I nxorri videon me armë në dorë, Ardi Veliu takon Zaida Çobon: Ishte e lënduar nga komenti im. Jam I keqardhur për…

Jun 7, 2020 | 17:24
SHPËRNDAJE

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Ardi Veliu i ka kërkuar sot personalisht ndjesë publike Zaida Çobos, nënës së 15-vjeçarit të dhunuar nga 4 efektiv policie në Tiranë. Ndjesa e Veliut vjen pasi ky i fundit gjatë  mbledhjes së Komisionit të Sigurisë Kombëtare, ka publikuar një video të nënës së 15-vjeçarit, ku ajo mbante një armë në dorë.

Para deputetëve, Ardi Veliu tha se video tregonte se nga çfarë familje vinte 15-vjeçari, që sipas tij u dhunua pasi nuk iu bind urdhrit të policisë. Por pas kësaj deklarate publike që mori vëmendjen e të gjitha mediave u zbulua se Zaida Çobo, nënë e Sarandi Çobos ishte aktore dhe pamjet e publikuara nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, ishin prapaskenat e xhirimit të filmit, “Dashuria s’mjafton”.

zaida ardi

Nëpërmjet një shënimi në facebook, Veliu sqaron se Zaida ishte e lënduar nga komenti i tij, ndërsa ai ndihej i keqardhur.

Drejtori i Policisë thekson se ato fjalë që janë thënë nuk kishin qëllim justifikimin e policit (i cili është pezulluar menjëherë pas ngjarjes).

“Sot u takuam me zonjën Zaida Çobo, e cila me të drejtë u ndje e lënduar nga komenti im që mori edhe shumë kritika publike.

Dëshiroja që ndjesën time publike t’ia bëja zonjës personalisht dhe më vjen mirë për mirëkuptimin e saj.

Përfitoj nga rasti ta përsëris edhe njëherë që jam i keqardhur për komentin tim dhe shpresoj që të jetë kuptuar nga të gjithë që ato fjalë nuk kishin qëllim fare të justifikonin policin (i cili është pezulluar menjëherë pas ngjarjes).

Po ashtu nuk më ka shkuar kurrë mendja të lëndoj zonjën apo familjen e saj me atë koment. Ndjesë edhe njëherë!” – u shpreh Drejtor Veliu pas bisedës.

Në takimin e sotëm Veliu ishte i shoqëruar edhe nga Zv.drejtorja e Përgjithshme Aida Hajnaj.

Menjëherë pas publikimit të videos nga Veliu, Zaida reagoi duke e përgënjeshtruar videon dhe tha se ajo sekuencë ishte pjesë e një filmi ku ajo kishte marrë pjesë. Më vonë ngriti edhe një padi kundër drejtorit të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu.

LEXO EDHE:

“Ja nga çfarë familje vjen ky djalë, gjykojeni vetë”/ I publikoi videon,  nëna e 15 vjeçarit të dhunuar nga policia padit Ardi Veliu: Më cenoi dinjitetin. Kërkon dëmshpërblim…

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura