Hoxha dhe Lukas trembin Partizanin, Dalipi bën ndryshime në formacion

Apr 20, 2018 | 10:12
SHPËRNDAJE

Partizani-Skënderbeu konsiderohet si finalja e të kuqve për të arritur objektivin, pjesëmarrjen në Kupat e Europës. Pas tronditjes që pësuan në Kukës, të kuqtë po mundohen ta marrin veten dhe të kthehen tek ecuria pozitive që patën nën drejtimin e trajnerit Klevis Dalipi në 5 ndeshjet e para.

partizanii

Por, përgatitjet për këtë takim nuk po shkojnë siç duhet, pasi “demat” po përndiqen nga dëmtimet e lojtarëve. Egzon Belica mungoi në Kukës, pasi problemi që pati në qafë e la jashtë fushës së lojës. Mbrojtësi 27-vjeçar prej dy ditësh i është bashkuar ekipit dhe shihet gati për sfidën e së hënës me Skënderbeun. Por, sëmundja e struganit me sa duket është “ngjitëse”, pasi të njëjtin shqetësim si të Belicës pati dje edhe portieri Alban Hoxha.

hoxha

“Gardiani” zbriti në terrenin stërvitor, por dukej qartë se nuk ishte në gjendje, pasi ishte i bllokuar në qafë. Pas trajtimit të stafit mjekësor, Hoxha qëndroi pak në pankinë duke parë fillimin e seancës dhe më pas u largua, pasi ishte i pamundur për t’u përgatitur. Stafi dhe vetë lojtari shpresojnë që problemi të kalojë sa më shpejt, në mënyrë që të jetë gati për Skënderbeun. Alarmi tjetër që lindi në seancën e djeshme ishte dëmtimi i brazilianit Lukas Kardozo.

kardozo

24-vjeçari e nisi normalisht seancën, por një goditje që mori në kavilje e detyroi që të ndërpriste përgatitjet. Lukas e ka marrë ndihmën e parë mjekësore në pankinën e fushës stërvitore dhe më pas u la pushim. Me atë që u pa dje, u la të kuptohet se Hoxha dhe Lukas trembin disi para Skënderbeut, por stafi ka siguri në riaftësimin në kohë të dy lojtarëve, që mendohen si titullarë të hënën.

hoxha

FORMACIONI- Në transfertën e Kukësit, trajneri Dalipi pati probleme në rreshtimin e mbrojtjes, pasi Ibrahimi ishte i pezulluar, ndërsa Belica u dëmtua pak para ndeshjes. Të dy këta lojtarë janë gati për ndeshjen e 23 prillit ndaj korçarëve. Në dallim nga ndeshja e fundit, ndryshimet në formacion janë të pritshme, pasi Belica dhe Ibrahimi pritet të marrin vendet që kanë pasur deri para Kukësit, si dhe Progni të avancojë në fazën sulmuese.

Partizani-Skenderbeu-470x313

Por, mendohet të ketë edhe lëvizje të tjera. Në seancën e djeshme, trajneri Dalipi i ka përzier lojtarët gjatë ndeshjes së kontrollit të zhvilluar brenda grupit. Por me atë që u pa, Lorenc Trashi është piketuar si mbrojtës i majtë.

Formacionet

Trajneri Klevis Dalipi që pas disfatës në Kukës e dha sinjalin se te Partizani nuk ka të paprekshëm, ndaj askush nuk e ka të sigurt fanellën e titullarit. Me atë që është parë në dy seancat e fundit, trajneri ka lënë të kuptojë se ndryshimet do të jenë të prekshme në çdo repart. Gjithsesi, ka ende kohë për të dalë në konkluzionin final, pasi ndeshja me Skënderbeun do të luhet të hënën e 23 prillit, ora 19:00, në stadiumin “Selman Stërmasi”.

ILIR CARA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura