Homazh për lirikun Koçi Petriti

Apr 10, 2015 | 12:10
SHPËRNDAJE

ANTON PAPLEKA

   Homazh në 1-vjetorin e ndarjes nga jeta të poetit lirik

“Për shkak të ‘studiuesve’ të politizuar, krijimtaria e tij s’është studiuar dhe vlerësuar aq sa e meriton”

“Ai nuk ka nevojë për asnjë monument tjetër, përveç poezisë së tij, një nga pemët më të fuqishme të pyllit të shenjtë”.
Roger Little

Para se të mbyllte sytë Koçi Petriti, i shkova në shtëpi bashkë me shkrimtarin Moikom Zeqo. Megjithëse kishte zënë shtratin, ai nuk e jepte veten, nuk ankohej. Nga fjalët apo nga qëndrimi i tij nuk dukej se vuante nga ndonjë ankth. As atij vetë, as të afërmve që e rrethonin me përkujdesje, as ne që ishim miq të tij të ngushtë, nuk na shkonte në mendje se pas pak ditësh ai do të ndahej nga jeta dhe nga poezia, kjo jetë e dytë, paralele, e poetit të vërtetë.
Ngaqë na ishte bërë zakon gjatë bisedave të mëparshme, por edhe për të larguar sadopak atmosferën e zymtë që rrethon një të sëmurë, ne përmendëm poetë të ndryshëm dhe ndonjë poezi që e kishim më për zemër. I turbulluar nga ajo vizitë e pazakontë, unë zura ngoje edhe baladën “Mbreti i Tulës”, të cilën e kisha recituar bashkë me Koçiun më se një herë. Me të drejtë, pasi u larguam nga shtëpia e mikut tonë të sëmurë, Moikomi më tha se nuk duhej ta kisha përmendur baladën “Mbreti i Tulës”, ku flitej për vdekjen. E pranova se kisha gabuar, por më tepër sesa një poezi për vdekjen, balada në fjalë a nuk ishte një sublimim i kujtimit që sfidon harrimin dhe vdekjen vetë?! Dhe në fund të fundit, a nuk ishte edhe poezia e Koçi Petritit një sfidë kundër rëndomësisë së jetës, një përpjekje prej alkimisti për ta shndërruar në ar plumbin e jetës së përditshme, siç thoshte Baudelaire-i, për të shpëtuar nga harrimi çastet më të bukura ose më dramatike të jetës njerëzore? Mendoj se kjo ka qenë një nga arsyet që miku ynë poet e ndiente aq të afërt baladën e Gëtes.
Pak ditë pas vizitës sonë, Koçi Petriti ndërroi jetë. E la këtë jetë tokësore, që për të qe treguar dorështrënguar në gëzime. Ashtu si Trina e Mjedës që “shkoi me bujtë te Zoja” (ky ishte një nga vargjet më të parapëlqyera të Koçiut), miku ynë shkoi të bunte në universin e poezisë, në gjirin e tokës që rrit bumbeskat dhe kallinjtë…

* * *

Koçi Petriti
Me Koçi Petritin jam takuar për herë të parë në vitin 1963, kur të dy ishim studentë në kursin e gjuhës e të letërsisë shqipe, në USHT. Në të vërtetë, atë e kisha njohur më përpara, kur kisha lexuar përmbledhjen “Lirikat e majit”, për të cilën sot mendoj se mbetet një nga librat më të mirë të poezisë shqipe të gjysmës së dytë të shekullit XX.
Megjithëse Koçiu ishte i vetmi student që kishte botuar një libër, ai nuk mbahej më të madh, nuk pozonte. Ishte njeri i afruar, i shoqërueshëm. Në marrëdhënie me shokët, për të nuk ekzistonin përkatësia fetare, krahinore, klanore. Këtë gjë e kam vënë re gjatë gjithë jetës së tij. Në bisedat e shumta për letërsinë që kemi bërë vitet e fundit, Koçiu vinte në krye të vendit Ndre Mjedën. Në moshë të pjekur, ai botoi studime për Mjedën dhe për Migjenin, kurse për Martin Camajn, një autor nga veriu, shkroi një monografi të tërë, doktoratën e tij. Koçiu ishte student i rregullt në çdo pikëpamje. Vishej me sqimë. Sjellja e tij ishte e fisme, prej qytetari të vërtetë. Ishte zemërgjerë, nuk vuante nga ambicia, nga xhelozia letrare. Nuk fliste për veten, për krijimet e veta. Nuk përpiqej të impononte mendimin e tij. Gjatë bisedave tona, asnjëherë nuk e kam dëgjuar të përgojojë ndonjë autor apo të shajë ndonjë libër.
Koçi Petriti adhuronte dy gjëra: të bukurën në të gjitha shfaqjet e saj dhe poezinë. Megjithëse vetë praktikonte vargun e matur, ai e pëlqente edhe poezinë me varg të lirë. Një ditë kishte sjellë në auditor një përmbledhje të Paul Éluard-it, të sapopërkthyer. Ia kërkova të ma huante, pasi ta mbaronte së lexuari. Koçiu nuk e bëri dot këtë gjë, sepse ai që ia kishte dhënë, ia kërkoi t’ia kthente me ngut. Për shkaqe që i di vetëm censura e asaj kohe, edhe poeti komunist francez, i vdekur më 1952, u hoq nga qarkullimi dhe u dërgua për karton.
Sa qemë studentë, disa herë ia kemi lexuar dorëshkrimet njëri-tjetrit, kemi shëtitur nëpër qytet apo jemi ulur në ndonjë lokal për të pirë nga një birrë. Pas mbarimit të studimeve të larta, Koçiun e kam takuar fare rrallë, sepse ai u emërua mësues në Librazhd, kurse unë isha mësues në një fshat të Tropojës. Që nga kjo kohë, komunikimi ynë vazhdoi vetëm përmes përmbledhjeve që botonim. E vërteta është se në atë kohë procesi i botimit ishte i mundimshëm e i dhimbshëm, sepse dorëshkrimet pësonin gjithfarë gjymtimesh e modifikimesh, por nuk mund të them se ky proces është përmirësuar në ditët e sotme, kur fati i poetit varet nga ca botues matrapazë, për të cilët ekziston vetëm një kriter: vlera komerciale…
Në kushtet e një censure të gjithëpranishme dhe të një mediokriteti mbytës, Koçi Petriti punoi me ngulm për të përsosur artin e tij. Ai u bë vërtet një mjeshtër i fjalës shqipe, një individualitet i papërsëritshëm. Pikëpamjet e mia për veçoritë dhe vlerat e poezisë së këtij autori i kam shtjelluar në disa shkrime të botuara më parë. Për t’u shprehur në mënyrë sa më sintetike, do të doja të veçoja dy nga tiparet themelore të krijimtarisë së tij: ai shquhet për një ndjeshmëri të hollë, që nuk e hasim në këtë shkallë te ndonjë poet tjetër i traditës apo i bashkëkohësisë. Në vargjet e tij ndihet frymëmarrja e barit, zhurmërima e limfës që qarkullon në dejet e drurëve, pëshpërima e një gjetheje që bie nga dega apo e flokëve të borës që shtrohen mbi lëvoret e pemëve. Poezia e tij, sidomos «Lirikat e majit», më kujton një varg magjepsës të Ciklit të Kreshnikëve: «Po e sheh barin kah po rritet…».
Me këtë rast, dua të theksoj se Koçi Petriti e njihte mirë dhe e çmonte shumë poezinë gojore shqiptare, nga e cila dinte përmendsh vargje të tëra. Në një nga bisedat që pata me të, para se sëmundja ta detyronte të zinte shtratin, ai më recitoi një fragment kënge, të cilin e shënova në bllokun tim: «Ç’âsht ai yll e ç’âsht ajo hânë / Tek ai mali përmatanë? / Nuk âsht yll e nuk âsht hânë, / Por janë nâna me babanë…». A mos vallë këto vargje i qenë ngulitur në kujtesë, ngaqë e parandiente se do të shkonte pranë prindërve të tij, për të cilët fliste shpesh vitet e fundit, sidomos për babanë që e adhuronte!
Siç e kam vënë në dukje edhe në ndonjë shkrim të mëparshëm, nga natyra e tij, ai qe e kundërta e poetit të tribunave, e poetit trumbetues e zhurmëmadh, që kishte si devizë vargun “Dhe kënga dhe vargu është bombë e flamur!”. Koçi Petriti ishte një poet, të cilit i pëlqente të këndonte in sordina. Mendoj se kjo veçanti e poezisë së tij më të zgjedhur përbën një prurje të re në poezinë shqipe…
Autorët e brezit që hyri në letërsi në vitet ’70, në të cilin bënte pjesë edhe Koçi Petriti, nuk patën poste partiake dhe shtetërore, nuk gëzuan përkrahjen politike të ndonjë hierarku. Për këtë arsye, atyre u mungoi edhe përkrahja e kritikës, e cila nuk qe as kompetente, as objektive. Për shkak të “studiuesve” të politizuar, të djeshëm e të sotëm, të cilët i kanë shërbyer dhe i shërbejnë vetëm asaj partie që u dhuron poste me rroga të majme, krijimtaria e Koçi Petritit nuk është studiuar dhe nuk është vlerësuar aq sa e meriton. Pavarësisht nga kjo gjë, kam bindjen se poezia e tij do të ketë lexues sa të ekzistojë gjuha shqipe, të cilën ai e përdori me virtuozitet të rrallë. Miqtë e tij do ta kujtojnë me nderim lirikun me ndjeshmëri të hollë dhe mjeshtrin e pashoq të baladës, derisa t’u fiket drita në sy, ashtu si mbretin e Tulës në baladën e Gëtes.

Prof. as. dr.
Anton Papleka

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura