Helidon Xhixha përfaqëson Sirinë në Bienalen e Venecias (FOTO)

May 15, 2015 | 15:34
SHPËRNDAJE

Një ajsberg inoksi ka mbërritur para portave të Giardinos në Venecia.

Artisti Helidon Xhixha

Janë të shumtë ata që përkulen në parmakët buzë ujit për të kundruar këtë pamje të pazakontë. Edhe pse Venecia është mësuar tashmë me gjithfarësoj fantazish artistike, mikpritësve të Bienales, por edhe atyre që janë ndodhur aty këto ditë për të ndjekur hapjen e një prej aktiviteteve më të mëdha ndërkombëtare të artit bashkëkohor pamor, nuk mund të mos u bënte përshtypje ajo masë gjigante që pluskon në mes të lagunës.

I lidhur me 7 pilastra që tregojnë akullnajat nga ka origjinën ky ajsberg udhëtues, nuk është gjë tjetër veçse një mesazh ambientalist i artistit shqiptaroitalian, Helidon Xhixha, i cili përfaqëson Republikën Arabe të Sirisë në Bienalen e Venecias. Edhe pse duket e çuditshme që një artist shqiptar të përfaqësojë Sirinë, kjo është më se e zakonshme në botën e artit. Tashmë artistët shqiptarë, të shpërndarë nëpër botë, janë të lirë të zhvillojnë artin e tyre ku të duan e të përfaqësojnë këdo shtet që përkrah idetë e tyre.

I njohur për punët e tij në çelik, të vendosura në shumë sheshe të Europës, Helidon Xhixha prezantohet në edicionin e 56-të të Bienales së Venecias me dy projekte të reja, të cilat do të mund të shihen nga publiku deri në datën 22 nëntor 2015. “Ajsberg në Venecia” (përbërë nga punët “Iceberg”, “Schegge”, “Pillars of Lights”, “The Pack”, “I quattro elementi”), titullohet vepra e Xhixhës, që synon të tërheqë vëmendjen e publikut mbi tema të një rëndësie të veçantë, përmes një këndvështrimi të ri. Sipas artistit, Venecia, një stoli e çmuar e trashëgimisë botërore, rrezikon të zhduket në të ardhmen, për shkak të ngritjes së ujërave. Venecia e vizituar prej të gjithëve, gjithashtu rrezikohet prej dhunës së tonelatave të çelikut. Dhe pikërisht në këtë panoramë, në Venecian e rrethuar nga ujëra e ishuj, ndërton veprën e tij më të fundit: një kullë akulli, të ftohtë e metalike, që shfaqet në horizont. Nën efektin e ngrohjes globale, e pashmangshme shkrirja e akujve, copëzimi, dhe një prej fragmenteve “udhëton si çmendur, në një planet të çmendur”, siç e quan autori. Udhëton deri sa mbërrin mes kanaleve të Venecias, në qytetin djep të kulturës dhe bukurisë.

VEPRAT

Helidon Xhixha vijon t’u qëndrojë besnik teknikave të tij të punimit të çelikut edhe në projektin e prezantuar në edicionin e 56-të të Bienales së Venecias.
 

Vepra e artistit Helidon Xhixha në Bienalen e Venecias

“Unë nuk gdhend materialet, por përdor materialet për të gdhendur dritën”, është motoja e Helidon Xhixhës. Përmes veprave më të fundit ai synon të tërheqë vëmendjen karshi shkrirjes së akujve polarë. Vepra, një kompleks punësh, është vendosur në ujë, në mënyrë që ajo të lëkundet nga valët dhe era, duke përçuar reflekse të forta të ndritshme. Sigurisht, përballë kësaj vepre, mund të mendohet se materiali me të cilin është realizuar vepra, çeliku, është derivat i një procesi industrial që ndihmon në rritjen e ngrohjes së atmosferës. Çka do të thotë se do të ishte një kontradiktë e hapur mes mesazhit të veprës dhe mënyrës se si ajo është realizuar. Por me sa duket edhe në brendësi të veprës reflektohen kontradiktat e jashtme, duke krijuar hapësira për debat. Vepra tjetër është më e qëndrueshme, por e lidhur me të njëjtin koncept. Ajo përbëhet nga 7 pilastra, që përfaqësojnë akullnajën nga shkëputen ajsbergët. Ky instalacion, i vendosur në ishullin e San Servolos, mbërthen mbi sipërfaqet e veta pasqyruese gjithë pamjen që e rrethon të lagunës.

Alma Mile 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura