit më e mirë e Vitit 2016

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura