Hetimet për atentatin te “Kodra e Diellit”/ Vrasja e Briken Skanës, në tavolinë me viktimën ditën e dasmës edhe djemtë e një politikani

Dec 2, 2022 | 11:37
SHPËRNDAJE

Dy ditë më parë, Policia e Tiranës me anë të një njoftimi për shtyp bëri me dije se kishte hedhur dritë mbi rrethanat, autorët dhe motivet e vrasjes së Briken Skanajt, të riut nga Lezha, i cili u ekzekutua në Tiranë një muaj më parë.

Sipas të dhënave zyrtare, hetimet dhe kërkimet i kanë çuar hetuesit te një sherr i viteve më parë mes djemve të familjes Skana dhe të një familjeje pukjane dhe sipas tyre, ky është edhe motivi i vrasjes së rëndë.

Zyrtarisht është mësuar se në kërkim është Valmir Kola, ndërkohë që si ekzekutor të Skanës, Policia nuk ka të kërkuar asnjë person tjetër, edhe pse në vendin e ngjarjes kanë qenë të paktën tre persona.

Policia pretendon se janë gjetur të dhëna të sakta që e implikojnë pukjanin në atë atentat, ndërkohë që në fakt, Skana, ditën e vrasjes ka qenë në dasmën e një tjetër pukjani, shokut të tij, që është zhvilluar në zonën e Shën Gjinit.

Referuar të dhënave konfidenciale policore bëhet me dije se në tavolinën e viktimës ditën e dasmës së mikut të tij pukjan kanë qenë edhe djemtë e një politikani të njohur, ndërkohë që në momentin që ata janë nisur në drejtim të Tiranës, pretendohet, sipas Policisë që autorët iu kanë vënë pas duke e ndjekur deri në afërsi të banesës.

Burimet policore fillimisht bënë me dije se 3 persona kanë qenë në vendin e ngjarjes, dy brenda rrethimit dhe një duke i pritur me makinë jashtë rrethimit të rezidencës. Ndërkohë që një tjetër person ka mbërritur në zonën e Kasharit me automjet që i ka larguar në drejtim të paditur, ndërkohë që është djegur makina që ka transportuar autorët.

HETIMET

Autorët e vrasjes së Briken Sanajt mbrëmjen e 30 tetorit në Tiranë kanë arritur të çaktivizojnë sistemin e kamerave vëzhguese në zonën e “Kodrës së Diellit” ku ndodhi ngjarja.

Viktima rezulton se është ndjekur nga Lezha deri në Tiranë nga një makinë me targa spanjolle, e cila i përket të afërmve të autorit Valmir Kola. Në atentat, sipas Policisë, kanë marrë pjesë të paktën katër persona.

Atentati ndaj Briken Sanajt më 30 tetor të këtij viti në Tiranë dyshohet se është organizuar në një lokal në zonën e Lezhës. Ky takim është zhvilluar mes autorit të ngjarjes, Valmir Kola dhe bashkëpunëtoreve të tij me tregtarin nga Kosova që ka shitur automjetin e përdorur në ngjarje.

Autori i dyshuar është siguruar që të mos pikaset nga kamerat e sigurisë ku ka fikur DVR-të e regjistrimit të sistemit vëzhgues. Vrasja e Briken Sanaj u planifikua në një lokal në Lezhë, viktima u mbajt në vëzhgim, autori fshehu armën te vila.

Një person i familjes Kola, thonë burimet, ka vizituar disa herë vilën në zonën e Kodrës së Diellit, ku qëndronte 40-vjeçari Briken Sanaj. Ky person gjatë dy momenteve që ka shkuar për të studiuar terrenin ka përdorur taksi dhe mjet “BMW X5”.

Gjatë këtyre lëvizjeve të këtij personi para vrasjes, autori ka arritur të fshehe pranë vilës në zgavrën e një peme edhe armën e krimit që është përdorur mbrëmjen e 30 tetorit për vrasjen e Sanajt. Sipas informacioneve, ndjekja e viktimës është kryer nga dy persona që lëviznin me mjetin tip “Audi” me targa spanjolle.

Vrasja e Briken Sanaj te “Kodra e Diellit”, në kërkim njëri prej vëllezërve Kola, u largua jashtë 2 ditë pas ngjarjes. Ky mjet i është vënë pas viktimës që në Lezhë, ndërkohë që dyshohet se i përket një anëtari të familjes Kola.

Pasi ka kryer krimin, autori është fiksuar në pamje teksa largohet në këmbë me çantën e zezë ku kishte fshehur armën kallashnikov, më pas merr automjetin dhe shkon deri në Qafë Kashar, ku e prisnin bashkëpunëtorët e tjerë të cilët i kanë vënë flakën makinës së përdorur në ngjarje. Motiv i ngjarjes, sipas hetimeve të deritanishme, dyshohet se ka qenë hakmarrja.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura