“I kisha humbur shpresat te dashuria, derisa njoha mashkullin e rrallë të jetës sime”

Jan 28, 2016 | 13:05
SHPËRNDAJE

Juliana Dodaj, e cila në “Big Brother 7” arriti të bënte përshtypje me tipin e saj të zhurmshëm, tashmë ka lënë Italinë për të vazhduar jetën e saj në Shqipëri. E specializuar për estetikë, Xhuli ka nisur punën në sallonin e saj në Tiranë, ndërkohë që po jeton një lidhje të fortë, që i ka rikthyer besimin në dashuri.

Se çfarë e bën të veçantë partnerin e saj të ri, e përshkruan në këtë intervistë për “Panoramën”…

Si po shkon biznesi i sallonit të bukurisë, ke arritur aty ku dëshiroje nga jeta e re në Shqipëri?

Është ende herët për të arritur aty ku dua unë, pasi është biznes i ri, plus që ka mjaft krizë aktualisht. Por nuk demoralizohem, jam tip që kur e dua diçka, e arrij gjithmonë, pa u dorëzuar. Dhe le të themi që kam shumë plane për të ardhmen e biznesit, por duhet pak kohë, pasi s’dua të ndalem thjesht te salloni. Kërkoj shumë më shumë nga vetja.

Arrin të fitosh para sa për të bërë një jetë të mirë në Tiranë?

Pyetje e lezetshme, por nëse nuk do të arrija, nuk do qëndroja një sekondë më shumë këtu në Shqipëri.

Xhuli 5 12583825_881650831947613_1123421522_n

Fama që more në “Big Brother” të shërbeu për sipërmarrje si kjo?

Fama që mora në “BB” s’më vlejti për asgjë, mbase dhe nga fakti që unë nuk u mora me këtë pjesë, por preferova të jetoja jetën time ashtu si e lashë jashtë shtëpisë, që do të thotë të kem jetën time private dhe jo të jetoja në media. Nuk pendohem për këtë vendim timin, madje jam shumë më e lumtur dhe më e qetë kështu.

Ndërkohë të kemi parë me statuse të lumtura dashurie në rrjetet sociale. Ndihesh e plotësuar me të dashurin tënd?

Në fakt, i kisha humbur shpresat se do të gjeja dashurinë, më saktë princin tim. Por ai më ka bërë optimiste jo vetëm në dashuri, por në përgjithësi për jetën. Nuk ndihem thjesht e plotësuar, por super e plotësuar.

Çfarë të ka bërë të dashurohesh me të dhe ç’mund të thuash më shumë për këtë lidhje? Çfarë më ka bërë të dashurohem?

Ai ka shumë cilësi si njeri dhe po të nis të flas, nuk do të mjaftonte komplet gazeta “Panorama”. Por do them dy-tri gjëra që tek asnjë person s’i kam gjetur dot më parë. Ai është njeriu me pozitiv që kam njohur ndonjëherë, ka një buzëqeshje që sa e shoh më qetëson dhe më fal mirësi, është njeri shumë i drejtë dhe gjithmonë mundohet t’i shohë mirë të tjerët.

Xhuli 2 12583853_881650221947674_91585816_n

Në marrëdhënie me ty është egoisti apo altruisti?

Është shumë altruist, me pak fjalë është njeri dhe jo “kafshë”, pra nuk është egoist. Di të them vetëm që djem si i dashuri im janë të rrallë. Hyrja e tij në jetën time ka qenë e papritur, por tashmë e domosdoshme, pasi më ka ndryshuar, më ka pjekur dhe më ka hapur sytë. Ne nuk jemi thjesht të dashur, është diçka më intensive dhe më e bukur, pra raporti që kemi me njeri-tjetrin.

Është djalë i njohur? Mund të na e zbulosh kush është ai?

Ai është personi që unë dua më shumë. Besoj mjafton kaq për momentin. Kjo lidhje për mua është e shenjtë, dhe bërjen publike po ia lë kohës.

Mund të quhet lidhje e konsoliduar, sa kohë u bëtë bashkë?

Nuk kemi shumë kohë bashkë, por me aq kohë sa kemi, më duket sikur kemi shumë vite. Dhe kjo ndodh sepse të dy i përkushtohemi mjaft njëri-tjetrit për çdo gjë.

Më shumë se cilido çift duket se do ta festoni Shën Valentinin, nga mënyra si i përshkruan ndjenjat për të. Çfarë dhurate do të dëshiroje nga ai?

Shën Valentin ne e kemi çdo ditë. Të them të drejtën, çdo ditë marr shumë e më shumë prej tij, por dhurata më e bukur nuk blihet dot, pasi ai më ka falur zemrën. Dhe kjo mua më mjafton më shumë se çdo gjë. Unë nuk jam tip që pres dhurata, më mirë të them nuk i dua fare. Nuk dua dhurata më të shtrenjta se koha, besimi dhe respekti. Këto janë kryesoret dhe duke qenë se i marr çdo ditë, kjo është arsyeja pse them Shën Valentin e kam çdo ditë. E pse duhet të fokusohemi vetëm te një ditë për të shprehur atë çfarë ndjejmë?!

Xhuli 1 12625929_881650185281011_908596834_n

Po ti çfarë do t’i dhurosh?

Do t’i dhuroj ditë plot dashuri dhe lumturi. Edhe një dhuratë tjetër të vogël, por është personale.

Jeni çift romantik dhe si e kaloni kohën bashkë?

Kalojmë shumë kohë me miqtë. Por kur jemi vetëm, jemi tipa që rrimë e shohim ndonjë film me pop korn para televizorit, më shumë si vëlla e motër. Nuk na pëlqen dhe aq shumë romanticiteti, unë them rrallë e për mall.

E e ka ndryshuar jetën tënde kjo lidhje, vazhdon të bësh jetë nate?

Dilja shumë shpesh për jetë nate, por tani më pak pasi nuk mund të bëj dhe qejf dhe të mbaj punën. Por kur dal, dal me shoqëri, shumë rrallë me partnerin.

Historia e re e dashurisë mund të çojë drejt martesës?

Është ende herët të mendoj për dasmë. Si fillim duhet të merrem me gjërat e mia një herë, dhe t’i vë pikat mbi “i”, pra të arrij atë çfarë dua, dhe pastaj të mendoj të krijoj familje.

Ke frikë se mos zhgënjehesh nga ky raport?

Gjërat bëhen të qarta që në fillim për çdo gjë, kështu që çdo gjë ia lë kohës dhe çfarë të jetë e shkruar. Por, gjithsesi, jam e bindur që nuk do të zhgënjehem ndonjëherë nga një person që është treguar gjithmonë i sinqertë me mua, dhe që më ka dhuruar vetëm ditë gëzimi.

Përgatititi: KLOTILDA HARKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura