Homazhet/Lamtumira e fundit për mbinjeriun MOIKOM

Jun 21, 2020 | 11:10
SHPËRNDAJE

Anila Dedaj/ Është vallë një mirazh… ai i fluturimit të pandalshëm të eruditit Moikom Zeqo edhe pas vdekjes, sikundër kapiteni holandez i “Fata Morganas” së tij?!

mm

Në oborrin atrium të Muzeut Historik Kombëtar, ndërsa ceremoninë e shoqërojnë tingujt e muzikës klasike, karvani i gjatë i vizitorëve që vjen për t’i dhënë lamtumirën e fundit, pavarësisht rrethanave jo të zakonshme të pandemisë, është dëshmi e dashurisë që ai diti “të mbjellë” te njeriu. Është e shtunë, dita e gjashtë prej mungesës fizike të tij dhe në respekt të dëshirës që pat shprehur, homazhet i mbahen në institucionin që drejtoi për 8 vjet (1998-2006), për t’u përcjellë më pas në banesën e fundit në varrezat e Sharrës. I rrethuar nga katër piktura të tij, fotografia e sjell të qeshur portretin e poliedrikut.

Me kapelën republike, që dukej sikur “fshihte” misterin e dijeve të tij të gjithanshme, vështrimin vëzhgues, ngjan sikur kërkon të thotë: “Me syrin e poezisë në ballë/ Edhe në vdekje, jam i gjallë”… Të gjallë kujtimin e studiuesit, shkrimtarit, arkeologut, historianit, piktorit, politologut, intelektualit, krahas veprës, miqve e kolegëve, e mbajnë me vullnet e dashuri “të hekurt” familjarët e tij.

Djali, Epidamni, si simbolikë e asaj që duhet të ishte vetëm një ditë gëzimi, mban veshur kostumin e dasmës së tij (Po atë ditë, 5 vite më parë, Moikom Zeqo kishte mësuar se vuante nga leucemia akute dhe se në këto kushte nuk mund të jetonte më shumë se 9 vjet). Vajza e madhe, Arnisa, ka vendosur kollaren e kuqërremtë të atit të dashur, ndërsa Kleita një prej kapelave të tij. Në pritje të ëmbël, me nipin që studiuesi nuk arriti ta njohë, vajza e vogël duket se e ka më të vështirë të përmbajë lotët. Pranë Lidës, bashkëshortes së studiuesit, qëndrojnë dy vëllezërit e tij, me të cilët po ashtu kishte një lidhje të fortë.

Një kurorë prej Libohove dhe “delegacioni” nga Kosova

Në ceremoninë e lamtumirës së fundit, Moikom Zeqo bashkon shqiptarët nga të gjitha trevat shqipfolëse. Teksa kalojnë në atriumin e Muzeut Historik, dashamirësit e tij qëndrojnë pak çaste para fotografisë së eruditit, gati duke krijuar një monolog të heshtur… Rrethohet nga buqeta e kurora lulesh, të ardhura nga Durrësi ku u lind e u rrit, Tirana e të tjera qytete, deri te Libohova e babait të tij, të cilin e humbi në moshën 10-vjeçare. Një delegacion, me në krye Albin Kurtin, vjen nga Kosova për ta nderuar pak çaste para përcjelljes për në banesën e fundit. Më tej, trupi i tij përshkon rrugëtimin e fundit në mbitokë, ndërsa vepra humane dhe krijimtaria pa kohësi rrëfejnë misionin e përmbushur të dijetarit të pazakontë, mbinjeriut Moikom.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura