I riu e plagosi me kaçavidë, flet tregtari: S’ishte i kthjellët, më kërkoi që…

Aug 15, 2019 | 9:02
SHPËRNDAJE

LEONIDHA MUSAJ/ Refuzoi t’i shiste telefon, 19-vjeçari i fut kaçavidën në bark tregtarit të celularëve. Ngjarja ka ndodhur mesditën e djeshme në qendër të qytetit të Durrësit, ndërsa Policia vuri menjëherë në pranga autorin.

Policia-e-Durresit

Një dëshmitar që u ndodh rastësisht në vendin e ngjarjes, tha për gazetën se 19-vjeçari qëlloi tregtarin 59-vjeëar, pasi ky i fundit e përzuri nga dyqani. Burime nga grupi i hetimit pohojnë se shtetasi P.M., 19 vjeç, banor i qytetit bregdetar, kishte shkuar një ditë më parë për të blerë një telefon celular te dyqani i shtetasit Q.XH.. Por ky i fundit, duke parë se 19- vjeçari nuk ishte i kthjellët nga ana psikologjike, i tha se nuk shiste telefona, por vetëm pjesë telefonash, me qëllim për ta larguar.

Por dje, 19-vjeçari kishte shkuar sërish në dyqanin e tij dhe kishte kërkuar një celular. Tregtari i ka thënë të largohej nga dyqani dhe në këtë moment 19-vjeçari e ka qëlluar me një kaçavidë që e mbante me vete. Nga goditja, tregtari mësohet se ka marrë dëmtim të lehtë pa rrezik.

Menjëherë 59-vjeçari u dërgua në urgjencë dhe pas mjekimit u largua në shtëpi. Ndërkohë, në vendin ku ndodhi ngjarja patrullonin efektivë të Qarkullimit Rrugor, të cilët ndërhynë menjëherë duke arrestuar agresorin 19-vjeçar, i cili rezulton të jetë më probleme psikologjike. “Plagos me mjet prerës një shtetas, por falë reagimit në kohë të shërbimeve të Policisë Rrugore Durrës vihet në pranga autori i dyshuar.

Më datë 14.08.2019, në lagjen nr.12, shtetasi M.P., 19 vjeç, banues në Durrës, ka plagosur me një mjet prerës (thikë) shtetasin Q.Xh., 59 vjeç, banues në Durrës”, sqaroi Policia.

Policia Rrugore, që ishte me shërbim në atë zonë, është vënë menjëherë në ndjekje të autorit të dyshuar ku brenda një kohe të shkurtër bënë të mundur kapjen e tij. Specialistët për Hetimin e Krimeve në bashkëpunim me Prokurorinë po punojnë për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, ku mbeti i plagosur tregtari 59 vjeç.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura