Homazh për emblemën e gjelbëruesit shqiptar, agronom Tomson Nishani

Sep 27, 2021 | 21:02
SHPËRNDAJE

tomson

Nga Dr. Sulejman Sula “Mjeshtër i Madh”

“Me pasion të madh dhe me nivel të lartë shkencor, gjatë viteve të punës, ai është përkushtuar tërësisht me problemet e gjelbërimit shqipëtar”

Tomson Nishani është personaliteti më i njohur brenda dhe jashtë vendit si krenaria e gjelbërimit në Shqipëri, i shquar në përsosmërinë e prodhimit të fidanëve, si arkitekt e pejsazhist në teknikën e kompozimit të bimëve dekorative, si autor i 13 librave me përmbajtje shkencore dhe si njohës e përdorues i katër gjuhëve të huaja. Ai e ngriti teknikën e gjelbërimit në rang shkencor dhe e rradhiti përkrah degëve të tjera të shkencës shqiptare.

Bota e luleve dhe bimëve të tjera dekorative është e pandarë nga hartuesi i teorisë dhe rrëfyesi i praktikës së kultivimit të atyre, nga i mirënjohuri Tomson Nishani. Ai, si agronom me emër e fame, i pasionuar e dhënë pas florës dekorative, është vlerësuar si profesor nga shokët, bashkëpunëtorët dhe dashamirët e tij në Shqipëri dhe jashtë saj. Lindi në qytetin e Gjirokastrës më 26 nëntor të vitit 1932. Arsimimin e filloi në qytetin e lindjes ku jetoi për 12 vite, më pas e vazhdoi në Tiranë me ardhjen me banim familjar në vitin 1944. Gjatë viteve 1948-1952 kreu shkollën e mesme bujqësore në Kamëz, Tiranë dhe pasi kreu shërbimin e detyrueshëm ushtarak, vijoi studimet e larta në Fakultetin e Agronomisë me rezultate të shkëlqyera. Mësimet në lëndën e Florikulturë-Dendroflorës i mori nga pararendësi i florikulturës shqiptare, pedagogu Skënder Rusi, i diplomuar në Perugia të Italisë.

Kujtimet të rinojnë. Ndaj e kemi për detyrë t’i përgjithësojmë e t’i risjellim në kujtesë me qëllimin e mirë për të mësuar dhe ecur përpara, një me kohën, me përparimtaren dhe civilizimin mbarë shoqëror. Kjo duhet të bëhet dhe me gjelbërimin me lule, bimë dhe dru dekorativ, mbulesa të blerta me bar, sipërfaqe me ujë dhe me tërësinë e veprave arkitektonike, etj. Këto e të tjera dhurojnë më shumë buzëqeshje, dashuri, afrojnë delikatesë dhe zbusin shpirtrat njerëzor, gjë që nevojitet shumë në arritjen e mirëcilësisë se jetës në paqe e harmoni.

Janë me dhjetëra specialistë e qindra punonjës të dalluar në gjelbërimin e hapsirës shqipëtare, por emër të veçantë, në nivelin e legjendës mban agronom Tomson Nishani, i cili më dukshëm nga të tjerët shfaqi pasionin, dashurinë, aftësitë, këmbënguljen dhe përkushtimin në futjen dhe konsolidimin e kulturës së gjelbërimit, brenda kulturës së qytetërimit të shoqërisë shqipëtare. Si i tillë, ai është e djeshmja e historisë së gjelbërimit dhe me shembullin e rrefimet e dhëna prej atij, mbetet modeli për të sotmen dhe burim frymëzimi për të ardhmen e gjelbërimit shqipëtar.

Tomsoni e filloi jetën profesionale dhe karrierën e gjelbëruesit në vitin 1958, me punësimin në sistemin e shërbimeve komunale në Parkun e Madh të Tiranës, i cili sapo krijohej. Me plot pasion, energji dhe dituri, u përkushtua në aplikimin e gjelbërimit bashkëkohor, duke fituar zë të mirë për dijet e thella në Florikulturë. I përkushtuar në plotësimin e detyrave, me kulturë qytetare, sjellje të mirë dhe me dije shkencore është vënë në drejtimin e Fidanishtes së florës dekorative të Tiranës, të cilën shpejt arriti ta kthente në model për gjithë vendin dhe në bazë për furnizimin me bimë në disa rrethe. Këtu spikatën dhe më fuqishëm aftësitë menaxhuese e ato profesionale të konfirmuara në ristrukturimin, hartëzimin dhe grupimin e llojeve të bimësisë, vargëzimin optimal të shumëzimit të bimëve, futjen e mënyrave të reja të shtimit të bimëve, etj. Me merakun dhe vëmendjen e studiuesit evidentoi florën e rrallë bimore të Tiranës, ku saktësoi bimët e veçanta, ndonjëra prej të cilave mori cilësimin e bimës monument natyre.

Me këto risi, arriti ta kthente fidanishten me serën përkatëse në shkollë të vertetë didaktike, ku bëhej eksperimentim mbi baza shkencore dhe shërbente si auditor për specialitët dhe pedagogët e disa fushave. Realizimi me sukses i të gjitha detyrave dhe me nivel të paparë e bënë të vetën, duke iu rritur vlerat si drejtues e specialist pararojë. Përvojë të madhe solli dhe agronomia me kombësi hungareze Edith Mohasci (Çeliku) e diplomuar në degën e lultarisë në Universitetin e Budapestit. Si eksperte, vendosi mbi baza shkencore fidanishten e luleve me serra në Brakë. Hodhi baza në florikulturën e përparuar të Tiranës. Në bashkëautorsi me kolegun Tomson Nishani botuan në vitin 1965 librin “Lulet dhe kultivimi i tyre”.

Parku i Madh me sipërfaqe 360 ha. dhe Liqeni Artificial me sipërfaqe deri në 48 ha. janë vlerësuar si mushkëria e qytetit, dhe si krenaria ekologjike e krijuar nga dora e njeriut për njerëzit. Si vepër e rëndësisë dhe rolit të vecantë, puna për mirëmbajtjen, përmirësimet më bashkëkohore dhe kryerjen e funksioneve multidimensionale e gjithëvjetore, kërkonte përkushtim dhe dije sa më shkecore, pasi aty bëhej dhe ballafaqimi me vizitorët dhe eksperët e huaj. Aty kërkohej erudicion profesional në njohuritë e gjelbëruesit, botanistit e mjedisorit, aplikim në përputhshmëri me nivelet e përparuara të gjelbërimit europian, dije, shije dhe finesë arkitekturore, në aplikimet e mirëfillta inxhinierike, hidroteknike, elektrike, ndërthurje me kërkesat artistike për vepra arti, si dhe njohuri të zoologut, sportistit, historianit e deri tek ato të ciceronit, etj.

Këto cilësi e ndjesi më mirë nga të tjerët gjendeshin tek agronom Tomsoni, të cilin e favorizonte përvoja e fituar, studimi i vazhdueshëm, kualifikimet brenda dhe jashtë vendit, këmbëngulja për të futur arritjet e reja shkencore, si dhe njohja e përdorimi i gjuhës franceze, gjermane, italiane dhe ruse, çka e veçonin atë si figurë komplekse dhe e bënte rast unikal. Njeriun e ditur e të punës e kërkoi puna. Nomenklatura e riktheu me punë titullar në Parkun e Madh, ku ka qëndruar 20 vite, më gjatë se kudo në karrierën e gjelbëruesit. Me dije dhe punë arriti të harmonizonte funksionimin e një mori objektesh si të dy fidanishteve, gjelbërimin e lagjes bri parkut, Sonatoriumin, objektet tek Liqeni Artificial, Varrezat e Dëshmorëve, Kopshtin Zoologjik, Qytetin e Studentëve, Teatrin Veror, etj

Kudo u bë më e mira e mundshme në krijimin e peisazhit të gjelbër e atë urban. Arriti të kompletojë mozaikun e bimësisë autoktone shqiptare dhe të fusë e ballafaqojë bimët e reja e ato ekzotike në atë mjedis çlodhës e dëfryes të kthyer në qyteze për vizitorët vendas e të huaj. Parku u bë pasqyrë e vërtetë e dorës së njeriut në krijimin e mozaikut të bimësisë dhe objekteve të tjera, të cilat i dhanë jetë e gjallëri të admirueshme kryeqytetit, për të cilën janë marrur nota vlerëusese nga të huaj dhe ekspertë të ndryshëm. Kjo u bë e mundur dhe në saj të Tomsonit, i cili pa u kursyer derdhi energjitë e njeriut të punës, kërkesat e qytetarit, etjen e specialistit dhe nivelin më të arrirë të ideuesit, projektuesit dhe zbatuesit shkencor. Ai bëri më të dobishmen e më të mundshmen për shoqërinë. Kjo e bëri atë veprimtar të shquar mjedisor, ekologjik, shkencor e shoqëror, me vlera të larta atdhetarie.

Agronom Tomsoni, si misionar i përhapjes së dijeve në vendet ku punoi, i ktheu në shkollë të të mësuarit masiv për gjelbërimin. Më dukshëm aftësitë tekniko-shkencore, i ka shpalosur në përmbajtjen e 13 librave të botuara si dhe një seri dorshkrimesh në gjuhën shqipe dhe të huaj. Në shkollën e ekonomisë komunale, si drejtues efektiv i degës gjelbërim-luleve, u dallua në dhënien e leksioneve për të specializuar në Florë-Dendroflorë, drejtues e punonjës me arsim të mesëm nga i tërë vendi. Që nga programet mësimore, ngritja e kopshtit me bimë dekorative, hartimi e katër teksteve mësimor, pasjisja me mjetet e kopshtarisë, ngritja e ksilotekës, u bënë nga pedagog Tomsoni, duke dhënë dije bashkëkohore për tërë vendin.

Konsulenca, ekspertiza dhe këshillimet shkencore të dhëna nga Tomsoni, kanë qënë prezente në problematikat dhe vendimmarrjet në Këshillin Shkencor, Ndërmarrjen e Gjelbërimit, Shoqatën e Florës Dekorative të Shqipërisë, Bashkinë e Tiranës, në digaster dhe me tregtinë e jashtme për eksportin e lule mimozës. Të shpeshta i mbante lidhjet dhe bashkëpunimin me gjelbëruesit e rretheve të cilëve u gjendej si ekspert apo i ftuar me këshilla e zgjidhje konkrete dhe në disa raste të shoqëruara me ndihmë me material mbjellës vendi apo të huaj të siguruar apo shumëzuar në fidanishtet e serat e Tiranës. Tomsoni u bë olimpi i gjelbëruesit shqiptar, por më së pari njeri e qytetar i thjeshtë, i qeshur, zemërgjërë, tolerant dhe komunikues.

Ai nuk e vinte veten mbi kolegët e bashkëpunëtorët. Komunikimi ekselent me respekt reciprok dhe me mirëkuptim gentilmeni të vërtetë e përvijoi jetën e tij pa krijuar problem, qefmbetje, smirë, ambicie apo hendeqe. Kjo mbeti kredoja e mendjes, zemrës dhe fjalës së tij me shokë e bashkëpunëtorë, vartës dhe epror. Këtë fisnikëri ia ushqenin edhe lulet, të cilat ua dinte simbolikat dhe i çmonte si poezi, si muzikë, si kënaqësi e argëtim. Tek Tomsoni gjeje të pasqyruar harmonishëm pamjen e artistit, mendjen e shkencëtarit, shpirtin e humanistit dhe oratorinë e ciceronit. Fidanishtet dhe serat i çmonte si laboratorë të punës kërkimore shkencore, ndërsa lulishtet, parqet dhe çdo mjedis tjetër të gjelbër si fushë e punës në artin e krijimtarisë për të projektuar e afruar mjedis ku shprehen bukuria, ngjyrat, aroma dhe blerimi i natyrës shqiptare për qytetarët e vendit.

Në 75 vjetorin e lindjes, në vitin 2007, me një gjuhë të pastër, shprehëse e letrare, me një bollëk dëshmish, veprimtarish, përvoje, faktesh, ngjarjesh dhe përkushtimin e dhjetëra personazheve, dhuroi për gjelbëruesit dhe amatorët e luleve, librin unikal për historinë e vërtetë të gjelbërimit, e titulluar “Njerëzit e mirë të luleve”. Libri, si një enciklopedi e tanishme për gjelbërimin, sjell mori trajtesash me shumë vlera për tu njohur dhe evokim, pasqyrim dhe vlerësim me detaje për jetën dhe aktivitetin dobiprurës të shumë kolegëve, bashkëpunëtorëve, mjeshtrave dhe amatorëve të dalluar në gjelbërimin urban dhe atë vetjak, pa mënjanuar drejtuesit me prirje e të dhënë pas gjelbërimit në rang ndërmarrje, bashkie, digasteri dhe të institucioneve bashkëpunuese.

Lulishtarinë e vlerëson si pasuri të veçantë publike, për të cilën nuk u kursye së propaganduari e publikuari në rubrikat, në radio e television, në filma shkencor, botime në shtyp të qindra artikujve brenda e jashtë vendit, intervista, konsulta, ekspozita dhe në takimet e pandërprera në shkolla, qendra pune, lagjje banimi, etj. Të gjitha këto për të sensibilizuar e ndërgjegjësuar qytetarët me qëllim për të bashkëjetuar në simbiozë me gjelbërimin, si nevojë dhe tregues i rritjes së shkallës së qytetërimit.

Tomsoni në vitin 1998 provoi emigracionin në Itali, ku jetoi 17 vite në qytetin e Firenzes. Bëri jetë aktive, duke u takuar e rrahur mendime me personalitete të bashkisë, të Bibliotekës Qëndrore Nacionale të Firenzes, ku gjendej një skedar me qindra libra në gjuhën shqipe. Është takuar e ka këmbyer dije me shumë specialistë të shquar të fushës, të cilët e konsideronin mikun e ditur e të nderuar, duke e thirrur Profesor Tomi, Maestro Tomi dhe botuar për atë shkrime në shtypin Italian. Është takuar, ka bashkëbiseduar dhe rrëfyër dije me drejtoreshën e Kopshtit Boboli në Firenze, znj. Litta Maria Medri, me ekspertin e fidanishtarisë italiane z. Casero Miro Mati, me gazetaren e “La Nazionale” znj. Lucia Agati, me drejtoreshën e Institutit “Oltre Mare” ne Firenze znj. Alice, me Profesor Carlo Vezzofi; rektor në Universitetin në Pistoia, me pedagogë e student si dhe me titullarin e shoqatës Pro-Loco z. Nicola Ëittum në bashkëpunim me Profesor Alessandro Botaçin në Saltino, etj. Gazeta italiane “La Nazione” e dates 26.10.2007 shkruan se: “Profesor Nishani është një nga ekspertët më të mëdhenj të lulishtarisë shqiptare”.

Si titullar i Shoqatës së Florës Dekorative Shqipëtare dhe Zv. President i Shoqatave Floristike të vendeve të Ballkanit, ka marrë pjesë dhe është intervistuar në Euroflorën Botërore në Genova, në fondacionin e madh Recu në Budapest, në Maqedoni dhe disa shtete të tjera, në aktivitete si ekspozita, panaire, etj, ku ka dëshmuar dhe rrëfyer vlerat e gjelbërimit shqiptar. Si interkulator, në krye të një përfaqësie italiane ka ardhur dhe ka ndërmjetësuar bashkëpunimin e Ndërmarrjes së Gjelbërimit me fidanishten e Toskanës. Nga Postoia-Toskanëse u morën fidanë të zgjedhur, të rritur e standard me të cilët u bë gjelbërimi në rrugët kryesore dhe këndet e kryeqytetit. Ka ndërmjetësuar dhe sjellur literaturë në gjuhë të huaj dhe nga ndonjëherë dhe bimë të rralla dekorative.

Jetën e tij njerëzore, profesionale e shkencore i njoha nga afër në vitet kur drejtoja seksionin e pastrim gjelbërimit në Bashkinë e Tiranës. E pata mik, bashkëpunëtor dhe kryekonsulent në tërë problematikat e gjelbërimit. Prej atij kishte çfarë të përfitonte çdokush. Të tillë e njoha, afrova, bashkëpunova e përfitova në dobi të mbarëvajtjes së punës, pa u zhgënjyer asnjëherë. Më ftoi dhe mora pjesë në promovimin e librit “Njerëzit e mirë të luleve”, të cilën të nënshkruar ma dhuroi, e ku faqen 258 të librit ma kishte dedikuar, duke me vlerësuar si shef seksioni dhe ekspert agrar në Bashkinë e Tiranës, si mbështetës i madh për blerimin e kryeqytetit.

Me 13 shkurt 2015 u nda nga jeta dhe u varros në dhé të huaj, i përcjellur me dhimbje e nderim nga shqiptarë me banim në Itali dhe miq e dashamirës nga vendi. Meritonte nderimet e një shqiptari të madh, me homazhe dhe i përcjellur në dheun e vet nga shok, miq e kolegë të shumtë dhe i mbuluar i tëri me lule të shumëllojshme pa munguar dhe simbolika e stinës, lule Mimoza.

Jeta e tij e përkushtuar me lultarinë dhe gjelbërimin, apelon tek të gjithë shqiptarët për tu bërë edhe më të vetdijshëm në rritjen dhe mbajtjen e normës optimale të gjelbërimit me 10-15 m2 për banorë, si kusht jetik mjedisor e zbukurues për sigurimin e cilësisë së jetës. Dëshminë më domethënëse të kësaj të vërtete e sjell lashtësia, e cila kopshtet e Babilonisë i ka vlerësuar si njëra nga 7 mrekullitë e botës. Si për shumë personalitete të tjera edhe për këtë legjendë që bëri epokë me kontribute te veçanta në dobi të vendit, i duhen bërë nderimet e merituara me dekorim, emërtim rruge apo objekti dhe në vendosje busti.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura