“I preu rrugën me ‘Toyota’, i nxori kallashnikovin”, si e kërcënoi burrelsi prokurorin e Matit

Dec 7, 2017 | 14:20
SHPËRNDAJE

Burrelsi i arrestuar sot nga policia eshte ai qe ne tetor te vitit te shkuar kercenoi me arme prokurorin e mAtit, nderkohe qe ky i fundit po shkonte ne fshatin ku u asgjesuan 10600 rrënjë kanabis.

“Panorama” shkruante atehere se Prokurori i Matit, Abaz Muça, është përballur me një situatë të pazakontë në punën e tij, teksa ishte nisur drejt vendit të ngjarjes.

polici hashash

I shoqëruar edhe nga një oficer i Policisë Gjyqësore, ai është nisur nga zyra e tij për në vendin ku kishte marrë informacion për parcela të mbjella me lëndë narkotike.

Duke qenë se informacioni i dhënë nga strukturat e sigurisë ishte operativ, dhe bënte fjalë për dyshime mbi implikimin e policëve të caktuar, prokurori i Matit ka vendosur të verifikonte të vërtetën me qëllim që më pas të kryente veprimet e nevojshme hetimore.

Ai është nisur ditën e djeshme i shoqëruar nga një hetues për në zonën e fshatit Myzë, njësia administrative Lis, në Bashkinë e Matit.

Gjatë rrugës për në vendin ku dyshohej se kultivohej drogë, në një zonë pranë fshatit, një automjet tip “Toyota”, fuoristradë, i ka prerë rrugën makinës ku ndodhej prokurori me gjithë hetuesin e çështjes.

Prej saj ka dalë një person i armatosur me kallashnikov, i cili ka bllokuar rrugën. Pas një debati për rreth 15 minuta, personi me armë nuk jepte shpjegime se pse pengonte lëvizjen në rrugë. Për këtë arsye, prokurori me oficerin janë kthyer mbrapsht dhe kanë njoftuar policinë.

Forcat e rendit të shoqëruara edhe nga FNSH, në prani të prokurorit, kanë shkuar në zonën ku kultivohej kanabisi dhe kanë gjetur parcelat e mbjella me 10600 rrënjë.

ZBULIMI I DROGËS

Plantacioni me lëndë narkotike është zbuluar dhe asgjësuar nga Policia e Matit, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit. Mësohet se oficerë të Prokurorisë Mat janë informuar se në fshatin Myzë, të njësisë administrative Lis, Bashkia e Matit, buzë lumit me të njëjtin emër, ndodhet një parcelë e madhe me bimë narkotike.

Pas njoftimit nga prokurori Abaz Muça, për praninë e personit të armatosur rrugës për te zona e dyshuar, është vendosur të kërkohet ndihma e Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë. Sipas zyrtarëve të Policisë, në tokat pjellore të Myzës janë zbuluar dhe asgjësuar me anë të djegies 10 mijë e 600 rrënjë kanabis sativa.

Burimet shtuan se toka ku ishin mbjellë bimët narkotike ishte hapur muaj më parë dhe nuk u përkiste banorëve të Myzës. Në momentin e mbërritjes së Policisë lokale dhe Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë në parcelat e kultivuara, nuk është gjetur asnjë person, çka hedh dyshime se ata janë njoftuar për operacionin e Policisë.

 

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura