Historia e trazuar politike e Brazilit: Nga Konferenca në Tiranë, tek ardhja në pushtet e Presidentit Lula. Çfarë dihet nga takimi në vilat qeveritare mes komunistëve të dy vendeve

Nov 3, 2022 | 13:10
SHPËRNDAJE

DASHNOR DERVISHI/ Që nga prilli i vitit 1964 deri në mars të vitit 1985, në Brazil sundonin qeveri nën autoritetin e diktaturave ushtarake. Regjimet ushtarake të Brazilit u kthyen në model edhe për regjimet dhe diktaturat e tjera ushtarake të Amerikës Latine, me krijimin e “Doktrinës së Sigurisë Kombëtare”, me anë të së cilës justifikoheshin veprimet e ushtrisë, si veprime në interes të sigurisë kombëtare në kohë krize.

lula

Diktatura arriti kulmin e popullaritetit të saj në vitet 1970, me të ashtuquajturën “mrekulli braziliane”, e ndihmuar nga propaganda e regjimit, ndërkohë që të gjitha mediat u censuruan dhe disidentët u torturuan e u dëbuan.

Në periudhën 1974-1979, në krye të regjimit ushtarak ishte gjenerali Ernesto Geisel. Edhe pse nuk u kuptua menjëherë nga popullata civile, gjenerali Geisel filloi një lëvizje drejt një regjimi më pak shtypës. Ai zëvendësoi disa komandantë rajonalë me zyrtarë të besuar dhe i etiketoi programet e tij politike si “hapje” për një kapërcim gradual të sundimit autoritar. “Kjo do të ishte”, sipas fjalëve të tij, ‘maksimumi i zhvillimit të mundshëm me minimumin e sigurisë së domosdoshme’. Së bashku me shefin e shtabit të tij, Geisel-i bëri përpjekje për të vënë në zbatim një plan demokratizimi gradual dhe të ngadalshëm, që përfundimisht pati sukses, pavarësisht nga kërcënimet dhe kundërshtimet e linjave të ashpra.

dashnor dervishi
Dashnor Dervishi me Zhoao Amazonas dhe bashkëshorten, viti 1978

Geisel-i lejoi për herë të parë opozitën Lëvizja Demokratike e Brazilit (MDB) në fushatën zgjedhore pothuajse të lirë, që u zhvillua para zgjedhjeve të nëntorit të vitit 1974, kur MDB-ja mori një shumicë të konsiderueshme votash. Në maj të vitit 1978 u organizuan grevat e para të punës që prej vitit 1964, ku pesëqind mijë punonjës, të udhëhequr nga Presidenti i ardhshëm i Brazilit, Luiz Inacio Lula da Silva, kërkuan dhe fituan rritje pagash në masën 11%.

Gjenerali João Figueiredo, pasuesi i Geisel-it dhe Presidenti i fundit ushtarak në Brazil, e drejtoi vendin përsëri përgjatë një periudhe tranzicioni demokratik, duke lejuar transferimin e pushtetit nga ai ushtarak në atë civil. Figueiredo ishte gjeneral i ushtrisë dhe ish-kreu i shërbimit sekret, i quajtur “Shërbimi Informativ Kombëtar i Brazilit”. Në periudhën 1979-1985, João Figueiredo, si President i vendit, u përball me “vijën e ashpër” dhe mbështeti politikën e ridemokratizimit. Kjo u shoqërua me rënien e diktaturave të tjera ushtarake në Amerikën e Jugut. Në vitin 1979, Figueiredo miratoi ligjin e “Amnistisë për krimet politike të kryera”, si nga regjimet ushtarake, ashtu edhe nga kundërshtarët e saj, gjatë periudhës 1961-1978.

Zgjedhjet e përgjithshme të vitit 1982 sollën rritje të konsiderueshme të numrit të votave të opozitës dhe postet e guvernatorëve të tri shteteve kryesore (São Paulo, Rio de Janeiro dhe Minas Gerais) u fituan nga opozita, pjesë e së cilës ishte edhe Partia Komuniste e Brazilit, e udhëhequr nga João Amazonas. Ndërsa zgjedhjet presidenciale të vitit 1985 u fituan nga kandidatët e opozitës.

pksh
Takim i pjesëmarrësve të Konferencës së PK të Brazilit me Ramiz Alian, viti 1978

Kjo ishte shkurtimisht panorama e gjendjes dhe e zhvillimeve në Brazil, në sfondin e së cilës u zhvilluan veprimtaritë e PK-së së Brazilit. Këto zhvillime unë i përjetova gjatë ushtrimit të detyrave të mia funksionale.

Siç njihet nga historia e lëvizjes komuniste ndërkombëtare, mbas Kongresit e 20-të të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik (1956), filloi një luftë midis dy linjave të kundërta në gjirin e saj, që u pasqyrua edhe në jetën e brendshme të të gjitha partive komuniste në botë. Edhe PK-ja e Brazilit u nda në dy linja në Kongresin e 5-të të saj (1960), ku udhëheqja kryesore dhe shumica e partisë u distancua nga fryma ‘revizioniste’ e Hrushovit dhe përqafoi linjën ideologjike të frymëzuar nga Partia Komuniste e Kinës dhe e Shqipërisë. Në të njëjtin vit, komunistët brazilianë mbështetën PPSH-në kundër sulmeve të Hrushovit, gjatë punimeve të kongresit të PK-së së Rumanisë. Në vitin 1962 u mbajt Kongresi i Rindërtimit të Partisë, e cila vazhdoi me të njëjtin emër: Partia Komuniste e Brazilit.

Nën ndikimin e fitores së revolucionit kastrist në Kubë dhe të ideve maoiste, Partia Komuniste e Brazilit u përpoq të zbatojë një linjë revolucionare të ashpër, dhe në fund të viteve ’60 filloi përgatitjet për shpërthimin e luftës popullore në Brazil. Episodi i luftës në Araguaia ishte një moment historik për këtë parti, por rezultatet e saj jo të favorshme në vitin 1974 e vunë në dyshim rrugën e ndjekur dhe modelin e kopjuar krejt gabim, në kushte të pafavorshme të zbatimit dhe keqpërdorimit të luftës popullore, gjë që shkaktoi një debat të ri në gjirin e partisë.

Rajoni i Araguajës, një nga më të varfrit e Brazilit, në vetvete i kishte kushtet për revoltë ndaj juntës ushtarake në pushtet, por duke qenë i izoluar, nuk mund të shërbente për marrjen e pushtetit nëpërmjet luftës së armatosur dhe nën ndikimin e gabuar të parullës maoiste që “fshati të rrethojë qytetin”. Për historinë e Araguajas janë bërë shumë analiza, janë shkruar libra dhe janë realizuar filma artistikë, një pjesë e të cilëve kanë mbërritur edhe në libraritë dhe ekranet e vendit tonë.

Më 16 dhjetor 1976, Komiteti Qendror i PK-së së Brazilit do të organizonte një mbledhje për të analizuar gjendjen në parti, kryesisht për të debatuar mbi zhvillimet në Araguaja. Mbledhja do të bëhej në një shtëpi që ndodhej në lagjen “Lapa” të qytetit Sao Paulo. Organet e sigurisë kishin marrë informacion mbi këtë takim dhe paraprakisht e kishin rrethuar vendin, duke kapur më tej një e nga një pjesëmarrësit, përpara se ata të hynin në godinë. Brenda ndodhej një nga udhëheqësit kryesorë të Partisë, 63-vjeçari Pedro Pomar si dhe Angelo Arroyo e John Batista Drummond. Organet e sigurisë dhe të Policisë, të mbështetura edhe nga repartet e specializuara të ushtrisë, mbasi u bënë thirrje për t’u dorëzuar, sulmuan shtëpinë, duke lënë të vrarë Pedro Pomar-in dhe Angelo Arroyo-n, ndërsa John Batista Drummond-i u arrestua në përpjekje për t’u arratisur dhe vdiq më vonë nga torturat. Aksioni i forcave të sigurisë së qeverisë Geisel u bë i njohur si “masakra e Lapas”. Ai u shoqërua me një sërë masash represive e arrestimesh të tjera të kuadrove kryesorë të PK-së së Brazilit, duke paralizuar pothuajse plotësisht veprimtarinë e saj, jo vetëm në rajonin e Araguaias, por në të gjithë territorin e vendit.

Sipas Dilermando Monteiro-s, komandantit të reparteve speciale të ushtrisë me seli në Sao Paulo, një nga qëllimet e këtij operacioni ushtarak ishte eliminimi fizik i Amazonas. “Ne kishim zbuluar se atë ditë do të mbahej takimi me praninë e udhëheqësve kryesorë të Partisë, dhe ka pasur disa informata se do të ishte i pranishëm edhe João Amazonas, por më vonë mësuam se ai ka qenë në Shqipëri”. Në fakt, në atë kohë ai ndodhej në Zvicër dhe Francë dhe vinte herë pas here në Shqipëri, për vizita me afatshkurtra. Amazonas nuk u kthye në vend as pas amnistisë së vitit 1979, ashtu si edhe një pjesë e udhëheqjes së PK-së së Brazilit, që ishte larguar nga vendi dhe vazhdonte veprimtarinë në disa vende të Evropës Perëndimore.

Masakra në Lapa do të ndryshonte të ardhmen e Partisë, jo vetëm sepse ajo mbeti pa udhëheqjen e saj kryesore, por edhe sepse ata që mbetën kaluan në ilegalitet të plotë. Ndërkohë, në gjirin e Partisë u krijua një situatë e dyshimtë dhe pasigurie. Të vetmit që ishin aktivë, ishin ajo pjesë e udhëheqjes që ndodhej jashtë vendit, mes të cilëve edhe João Amazonas. Ishte kjo pjesë e partisë që filloi përpjekjet për riorganizimin e saj. Eksperienca e hidhur e dështimit të luftës së armatosur në Araguaja, sipas modelit kastrist dhe maoist, bënë që PK-ja e Brazilit të mbështeste linjën e PPSH-së.

Qysh në vitin 1977, mbas masakrës në Lapa, udhëheqja e PK të Brazilit i bëri kërkesë udhëheqjes së PPSH për t’i krijuar mundësinë që të organizonin në vendin tonë konferencën e VII kombëtare të PK të Brazilit. Amazonas erdhi në Shqipëri dhe shpjegoi gjendjen në Brazil, zhvillimet në PK-në e Brazilit dhe i kërkoi Enver Hoxhës ndihmë për nismën e tij për riorganizimin e partisë. Ai shoqërohej nga Diogenes Arruda, i cili vinte nga Parisi. Konferenca do të organizohej e ndarë në dy grupe dhe në data të ndryshme për arsye sigurie dhe konspiracioni. Mbas shumë diskutimesh u vendos që takimi të bëhej në Tiranë.

Brenda një kohe të shkurtër u mundësua pajisja me pasaporta e disa prej krerëve që kishin mbetur në krahinat e Brazilit dhe e grumbullimit të tyre në Tiranë. Si pikë kontakti në Paris ishte Diogenes Arruda Camara, i cili nga ana e tij mbante lidhjet me Brazilin dhe me miqtë tanë në Spanjë e Portugali, të cilët dhanë një ndihmesë të madhe në përgatitjen e dokumenteve të nevojshme të udhëtimit. Më tej, me takimet në Buenos Aires, ku korrierët nga Brazili e kishin më të lehtë për të lëvizur, u mbyll faza e parë e pajisjes së të gjithë pjesëmarrësve të konferencës me dokumentet e nevojshme të udhëtimit.

Pjesëmarrësit e konferencës u strehuan në një nga vilat që shërbente si shtëpi pritjeje dhe që njihej si Vila nr. 6. Një nga sallat e vilës u rregullua me dekorin e konferencës dhe u përshtat si një ambient me elemente braziliane.

Në datën 18 gusht 1978 mbërriti në aeroportin e Rinasit grupi i parë i pjesëmarrësve të konferencës, i përbërë nga 8 vetë. Më 7 shtator mbërriti Amazonas, i shoqëruar nga një anëtar i rëndësishëm i udhëheqjes së Partisë, Decio Dyneas. Për katër ditë, Amazonas mori takim më vete me secilin pjesëmarrës, pjesa më e madhe e të cilëve e takonin për herë të parë.

Konferenca filloi punimet më 12 shtator dhe përfundoi më 5 tetor 1978. Në seancën përfundimtare ishte i pranishëm dhe përshëndeti Ramiz Alia në emër të PPSH dhe një delegacion i PK të Portugalisë (R).

Më 13 tetor filloi largimi nga Shqipëria në grupe dhe në drejtime të ndryshme. I fundit u largua më 19 tetor. I vetmi që mbeti ishte Decio, pasi ai do të merrej me përgatitjet dhe pritjen e grupit tjetër që do merrnin pjesë në vazhdimin e konferencës, që parashikohej të bëhej në fillim të vitit 1979.

Konferenca me pjesëtarët e grupit të dytë u bë në mars 1979, duke shpallur si datë zyrtare të përfundimit të Konferencës VII të PK të Brazilit datën 25 mars. Në këtë datë u bënë publike një pjesë e deklaratave dhe vendimeve të konferencës, si dhe përshëndetjet dhe urimet e rastit nga partitë motra.

Më 25 mars u shpall përfundimi me sukses i punimeve të konferencës, e cila sipas komunikatës së shtypit: “U realizua në një vend të fshehtë të Brazilit”. Radio Tirana në gjuhë të huaj, disa agjenci dhe gazeta të huaja bënë punën e tyre për shpërndarjen e këtij lajmi.

Më 12 prill 1979, para se të largohej përfundimisht nga vendi ynë, Decio dorëzoi pothuaj tërë materialet kryesore të punimeve të konferencës për t’i ruajtur në arkivin e KQ të PPSH. Punimet kryesore të konferencës u filmuan nga një grup i kinostudios; u realizua edhe një dokumentar, i cili ndodhet në arkivin e Kinostudios.

Nga dokumentet që na ranë në dorë, nga shpjegimet zyrtare të Amazonas dhe nga bisedat e lira me të tjerët, mësuam se në konferencë kishte pasur debate të thella për probleme të vjetra, por edhe për ato që lidheshin me të tashmen dhe të ardhmen e partisë.

Konferenca bëri një bilanc të veprimtarisë së partisë dhe vlerësoi rrugën e gjatë dhe sakrificat e mëdha në kushtet e vështira të vendit nën regjimet diktatoriale. Në konferencë mbizotëruan kritikat ndaj teorive dhe qëndrimeve sektare dhe parullave të gabuara, që u përdorën në lëvizjen guerile të Araguaias, si manifestime të teorive “blanquiste”, “foquiste”, “maoiste” etj. Një vend të rëndësishëm zunë debatet, si pjesë e luftës së brendshme midis rrymave të ndryshme dhe fraksioneve të shumta. Nuk munguan as analizat e thelluara mbi teoritë e gabuara të ekstremeve konservatore dhe oportuniste, apo përçarjet në gjirin e Partisë, duke përfshirë edhe episode tradhtie apo komprometimi me regjimet ushtarake.

Në konferencë u bë një analizë e thellë mbi masakrën e Lapas. Sulmi mbi shtëpinë ku do të bëhej mbledhja e rëndësishme erdhi si rezultat i tradhtisë së brendshme dhe prej punës zbuluese të shërbimeve sekrete të ushtrisë, nëpërmjet disa infiltrimeve në gjirin e militantëve të partisë. Nga ana tjetër, autoritetet e larta të qeverisë nuk e morën përsipër sulmin dhe asgjësimin e një pjese të udhëheqjes së Partisë në Lapa, përfshirë edhe gjeneralin Geisel, pasi në kushtet e hapjes demokratike, reprezalja ushtarake nuk përputhej me politikën e zbutjes, që po propagandohej me të madhe. Një prej shpjegimeve ishte se sulmin mund ta kishin organizuar sektorët konservatorë të ushtrisë, që nuk pajtoheshin me politikën e zbutjes të ndjekur nga presidenti Geisel.

Sipas një interpretimi tjetër, eliminimi fizik i udhëheqësve kryesorë komunistë ishte pjesë integrale e procesit të “hapjes politike”, e konceptuar dhe e ekzekutuar nga qeveria Geisel. Lidershipi i partive të krahut të majtë duhej eliminuar, para se këto parti të mund të bëheshin faktorë politikë në situatën e re që po krijohej. Mbledhja e udhëheqjes së partisë në Lapa vinte mbas fitores së MDB-së në zgjedhjet e vitit 1974 dhe aty parashikohej që të dilej publikisht kundër tezave të gabuara të luftës guerile të Araguaias. Eliminimi i udhëheqësve kryesorë të PK-së së Brazilit u propagandua si eliminim i rezistencës së armatosur, pa i lënë mundësinë partisë që të shpaloste pikëpamjen e saj të re për ndjekjen e rrugës demokratike për marrjen e pushtetit.

Konferenca e mbajtur në Tiranë, duke analizuar këto zhvillime, i dha fund keqinterpretimeve dhe shpalosi programin e qartë për vazhdimin e veprimtarisë së Partisë, si pjesë e opozitës demokratike, për të rrëzuar regjimin ushtarak të Figuereidos dhe marrjen e pushtetit nga fronti i majtë MDB nëpërmjet zgjedhjeve të vitit 1985.

Mbas zgjedhjeve të vitit 1985, junta ushtarake e Figueredos u rrëzua dhe në Brazil nisi jeta normale demokratike. Një pjesë e mirë e drejtuesve të partive në mërgim në vendet e Evropës, u kthyen në atdhe dhe rifilluan aktivitetin e tyre politik në demokraci. Kjo ndodhi edhe me miqtë tanë brazilianë, të cilët u përfshinë në të njëjtin front elektoral me maxhorancën, që nxori President Inacio Lula da Silva-n.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura