“I thashë për kufijtë, ai…”, Thaçi zbulon detaje nga biseda me Trump

Sep 27, 2018 | 8:46
SHPËRNDAJE

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka zhvilluar në Nju Jork një bisedë me homologun e tij amerikan, Donald Trump, si dhe zyrtarë të lartë të administratës së tij, ku ka folur dhe për korrigjimin e kufijve, duke pohuar se ka marrë mbështetjen e SHBA-së për çdo mundësi zgjidhjeje me Serbinë.

thaci trump

Thaçi tha se ka biseduar edhe me zyrtarë të tjerë të lartë të administratës amerikane, përfshirë sekretarin amerikan të shtetit, Mike Pompeo; ndihmëssekretarin amerikan të Shtetit për Europën dhe Euroazinë, Wess Mitchell dhe ambasadoren e SHBA-së në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, Nikki Haley. Sipas Thaçit, i cili ndodhet në SHBA për punimet e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Trump i ka thënë se

“Kosova është vend i mrekullueshëm, me një popull të mrekullueshëm, që meriton të lëvizë më shpejt përpara”. Presidenti i Kosovës tha se Trump “e ndien dhe e njeh problematikën e Kosovës”.

Thaçi thotë se Trump dhe zyrtarët e administratës së tij kanë shprehur një mbështetje të fuqishme për Kosovën. “Administrata e Presidentit Trump e mbështet fuqishëm Kosovën dhe rrugëtimin më të shpejtë të saj në NATO dhe BE”, ka theksuar ai duke shtuar se “E çmon shumë miqësinë e përjetshme të qytetarëve të Kosovës me SHBA-në… Në të njëjtën kohë vlerëson lart punën që po bëhet edhe në situata jo të lehta, kritike”. Presidenti i Kosovës është shprehur se zyrtarët e administratës Trump kanë vlerësuar se “Kosova është në drejtimin e duhur dhe po merr përgjegjësitë e veta”.

Sa për dialogun dhe marrëveshjet me Serbinë, Thaçi tha se “Administrata Trump mbështet dialogun Kosovën-Serbi, arritjen e një marrëveshjeje historike, që nënkupton njohjen reciproke Kosovë-Serbi… SHBA-të konfirmuan qartë se e mbështesin edhe angazhimin që kemi deklaruar në rast të arritjes së marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë, ku mund të përfshihet demarkimi i kufirit dhe korrigjimi i lehtë i kufirit, që do të mbyllte urrejtjen ndërshekullore mes Kosovës dhe Serbisë”.

Me këtë fund të deklaratës , Thaçi ka lënë të kuptojë se SHBA është pro idesë së tij për korrigjimin e kufijve, por deklaratat e Thaçit nuk janë komentuar nga zyrtarët e lartë të SHBA-së.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura