I dënuar me 3 vite burg në Greqi për dy vepra penale/ Sherri i 20 viteve më parë i rrëzon mandatin kryebashkiakut, SPAK e merr të pandehur

Nov 2, 2021 | 8:25
SHPËRNDAJE

MARIGLEN KUME/ Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka marrë si të pandehur kryebashkiakun socialist të Mallakastrës, Qerim Ismailaj

HETIMET

Në njoftimin e SPAK-ut thuhet se është regjistruar procedimi penal në ngarkim të tij, si i dyshuar për veprën penale “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”. “Në kuadër të këtij procedimi penal janë kryer një sërë veprimesh hetimore dhe në përfundim është konkluduar se, shtetasi Qerim Ismailaj ka konsumuar elementët e veprës penale të parashikuar nga neni 190, paragrafi i parë i Kodit Penal, e për rrjedhojë, i është komunikuar akuza, është marrë me cilësinë e të pandehurit dhe janë përfunduar hetimet. Sot (dje) me datë 01.11.2021, nga Prokuroria e Posaçme është dërguar kërkesa për gjykimin e çështjes pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, në ngarkim të të pandehurit Qerim Ismailaj, me funksion kryetar i Bashkisë Mallakastër, për kryerjen e veprës penale ‘Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve’ të parashikuar nga neni 190 paragrafi i parë i Kodit Penal”, thuhet në njoftimin e SPAK-ut.

REAGIMI

Pasi SPAK-u mori të pandehur kryetarin e Bashkisë Mallakastër, Qerim Ismailaj, reagoi edhe Partia Demokratike përmes sekretarit të Përgjithshëm Gazment Bardhi. Me anë të një postimi në “Facebook”, numri dy i PD-së mirëpriti aktin e Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion. Në postimin e tij, Bardhi shkroi se të zgjedhurit në Parlament, në qeveri dhe në bashki duhet të jenë shërbëtorë vetëm të interesave të qytetarëve. Sipas tij, me kallëzimin që PD-ja bëri në SPAK thjesht treguan me dokumente se mandati i Ismailajt ishte i paligjshëm. Përmes vetingut në politikë thotë Bardhi, duhet të zhbëjmë modelin e politikanit gangster. “Marrja si i pandehur i uzurpuesit ilegjitim të Bashkisë së Mallakastrës është një akt i mirëpritur drejt pastrimit të politikës. Me kallëzimin tonë në SPAK, pasi treguam me dokumente se mandati i tij ishte i paligjshëm, PD-ja bëri vetëm detyrën ndaj qytetarëve.

Ne i qëndrojmë bindjes sonë se mund të ecim përpara drejt zhvillimit pa politikanë të korruptuar e të lidhur me krimin. Të zgjedhurit në Parlament, në qeveri dhe në bashki duhet të jenë shërbëtorë vetëm të interesave të qytetarëve. Edi Rama futi në politikë modelin e politikanit gangster, që rri në pushtet në aleancë me krimin. Ky model duhet zhbërë përmes vetingut në politikë. Shqiptarët meritojnë të qeverisen nga politikanë me integritet”, shkroi Bardhi. Kryetari i Bashkisë Mallakastër, Qerim Ismailaj, rezulton i dënuar me 3 vite burg në Greqi, për dy vepra penale.

Pas hetimeve të kryera nga prokuroria, kryebashkiaku i denoncuar nga Partia Demokratike, rezulton me probleme me ligjin e dekriminalizimit. Sipas Prokurorisë shqiptare, ai është dënuar në vitin 2000 me vendim të formës së prerë nga një gjykatë greke, për dy vepra penale. Por, ky dënim, në Shqipëri korrespondon me një dënim vetëm me gjobë, për një vepër penale. Verifikimi u krye pas denoncimit të Partisë Demokratike në janar të vitit 2020, me pretendimin se Ismailaj ishte dënuar për kryerjen e veprimeve të dhunshme në Greqi, por se nuk e ka vuajtur dënimin.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura