Hetimi për djalin/ Babai i biznesmenit në prokurori, dorëzon bilancet financiare

Nov 13, 2017 | 10:50
SHPËRNDAJE

Babai i biznesmenit Orest Sota, i arrestuar më 1 nëntor të këtij viti pasi në mjetin e tij u gjetën 863 mijë euro kesh, është paraqitur ditën e djeshme në Prokurorinë e Krimeve të Rënda.

Krimet-erenda

Lefter Sota mësohet se ka dorëzuar dokumente që i shërbejnë hetimit, për bizneset që ai drejton së bashku me të birin.

“Panorama” mëson se biznesmeni ka vënë në dispozicion të hetimeve bilancet financiare të viteve të fundit të firmave që drejton, në mënyrë që të justifikoje prejardhjen e 863 mijë eurove të dyshimta, të gjetura në mjetin që drejtohej pa patentë nga i biri.

“Panorama” mëson se, ndër dokumentet e dorëzuara, bëjnë pjesë edhe disa të tilla që tregojnë se firmat e biznesmenit kanë pasur marrëdhënie tregtare me kompaninë “Kurum”.

Në këto dokumente ka të dhëna për transaksionet financiare që janë bërë midis firmave të Lefter Sotës dhe “Kurum”-it, saktësojnë burimet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda.

Kujtojmë se ditën e ndalimit, Orest Sota u justifikua për paratë e gjetura se do t’ia depozitonte kompanisë “Kurum”, ku do të blinte një sasi të konsiderueshme hekuri. Por administratorja e kësaj firme dhe dy financierët, në deklarimet që kanë dhënë në Prokurori, kanë përjashtuar kategorikisht çdo transaksion financiar me para në dorë, në një vlerë mbi 150 mijë lekë të vjetra.

Sipas tyre, kompania “Kurum” këto transaksione i kryen vetëm përmes bankës. Përfaqësuesit e “Kurum” kanë shkuar edhe më tej, duke deklaruar se nuk kishin dijeni për një transaksion mes tyre dhe firmave të Sotës, duke përjashtuar marrëdhënien tregtare mes të dyjave. Tashmë, në fokus të Krimeve të Rënda është prejardhja dhe destinacioni i 863 mijë eurove.

Fillimisht, Krimet e Rënda kërkojnë të zbulojnë burimin e tyre, nëse ato kanë ardhur prej aktiviteteve të ligjshme dhe më pas, destinacionin e parave. Për këtë, janë marrë nën shqyrtim librat e shitblerjeve edhe të kompanisë “Kurum”. Gjithashtu, është vënë nën hetim pasuror biznesmeni Orest Sota.

Sa i përket patentave të familjes Tahiri, të gjetura në mjetin e biznesmenit, për to do të pyetet edhe shoferi i ish-ministrit të Brendshëm. Për atë, Orest Sota ka thënë në Prokurori se i pati harruar patentat në mjetin e tij, pasi dilnin shpesh bashkë për shkak të miqësisë së ngushtë.

ERALD DELIU/PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura